Është botuar libri “Veshalla – përjetimet dhe kujtimet e mia”, një vepër e autorit Merxhan Jakupi, që sjell një pasqyrë të gjerë dokumentare dhe historike të Veshallës, të ndërthurur me kujtime, dëshmi dhe materiale të vlefshme arkivore.
Libri trajton historinë e fshatit, personalitetet që kanë lënë gjurmë ndër vite, rrugëtimin e mërgatës, traditat, jetën shoqërore e kulturore, si dhe përmban dokumente e fotografi të rralla që pasurojnë vlerën e tij historike. Ai synon të ruajë identitetin dhe trashëgiminë e Veshallës, duke shërbyer si një burim i rëndësishëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në faqet e tij pasqyrohet rrugëtimi historik i Veshallës, nga periudha osmane, Luftërat Ballkanike, Mbretëria Jugosllave, Lufta e Dytë Botërore, periudha e Jugosllavisë socialiste e deri në ditët e sotme. Ngjarjet historike trajtohen përmes përjetimeve njerëzore dhe kujtesës kolektive të banorëve, duke krijuar një rrëfim autentik e të pasur.
Ky botim pritet të zgjojë interes te banorët e Veshallës, Malësisë së Sharrit, mërgata, studiuesit dhe të gjithë lexuesit që dëshirojnë të njohin më thellë historinë, kulturën dhe trashëgiminë e këtij fshati.
Gjatë festës tradicionale “Votra jonë na bashkon”, që mbahet të dielën në Veshallë, libri do të promovohet në një mënyrë modeste. Të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë ta shohin nga afër, të informohen për përmbajtjen e tij dhe ta sigurojnë një kopje.


