Zhvendosje në perspektivat ideologjike: Ballkani dhe konteksti global

Selim Ibraimi- Teksa i afrohemi fundit të vitit, me një potencial të lartë për të vazhduar luftërat edhe në vitin 2025, ngritja e ideologjive të kohëve moderne dhe atyre të shekullit të 20-të mund të jetë një tjetër problem jo vetëm për BE-në, Evropën Lindore dhe Ballkanin. Ndërkohë që BE-ja ka miratuar planet e shteteve të Ballkanit-së për reforma, që është një shenjë e mirë, në demokracitë perëndimore dhe ato në zhvillim, po ndodh diçka tjetër.

Shqetësimet janë reale që edhe në demokracitë e zhvilluara pas luftërave të shekullit 20 dhe 21, po rigjallërohen ideologji ekstreme me potencial për të shkaktuar ndarje dhe konflikte të reja. Ideologjitë e reja në zhvillim kanë qenë një nga shqetësimet kryesore të qeverive të demokracive perëndimore dhe atyre në zhvillim. Le të jemi më konkretë përsa i përket ideologjive të reja apo të vjetra që disa vende po përpiqen t’i vënë në veprim.

Bazuar në interpretimin e fjalorëve botërorë, “fashizmi dhe nazizmi shpesh konsiderohen të njëjtat ose të paktën i referohen të njëjtës ideologji”. Kjo edhe pse të dyja janë ideologji totalitare, janë të lidhura ngushtë në dizajn dhe të dyja dolën pas Luftës së Parë Botërore. Për sa i përket komunizmit, ajo është “një ideologji politike, sociale dhe ekonomike që synon të krijojë një shoqëri pa klasa me pronësi kolektive të mjeteve të prodhimit”.

Por, “komunizmi stalinist” i quajtur i tillë sepse devijoi nga koncepti i Leon Trockit pas vdekjes së Leninit, nuk ka të bëjë fare me komunizmin që si teori e ndërtuan shumë më herët Engelsi dhe Marksi. Kur jemi tek nacionalizmi, fjalorët botërorë e shohin si “një ideologji moderne që thekson besnikërinë dhe përkushtimin ndaj shtetit-komb mbi interesat e tjera”.

Ndërsa për shovinizmin që e kemi dëgjuar shumë më pak, por është në aksion viteve të fundit në Ballkan, i referohet “patriotizmit të tepruar ose të verbër, ose një qëndrimi superior ndaj të tjerëve”. Për radikalizmin, terrorizmin dhe ekstremizmin kemi shkruar vite më parë. Lista e ideologjive mund të jetë më e gjatë, por ne do të ndalemi këtu, dhe do të vazhdojmë me diskutimin rreth disa ideologjive që kanë marrë forma të tjera, por në thelb mbeten të njëjta e që është baza e artikullit tonë.

Vendet nga Lindja në Perëndim janë tronditur nga forcat e brendshme ideologjike dhe ndonjëherë nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe nga vjen. Koha e paqes së përhershme si duket nuk ekziston, sepse partitë e krahut të djathtë po fitojnë pozicione prej SHBA- së, BE-së dhe deri në Ballkan. Rënia e institucioneve demokratike në shumicën e vendeve për të adresuar çështjet e hapura, ka qenë shtytësi kryesor që ka luajtur rol qendrorë në forcimin e ideologjive.

Gjithashtu, çështjet e pazgjidhura të së kaluarës etnike dhe territoriale vazhdojnë të luajnë një rol shtesë në ideologjitë e sotme në zhvillim. Në funksion të zbatimit të ideologjive janë partitë politike, grupimet, individët, dhe në qendër po ashtu në fund është shteti. Sidomos në Ballkan në këto kohë është promovuar edhe shovinizmi ku zhvlerësimet etnike në lojë mund të bëhen një gjë e madhe në vitet e ardhshme.

Në këtë kontekst, e kaluara ka luajtur një rol kryesorë në ndryshimin e qëndrimit ndaj grupeve të tjera etnike dhe shteteve si p.sh konflikti Rusi-Ukrainë,  ai Serbi-Kosovë, dhe sigurisht këtu bën pjesë edhe “lufta” e Maqedonisë së Veriut për t’u përshtatur në politikën rajonale e cila ka rezultuar të jetë jo tepër e efektshme.

Përveç shqetësimeve me fqinjtë ku në disa momente janë zbatuar taktika të nacionalizmit, në planin e brendshëm ku marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të brishta, qeveritë në Shkup pa lënë anësh këtu edhe disa forca radikale, gjithnjë kanë ndërmarrë masa për të hequr ligjet që garantojnë barazinë etnike.

Eksperimentet në rrugëtimin e shteteve të Ballkanit drejt BE-së në këtë kohë të keqe, mund të kenë efekte shkatërruese. Dhe jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në shtetet tjera të rajonit me ambicie të tilla. Në aspektin global, gjithmonë duhet të kemi parasysh se edhe në SHBA, BE dhe në shtetet tjera të botës janë të pranishme ideologjitë e superioritetit, nacionalizmit dhe formave të tjera të shprehura në ligje dhe në institucione.

Prandaj ndërsa shoqëritë po evoluojnë bashkë me teknologjitë moderne, ideologjitë së bashku me dezinformimin, do të jenë pjesë e jetës sonë. P.sh. në SHBA në kohën e fushatës parazgjedhore, ish-presidenti (kandidati aktual republikan) D. Tramp u përfshi në një farë mase me qeverinë federale dhe zv. Presidenten (kandidaten demokrate) K. Harris në debate të nxehta për rolin e qeverisë në krizën aktuale në shtetin e Floridës. Shembuj të tillë mund të marrim nga të gjitha shtetet qofshin me demokraci të zhvilluar dhe në zhvillim.

Në këtë kohë, nuk ka shtet që mund të shmang në një farë mase ideologjitë dhe praktikat e këqija të lartpërmendura. Është në kufijtë e njerëzve të zgjuar brenda dhe jashtë të mendojnë për atë që është në interesin më të mirë. Shmangia e ideologjive të tilla do të jetë shumë e vështirë ashtu siç e kam shpjeguar më lart.

Do të kërkojë shumë përpjekje dhe plane për të kaluar epokën e shovinizmit, ambicieve për territore, dhe në fund dobësimin në një farë mënyre të forcave radikale që kërkojnë telashe gjetkë, e në veçanti, në shtetet e BE-së dhe në Ballkan pa përmendur ish- vendet e Bashkimit Sovjetik.

Në fund të fundit, duhet të pranojmë se historikisht kombet dhe grupet e tjera të pakënaqura kanë promovuar praktika dhe politika të ndryshme. Edhe pse shoqëritë do të përpiqen t’i luftojnë dhe të mbrohen prej disa ideologjive të lartëpërmendura, do të jetë një detyrë e vështirë. Shekulli 21 nuk dallon aq shumë përsa i përket ideologjive në veprim dhe formave të tjera të propagandës. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët: të shkatërrojnë të vërtetën dhe të sjellin realitete të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.