Home / PROGRAMMES / Conflict Studies / Gjendja kadrovike në punët e jashtme

Gjendja kadrovike në punët e jashtme

Dr. Selim IbraimiAktualisht, gjendja e diplomacisë shqiptare është e mjerueshme dhe nuk ka shenja se do të përmirësohet. Kosova, gjithashtu, nuk ka trashëguar një diplomaci dhe politikë të jashtme të shëndoshë dhe as që ka bërë përpjekje për ta forcuar këtë fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare që nga pavarësia. Kuadrot, kryesisht, janë persona të partive politike dhe grupeve të interesit që mendojnë se mund ta përfaqësojnë shtetin jashtë. Realisht, me më pak fat janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që s’kanë kujt t’i drejtohen dhe ankohen.

Përfaqësimi i tyre jashtë dhe brenda zakonisht bëhet nga zyrtarët maqedonas ose shqiptarë të zgjedhur të partisë së Ahmetit (BDI). Kjo është gjendja aktuale dhe që duhet të përtypet nga shtetasit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut jashtë atdheut.

Nga viti 1991, kuadro shqiptarë të socializmit maqedonas, të partive politike të lidhura ngushtë me qarqet e politikës maqedonase dhe familjarë, janë emëruar si ambasadorë dhe të ngarkuar në konsullata. Mirëpo, me ardhjen e BDI-së në pushtet, pothuajse përpjekjet për vendosjen e një mendimi diplomatik shqiptar në kuadër të diplomacisë maqedonase morën fund. Ahmeti, ashtu siç vlerësohet si një profil me një formim enverist dhe edukim mesatar, të gjitha angazhimet e mëhershme i fundosi, duke dërguar njerëz të ish-sistemit në përfaqësitë diplomatike dhe, natyrisht, pa përvojë në punët e jashtme.

Për të dhe rrethin e ngushtë të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, mjafton që kuadrot, kinse të reja, të jenë njerëz të afërt të tyre apo të klaneve që u ndihmuan të vijnë dhe të qëndrojnë në pushtet. Një pjesë e kuadrove që sot janë në ambasadat e vendit, kanë qenë anëtarë të LKM-së, duke treguar besnikëri ndaj qeverive maqedonase dhe ish sistemit. Mund të fillojmë që nga ministri i Jashtëm, i cili sipas shtypit ditor, njihet si një kuadër i formuar në rrethet maqedonase të mjekësisë, në shërbim të kauzës së identitetit maqedonas dhe mund të përfundohet tek zyrtarët e nivele më të ulëta. (Shenja)

About Admin