ESAT PASHË TOPTANI NDRYSHE?…

Ilir Ikonomi: “Esat Pashë Toptani – njeriu, lufta, pushteti”. Botoi UETPress, Tiranë, 2016. Faqe 551.

Nga Jusuf Buxhovi- “Nuk është lehtë ta shpjegosh Esat pashë Toptanin (1864-1920), njërin ndër personazhet më enigmatike të botës shqiptare”. Kështu thotë autori Ilir Ikonomi në librin “Esat Pashë Toptani”, i cili qysh në fillim paralajmëron se qasja ndaj kësaj figure historike, vlerësimi i së cilës edhe sot e gjithë ditën në opinionin e gjerë është kontrovers dhe të shumtën me anatemën e paqëndrueshme “të tradhtarit”, ka të bëjë me kohën në të cilën ka jetuar, duke shtuar se “askush nuk e ka monopolin e të vërtetës”. Mbështetja mbi këtë parim autorin pashmangshëm e ballafaqon me paragjykimet e shumta bardh-zi, të ngritura sa nga historiografia shqiptare me qasje ideologjike e sa nga mosnjohja, po edhe injorimi i burimeve meritore me të cilat do të mund të thyheshin stereotipat politike me të cilat Esat Pashtë Toptani si ushtarak, politikan dhe burrështetas i njohur me shumë fuqi dhe ndikim i kohës së shtet ndërtimit shqiptar dhe krrajateve që e përcollën atë, është dashtë të shihej vetëm “tradhtar”, paçka se ai ka marrë pjesë në një zhvillim historik tepër kompleks, kur shteti shqiptar ishte në formim e sipër, dhe se ky proces me shumë kurthe, me shumë lojëra e lojtarë, përfshinte aktorë të shumtë nga elita e asokohshme politike shqiptare, që kryenin shërbime të ndryshme ndër më të rëndat, herë nga bindja, e herë pse atë detyrimisht e kërkonin nevojat që i duheshin vendit për të shkuar aty ku duhej.

Natyrisht se ballafaqimi i Ikonomit me Toptanin, i parë në kohën në të cilën ka jetuar si dhe zhvillimet historike nëpër të cilat ka kaluar, në njërën anë nxjerr në pah një figurë historike të ushtarakut veprues me fuqi të madhe pas, të politikanit të pakapërcyeshëm dhe njëherësh qeveritarit dhe të diplomatit aktiv ndër më komplekset, me të cilin lidhet rrugëtimi i shtetit shqiptar me gjithë ato telashe dhe drama të mëdha që e kanë përcjellë nga shfaqja e deri te akti kur atij përfundimisht, në Konferencën e Paqes në Paris, do t’i njihet ekzistenca ndërkombëtare në përmasat që ia caktoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës. Ndërsa në tjetrën anë, nxjerr në pah shumësinë e faktorëve të tjerë, nga brenda dhe nga jashtë, veçmas ata social, kulturorë në formën e një amalgame absurd politik, që kanë ndikuar këtë zhvillim si dhe rolin e tyre në të, që Toptanin e kthejnë në një referencë të pazëvendësueshme të ushtarakut, të politikanit dhe të një diplomati, i cili, në skenën e madhe diplomatike dhe politike, ku çështja shqiptare, të shumtën, bartej si një plaçkë për kusuritje midis fuqive të mëdha të kohës, në saje të ndikimit në vend si feudal dhe të fuqisë ushtarake (kishte nën armë mbi dhjetë mijë përkrahës), shfaqej i pashmangshëm, qoftë kur ai ishte i nevojshëm (për dike) dhe duhej të shfrytëzohej, qoftë kur shihej i rrezikshëm (për dike) dhe duhej të eliminohej, siç do të ndodhë në të vërtetë edhe me vrasjen e tij në Paris. Shikuar nga këndvështrimi i dokumenteve relevante të kohës, shumë prej të cilave Ikonomi i shfrytëzon me objektivitetin e duhur dhe jo rrallë dhe qëllimisht duke i lidhur edhe me aktualitetin, ndërsa disa prej tyre qëllimisht të anashkaluar ose të injoruara, i nxjerr në pah për herë të parë, (Memorandumin Konferencës së Paqes, takimin me presidentin amerikan Uilson si dhe letrën dërguar atij dhe takimet e shumta me burrështetasit e fuqive të mëdha e të tjera të kësaj natyre), Esat Pshë Toptani shfaqet një lojtar i pandalshëm, tepër i shkathtë, tepër i vendosur, i gatshëm për kompromise dhe lojëra ndër më të ndryshmet, ku madje edhe ajo që shumë herë është vlerësuar “ambicie e shfrenuara për pushtet”, qoftë edhe në dëm të shtetit shqiptar e të ngjashme, del si pjesë e pragmatizmit të pashmangshëm politik , ku natyrisht se shteti kthehet në një dividendë pa të cilin nuk mund të ketë fuqi.

Por, gjithnjë në përputhje me dokumentet që trajton Ikonomi si dhe qasjen ndaj tyre “ku nuk ka tradhtarë dhe heronj”, sidomos të atyre që mund të merren “si kapitale” (Memorandumi Konferencës së Paqes, ku kërkohej të rikthehen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe takimi me presidentin amerikan Ulon në Paris, ku kërkohej që shteti shqiptar, për t’u nxjerrë nga kthetrat e traktateve të fshehta, siç ishte ai i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshja Itali-Greqi për ndarje në Shqipërisë në dy pjesë, duhej të kthehej nën administrimin e fuqive të mëdha, në të cilën fjalën kryesore do ta kenë SHBA-të ), del një Esad Pashë Toptan ndryshe nga hipotekat e rënda “të tradhtarit”, me të cilat kuturu është ngarkuar historiografia ideologjike dhe në përgjithësi politika inerte shqiptare e kohës, hipoteka këto që pastaj kanë ushqyer edhe bindjet dhe veprimet revolucionare aq tragjike për vetë shqiptarët, që do ta kthejnë kah sfera lindore. Pamja “ndryshe” e Toptanit, në të vërtetë, demistifikon edhe shabllonet e deritanishme ku ai përshkruhet “injorant”, “fodull”, “anadollak” , “vrasës” dhe çmos, edhe pse ato demantohen nga rivalet e tij politik kur për ta diskredituar cilësohet “si ngatërrestar perfid”, “intrigant i pashoq”, “dinak” dhe të ndryshme, që nuk mund t’i ketë torollaku… Në dokumentet që lidhen me kohën e Konferencën e Paqes dhe ato që i paraprinë asaj (fitorja e Antantës), Toptani shfaqet si lojtar i shkathtë dhe tejet mendjemprehtë, i cili kërkon që fati i Shqipërisë të trajtohet në përputhje me pjesëmarrjen në anën e aleatëve, pra të shpërblehet në vend se të kthehet në plaçkë, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Londrës dhe ato të mëvonshmet midis Italisë dhe Mbretërisë Jugosllave. Duket paksa absurde, por gjithnjë sipas dokumenteve që trajton Ikonomi, vërtetësia e të cilave është e justifikueshme, në kohën kur delegacioni i qeveris së Durrësit me Turhan Pashën në krye, i sajuar nga italianët, në Paris nuk bënte tjetër pos që luante lojën e italianëve, ai, nga presidenti amerikan, gjatë takimit me të, kërkonte që Shqipëria të vihej nën mbikëqyrje ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e amerikanëve në Komision. Gjithnjë sipas këtyre dokumenteve, edhe në takimet e veçanta me kryetarët e fuqive të mëdha të kohës (Francës, Anglisë dhe të Italisë), Toptani luftonte edhe projektet antihistorike xhonturke dhe ato austro hungarezë për rikthimin e një Shqipërie Osmane, që u shfaqen gjatë Luftës së Parë Botërore, duke theksuar se “shqiptarët njëherë e përgjithmonë kishin hequr qafe pushtimin osman”. Ndonëse Ikonomi, me të drejtë, i ka kushtuar rëndësi të madhe raporteve të Toptanit me Italinë, Serbinë më vonë me mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, atyre me Francën, po edhe me Greqinë dhe faktorët tjerë të lidhur për fatin e saj në ato rrethana), duke u përpjekur që ambiciet e tij politike dhe ato për pushtet t’i fokusojë te përcaktimi që ai midis Italisë dhe Beogradit të zgjedh këtë të fundit “si mbrojtës të Shqipërisë”, përcaktim ky, që si do të shihet, do të jetë vendimtar që ai të eliminohet edhe fizikisht në Paris madje me hipotekën e tradhtisë, megjithatë fundi i tij tragjik, më tepër del si pasojë që nga skena politike shqiptare të përjashtohet njëri nga lojtarët kyç, më të zhdërvjelltë dhe më me ndikim në vend, nga frika se ai herdokur mund të dëmtonte planet italiane në Shqipëri dhe rajon duke futur në lojë kartën e Beogradit ndaj të cilës, nga ndikimi italian dhe ai grek, me mosbesim shikohej edhe nga fuqitë e përçara të Antantës. Por, edhe përkundër kësaj, karta e ndikimit të Beogradit në politikën shqiptare nuk do të eliminohet. Si do të shihet, me rastin e Ahmet Zogut e deri te Enver Hoxha, politika shqiptare jo vetëm që nuk do të lirohet prej saj, por ajo do t’ua përcaktojë kahun zhvillimeve tragjike nëpër të cilat do të kalojë shteti shqiptar, por edhe shqiptarët në përgjithësi për thuaja një shekull…

Kështu, Esat Pashë Toptani, pasi që kishte parë se në ato rrethana të kusuritjeve midis faktorëve të jashtëm, Shqipëria deri te shkalla e konsolidimit si shtet, doemos duhej të kalonte nëpër tutelën e huaj dhe se kjo mund t’i kthehej në kob po qe se nuk do të veprohej me mençuri e pse jo edhe dredhi ndër më të ndryshmet, kishte bindjen se fati i Shqipërisë dhe Shqiptarëve duhej të lidhej me Beogradin, çështje këtë që asnjëherë nuk e mohoi dhe as nuk e fshehu bashkë me ato që duhej t’i kishte si çmim. Edhe pse ky pragmatizëm politik atë e ktheu në “tradhtar”, megjithatë, lidhja e politikës shqiptare me Beogradin dhe vasaliteti ndaj tij, jo vetëm që nuk u përjashtua, por ndodhi që në të gjitha fazat e mëtutjeshme të rrugëtimit të shtetit shqiptar, nga ato monarkike dhe ideologjike, Serbinë dhe Jugosllavinë e pati si referencë dhe mentor madje.

Ndaj, libri i Ikonomit, mund të duket paksa “ndryshe”, jo pse Toptanit ia heq hipotekën e “njeriut të Beogradit”, të kthyer në kredo politike “të shpëtimit të Shqipërisë”, që si fakt politik nuk do të lejohej assesi nga italianët dhe aleatët e tyre, të cilët objektivisht qëndrojnë pas atentatit në Paris, por pse atë e kthen në pararendës të politikanëve shqiptarë (nga Zogu e deri te Enver Hoxha), që nuk do të vonojë dhe praktikisht shtetin shqiptar e kthyen nën tutelën e Beogradit, me marrëveshje politike tejet të dëmshme për Shqipërinë dhe Shqiptarët, pa u anatemuar “për tradhtarë”!

Si i tillë, libri i Ikonomit, është i veçantë, i dobishëm politikisht dhe meriton vëmendje të madhe, ngaqë, formula e njohur e “esadizmit”, si “kod tradhtie”, në raportet me Beogradin, demistifikohet në “pragmatizëm politik” edhe në rrethanat kur politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë Perëndimi ia përcakton sjelljet dhe kufijtë…

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.