• Intervistë me studiuesen e çështjeve ruse dhe ballkanike Dr. Hajdi Xhixha. Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia.

 

  1. Vendet e Ballkanit Perëndimor, duke specifikuar Shqipërinë, kanë kohë që aspirojnë të jenë pjesë e familjes së madhe europiane, por nga ana tjetër kanë një të kaluar që i lidh me Rusinë, gjurmët e së cilës ndihen ende edhe sot.
  2. Gjithashtu mbajtja gjatë një kohe të caktuar nën orientimin politik sovjetik të vendeve të rajonit të Ballkanit, i ka dhënë mundësinë Rusisë të zotërojë njohuri dhe informacione mbi shtetin edhe shoqërinë e këtyre vendeve, që sot e bëjnë të arsyetojë se turizmi, kultura, arsimi etj., janë mjediset më të përshtatshme ku ajo mund të luajë lirshëm.
  3. Kontrolli i këtyre agjencive nga shteti rus, orientimi në përhapjen e propagandës ruse dhe dezinformimit, realizohet përmes një strategjie të studiuar nga Kremlini. Kjo strategji i ka fillesat e saj edhe më herët se kohët e sotme. 
  4. Kujtojmë, që shteti komunist shqiptar u ngrit mbi modelin e shtetit sovjetik, era e të cilit ndihej në çdo sferë, apo fushë të tij. Shqipëria ka qenë vend satelit i Bashkimit Sovjetik, dhe ky fakt përben ende një lidhje me Rusinë sot. Kjo e fundit do e përdorë këtë lidhje për tu afruar; rikthimi i kujtimeve të së shkuarës, forcimi i miqësisë shqiptaro-ruse, qoftë dhe vetëm në fushën e kulturës, do të shndërrohet në një mjet përdorimi për të mbajtur gjallë e për të thelluar lidhjen e Rusisë me Shqipërinë. Edhe pse Shqipëria e ka përcaktuar rrugën e saj drejt perëndimit, ajo mbetet ende mes fobisë ruse dhe miqësisë së hershme shqiptaro-ruse.

 

#####

 

ISSDM: Si e vlerësoni rolin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe kur sipas jush ka filluar ky ndikim? 

Hajdi Xhixha: Rusia ka qenë e interesuar përherë mbi Ballkanin. Kjo është lehtë e dëshmuar po thuaj në të gjitha fazat e historisë së politikës së jashtme ruse, duke nisur me ndikimin që Perandoria ruse pati në Ballkan, apo Bashkimi Sovjetik ndaj vendeve satelite të tij në këtë rajon, apo qoftë dhe tek përpjekjet e sotshme të Rusisë bën për të rifituar lavdinë e mëparshme në vendet e Ballkanit. Kështu, roli i Rusisë mbetet i njëjtë në rajon, edhe pse intensiteti i tij ka ndryshur në varësi të kushteve historike. Unë do ta shihja pak ndryshe pyetjen, fokusi nuk duhet drejtuar në rolin e Rusisë, por në aftësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të minimizuar ndikimin e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor, duke specifikuar Shqipërinë, kanë kohë që aspirojnë të jenë pjesë e Familjes së madhe europiane, por nga ana tjetër kanë një të kaluar që i lidh me Rusinë, gjurmët e së cilës ndihen ende edhe sot. Në këtë pikë mendoj se roli i Rusisë në Ballkan nuk duhet neglizhuar.

 

ISSDM:Statusi gjeopolitik i Rusisë dukshëm ndryshoi pas ardhjes së Putinit.A qëndron ideja se Rusia kërkon kthimin e fuqisë së dikurshme nëpërmes ndërhyrjeve hibride dhe shfrytëzimit të fuqisë në organizatat ndërkombëtare?

Hajdi Xhixha: Tashmë dihet, se qëllimi mbetet po i njëjti, por ato që ndryshojnë janë mjetet e përmbushjes së tij. Mjafton ti referohemi bujës së madhe të festimit të 100 vjetorit të Revolucionit rus, që Putini bëri në vitin 2017 në mbarë Rusinë, duke risjellë në mendjen e popullit rus vitet e lavdisë së madhe. Ajo ndihet edhe më e gjallë në rajonin e Ballkanit falë punës së zellshme të agjencive ruse informative e mediatike, instrumenti bazë për propagandën ruse në këtë rajon. Kontrolli i këtyre agjencive nga shteti rus, orientimi në përhapjen e propagandës ruse dhe dezinformimit, realizohet përmes një strategjie të studiuar nga Kremlini. Kjo strategji i ka fillesat e saj edhe më herët se kohët e sotme. Ajo fillimisht lindi si nevojë për tiu kundërpergjigjur propagandës perëndimore kundër Moskës gjatë periudhës së BRSS e më pas, sot është kthyer një një mjet mjaft efikas për të përmbushur qëllime e interesa të politikës ruse në rajoni e Ballkanit, por edhe më gjerë.

 

ISSDM:Në cilat fusha më tepër ka pasur efekt propaganda ruse?

Hajdi Xhixha: Propaganda është një mjet mjaft efikas dhe që në pjesën më të madhe të përdorimit të saj, ajo e arrin rezultatin e arritur. Vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu siç e përmenda dhe më lart, janë vende, që dikur ishin satelitë të Bashkimit Sovjetik, pjesë e Bllokut të Demokracive Lindore, anëtare të organizmave si Traktati i Varshavës apo Këshillit të Ndihmës Reciproke Ekonomike, të cilat kanë trashëguar plot tipare sovjetike, jo vetëm shtetërore, por edhe sociale. Gjithashtu mbajtja gjatë një kohe të caktuar nën orientimin politik sovjetik të vendeve të rajonit të Ballkanit, i ka dhënë mundësinë Rusisë të zotërojë njohuri dhe informacione mbi shtetin edhe shoqërinë e këtyre vendeve, që sot e bëjnë të arsyetojë se turizmi, kultura, arsimi etj., janë mjediset më të përshtatshme ku ajo mund të luajë lirshëm. Organizimi i takimeve kulturore, konferencave shkencore, lëvizjeve të filorusëve në rajon etj.., të gjitha këto janë forma moderne të propagandës e politikës së jashtme ruse për të krijuar ndikim.

 

ISSDM: Diplomacia, partitë politike, kultura dhe inteligjenca ruse konsiderohen si një ndër mjetet-shtyllat ku Moska mbështetet në shpërndarjen e politikës së saj. Pse e bën këtë Rusia?

Hajdi Xhixha: Qëllimet e Rusisë dihen, ajo synon zgjerimin e saj në Ballkan, qoftë kjo për arsye strategjike, ekonomike, politike etj., ashtu siç dihet që edhe në një luftë mjetet e përdorura do të jenë nga më të ndryshmet, me qëllimin e rëndësishëm të krijimit të varësisë, e cila hap shtegun për depërtimin më të madh të Rusisë në Ballkan. Pengesa e saj për këtë qëllim është agjenda për zgjerim e Bashkimit Evropian dhe aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjese e BE-së. Dëshira për t’iu bashkëngjitur rrugës perëndimore e vendeve të rajonit është mbi të gjitha vendimarrje politike e tyre. Kjo lidhet dhe me synimin e Rusisë për të investuar në parti politike në vendet e rajonit, për të ndikuar në vendimarrjen e tyre politike dhe kthimin e kursit politik të tyre drejt politikës ruse.

ISSDM:A shihni ndonjë rivalitet ruso-perëndimor në Ballkan?

Hajdi Xhixha: Kjo është një pyetje që përgjigjen e gjen të shkrirë në histori. Mjafton të sjellim ndërmend ekzistencën e dy blloqeve (atij perëndimor e lindor), NATO e Traktati i Vashavës, apo të organizmave të tjerë, që u ngritën si kundërpërgjigje e njëri-tjetrit, për të vazhduar më pas në ditët e sotme, me agjendën e për zgjerim të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, angazhimet e BE e NATO-s, për të zgjidhur problemet mes vendeve të rajonit, siç ishte rasti i zgjidhjes së emrit të Maqedonisë, bisedimet Kosove-Serbi, apo proceset e anëtarësimit në NATO, hapja e negociatave për vendet si Shqipëria e Maqedonia, të gjithë këto janë përpjekje të perëndimit për të minimuzuar ndikimin rus në Ballkan. Nga ana tjetër dhe Rusia bën luftën e saj në Ballkan përmes propagandës mediatike, informative, lojën me angazhimin e vendeve ende jo pjesë e BE-sw në struktura-modele organizimi, të ngjashme me ato të perëndimit. Qëllimi i saj ka qenë dhe mbetet të jetë largimi nga rruga drejt perëndimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tërheqja e tyre drejt saj.

ISSDM:Në cilën periudhë kohore ndikimi rus ka qenë më i theksuar në Ballkan dhe në Shqipëri?

Hajdi Xhixha: Kulmin e saj Rusia e ka pasur gjatë Bashkimit Sovjetik, kur ndihej drejtpërdrejtë ndikimi i tij në Ballkan, rajon i cili ishte i përfshirë në Bllokun Lindor, që orientohej nga BRSS, po ashtu edhe në Shqipëri. Kujtojmë, që shteti komunist shqiptar u ngrit mbi modelin e shtetit sovjetik, era e të cilit ndihej në çdo sferë, apo fushë të tij. Shqipëria ka qenë vend satelit i Bashkimit Sovjetik, dhe ky fakt përben ende një lidhje me Rusinë sot. Kjo e fundit do e përdorë këtë lidhje për tu afruar; rikthimi i kujtimeve të së shkuarës, forcimi i miqësisë shqiptaro-ruse, qoftë dhe vetëm në fushën e kulturës, do të shndërrohet në një mjet përdorimi për të mbajtur gjallë e për të thelluar lidhjen e Rusisë me Shqipërinë. Edhe pse Shqipëria e ka përcaktuar rrugën e saj drejt perëndimit, ajo mbetet ende mes fobisë ruse dhe miqësisë së hershme shqiptaro-ruse. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

[box type=”info” align=”aligncenter” ]Dr. Hajdi Xhixha është lektore pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë (UBT), Prishtinë. Ajo është e specializuar mbi marrëdhëniet shqiptaro-ruse gjatë periudhës së Komunizmit në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare e të Sigurisë. Ajo lektoron lëndët: Historia Politike e Ballkanit Perëndimor, OKB dhe Organizatat Ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo zotëron njohuri të mira të gjuhës e kulturës ruse e maqedonase.[/box]