Çfarë roli mund të ketë Bilall Kasami në zgjedhjet lokale?!

Nga Selim Ibraimi- Disa muaj para zgjedhjeve lokale partitë politike kanë filluar me riorganizimin e degëve dhe nëndegëve partiake. Disa thonë se do ta befasojnë opinionin publik e disa të tjerë nga frika e humbjes së besimit në elektorat, paraqesin projekte të parealizueshme. Të fillojmë me “Besën” e cila ka filluar nga Malësia e Tetovës, një strategji e kopjuar nga partia e Ali Ahmetit BDI e cila i ka shpartalluar partitë tjera dhe ka fituar në të gjitha zgjedhjet vetëm duke u koncentruar në malësi dhe vendet rurale. Mirëpo, këtë strategji z. Kasami dhe djemtë e “Besës” si vështirë do të mund ta zbatojnë dhe fitojnë numër të konsiderueshëm votuesish, për shkak të humbjes së besimit në kryesinë e partisë në krye me z.Bilall Kasami i cili në elektoratin e partisë dhe në opinionin e përgjithshëm po humb bazën dhe nuk gëzon më reputacion.

Ikja e tij në LSDM dhe dështimi i tij si politikan për të mbajtur fjalën, ka qenë një ndër faktorët që kanë çuar drejt rënies së tij si figurë dhe si parti. Megjithatë, partia “Besa” ka një elektorat të mrekullueshëm dhe të besueshëm, vetëm që lojërat e kryesisë, interesat personale dhe grupore e kanë dëmtuar lëvizjen e që tani e detyrojnë Kasamin të qëndrojë nën LSDM dhe të shihet si mjet shfrytëzues i politikës maqedonase.

Kasami mësimin do ta marrë në vjeshtë dhe prej aty ai ose do të ketë ngritje ose ulja si parti do të jetë e pashmangshme. Kasami ka dëshpëruar jo një numër të vogël votuesish, kurse lëvizjet e tanishme me disa poza me Zaevin dhe disa mbledhje në Malësi e në Pollog, nuk do ta ndihmojnë. Vetëm një gjë duhet thënë, se roli i tij në zgjedhjet lokale do të jetë përçarës dhe në interes të kandidatëve të LSDM-së, BDI-së dhe rrethit të ngushtë të partisë.