Ish kryengritësi shtyn politikat e gjelbërta

Nga Selim Ibraimi- Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit, një parti e cila doli nga konflikti i vitit 2001, për shkak të mungesës së vizionit për të ardhmen e partisë dhe perspektivën e elektoratit, ka vendosur të përqafojë konceptin e partive të gjelbërta, një ndryshim që nuk shkon në partinë e tij. BDI e Ahmetit doli në skenë për t’u marrë me të drejtat etnike, megjithatë dështimi për t’i realizuar premtimet dhe objektivat programore, ka detyruar ish drejtuesin e ilegales që në fund t’i hyjë rrugës së ëndrrave të partive politike të gjelbërta si në BE. Meqenëse që nga vjeshta e vitit 2002 sipas kritikëve Ahmeti ka bërë politika të padobishme për shqiptarët e MV-së, dalja me politika të gjelbërta nuk do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe veçanërisht për elektoratin e partisë.

Në botën e zhvilluar një përfitim i rëndësishëm ekonomik i gjelbërimit shihet në ndihmën e uljes së kostos dhe kursimin e parave nga qytetarët. Dihet se përdorimi i energjisë së rinovueshme ndihmon në zvogëlimin e konsumit të energjisë dhe fatura të ulta të energjisë elektrike, një fakt që nuk e vërejmë në MV. Në Perëndim, politika e gjelbërimit sjell ndryshime dhe ka efekte pozitive, por duke marrë parasysh se nga kush propozohet, dhe kush duhet të jetë bartëse e këtij procesi, atëherë ky koncept mund të konsiderohet talllje për partinë dhe qytetarët e MV-së. Kryeministri Zaev e vlerësoi tepër lartë paraqitjen e Ahmetit, duke i dhënë atij mbështetje, e cila në fakt e vë BDI-në para bashkimit-shkrirjes me konceptet e partive maqedonase, e cila tani nuk ndryshon edhe aq nga partia e “Besa” e Bilall Kasamit. Ndërsa MV vuan nga korrupsioni dhe varfëria, koncepti i gjelbërt nuk do të ndryshojë jetën e banorëve të saj, por do të përfitojnë oligarkët dhe grupet që synojnë të mbushin arkat së bashku me politikanët në emër të integrimeve dhe qeverisjes së mirë.