Analisti politik Selim Ibraimi ka deklaruar në një intervistë për www.helveticalforum.ch , se në rast se nuk riorganizohet forma e qeverisjes së shtetit të Maqedonisë së Veriut, një konflikt tjetër mund të shpërthejë në të ardhmen në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. “Në përgjithësi, si BDI, ashtu edhe VLEN, tani duhet të marrin përgjegjësi për dështimet e tyre”. “Për marrëdhëniet e ardhshme mes dy grupeve etnike, besoj se politikanë më të guximshëm duhet të vendosin për formën e shtetit, si një mënyrë për të parandaluar një konflikt tjetër”. Që nga lufta ndëretnike e vitit 2001, mes maqedonasve dhe shqiptarëve, po zhvillohet një luftë politike dhe ekonomike për dominim. Maqedonasit kanë arritur të mbajnë qeverinë, diplomacinë, ekonominë kombëtare dhe organet tjera të sigurisë. Lufta politike vazhdon për të drejtat themelore, gjendje që mund të nxisë në vitet e ardhshme një tjetër konflikt. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të debatojë Ligjin e Gjuhëve në muajt në vijim me rrezik të lartë të ndryshimit të ligjit aktual. Partitë politike shqiptare në opozitë dhe në qeveri kanë pohuar se kjo nuk do të ndodhë. Pasiguria në Maqedoninë e Veriut në mes dy grupeve kryesore etnike vazhdon, me përçarje të brendshme dhe pabesueshmëri të lartë. Për të parandaluar përplasjet në të ardhmen, qeveria dhe partitë politike, duhet të punojnë rreth një plani konkret për të ardhmen e bashkëjetesës së grupeve etnike. Disa analistë thonë se burimi i luftës politike për të drejta të barabarta, daton shumë më parë, që nga viti 1945 kur u themelua shteti maqedonas.
2024-12-11
Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.