Nga Dr. Selim Ibraimi- Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, gjërat mund të themi se kanë ndryshuar pozitivisht deri diku në Ballkan. Shkupi zyrtar dhe Sofja kanë bërë lëvizje thelbësore në drejtim të hapjes së rrugës për një marrëveshje të qëndrueshme dhe me perspektivë. Por, para se të dyjat palët të flisnin me tone pozitive, u bënë disa lëvizje. Hapi i parë, ishte dëbimi i diplomatëve rusë nga Shkupi, me tregues të operacioneve ruse-klandestine. Këta diplomatë rusë që nga koha e Gruevskit kanë krijuar lidhje me partitë politike, OJQ-të, gazetarë, akademikë, njerëz të biznesit dhe figura të tjera me ndikim nga shoqëria maqedonase! Gjithashtu, Bullgaria nga ana tjetër ka bërë hapa të rëndësishëm me një politikë të re të qeverisë së re, e cila gjithashtu ka dekurajuar aktivitetet ruse në Bullgari. Meqenëse, lufta në Ukrainë ka shumë implikime tjera serioze në Ballkan, Sofja dhe Shkupi kanë lëvizur në drejtim pozitiv, duke bërë përpjekje për të mbyllur vrimën e mundshme ruse për destabilizimin e rajonit.
Me largimin e diplomatëve rusë nga Shkupi dhe natyrisht me zvogëlimin e aktiviteteve ruse në Bullgari, në thelb krijohen rrethana që të dyja palët në një të ardhme të afërt të nënshkruajnë një marrëveshje. Një marrëveshje e mundshme, duhet të mbulojë të gjitha çështjet e hapura për të dyja palët pa paragjykime nga e kaluara si dhe me fakte historike. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se pjesa tjetër e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, e cila e mbështet luftën e Putinit në Ukrainë, mund të ketë ndikojë në procesin e vendimmarrjes së liderëve. Dhe këtu duhet shtuar edhe rezultatet e publikuara të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut me një numër të vogël të deklaruar si bullgarë.
Megjithatë, me shanset për të mbyllur rastin e vetos bullgare, Ballkani nuk është plotësisht i qetë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të ngecura, pa asnjë drejtim në të ardhmen e afërt. Shpresa e kryeministrit Albin Kurti është të blejë kohë, ndërsa Uashingtoni është i zënë me Ukrainën dhe Rusinë. Gjithashtu, Serbia ka lëvizur në drejtim të gabuar, duke u ripozicionuar me Rusinë dhe luftën e Putinit në Ukrainë. Mosmarrëveshjet në mes dy shteteve mund të çojnë në fërkime të mëtejshme dhe, më shumë tensione në veri të Kosovës.
Çështja tjetër që mbetet si pikë ndezëse, natyrisht se është Bosnja e cila mbetet pa një perspektivë afatgjate. Pas luftës në Ukrainë, duhet që SHBA të përmbyllië seriozisht çështjen e së ardhmes së Bosnjës dhe normalizimit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Ndërsa lufta në Evropën Lindore e cila nuk pritej kurrë, është një tregues më tepër që të mendojmë për pozitën e shteteve të Ballkanit, mbylljen e mundshme të të gjitha konflikteve të ngrira dhe bllokadave të hapura!
(31.3.2022, SHBA)