Inteligjenca amerikane: Një vështrim më i afërt mbi çështjet e Ballkanit

Selim Ibraimi- Drejtori i CIA-s Uilliam Burns ka vizituar tre shtete të Ballkanit, Bosnjën, Serbinë dhe Kosovën, në kohë të pasigurta dhe shumë të vështira për diplomacinë amerikane. Ditë më parë Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge e vizitoi Kosovën duke i paraprirë takimit të fundit të drejtorit të CIA-s në Kosovë. Shqetësimet kryesore janë të përbashkëta, siguria dhe Ura e Ibrit në Mitrovicë si simbolikë dhe arsye për një tjetër rrëmujë nga serbët, Serbia e shqetësime të reja për bashkësinë ndërkombëtare.

Në kohën e luftës në Ukrainë, telashet në Bosnje nga lideri separatist Millorad Dodik, dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, mund të konsiderohen se janë arsyeja për një vizitë në kohë të duhur të Burns-it. Për të ulur tensionet e brendshme fillimisht, dhe për të kontrolluar aktorët aktivë të cilët pa diskutim janë pjesë e luftës hibride në Bosnje dhe Kosovë. Tema kryesore pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës ka qenë hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Nuk ka asnjë dilemë se vizita e Burns-it është një tregues i vazhdimit të interesit të SHBA-së për këtë pjesë të Evropës me një dinamikë tjetër si hapa parandalues kundër Kinës, natyrisht dhe përfaqësuesve rusë në Ballkan.

Duke qenë se vizita e tij kanë qenë e fokusuar fillimisht në tre shtete me tensione në rritje, veçanërisht në Bosnjë dhe në Kosovë dhe në Serbi si gjeneratorë kryesorë krizash, SHBA-të këtë herë po bëjnë gjënë e duhur dhe mund të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme të rajonit. Në interpretime të tjera, koordinimi në fushën e inteligjencës do t’i ndihmojë Kosovës dhe SHBA-së pavarësisht çështjeve që kanë pikëpamje të ndryshme, si dhe do ta sigurojë Bosnjën për kërcënimet aktuale. Për Serbinë është një shenjë e interesit të përhershëm të politikës amerikane që Beogradi të mbyllë marrëdhëniet me regjimin aktual në Rusi, të reduktojë teknologjinë nga Kina, dhe të rishikojë marrëdhëniet me Iranin.

Nga këndvështrimi diplomatik e strategjik, një koordinim më i mirë në mes SHBA-së dhe aleatëve në fushën e inteligjencës, SHBA-së dhe partnerëve do t’iu siguronte informacione më të shpejta dhe të detajuara rreth aktiviteteve të individëve, grupeve të caktuara dhe qeverive në rajon. Historikisht ka pasur një ndërthurje në mes diplomacisë dhe inteligjencës. Në etapa të ndryshme kohore që nga antikiteti e deri në shekullin e 17, këto dy funksione kryheshin nga të njëjtit zyrtarë. Aty pas Paqes së Vestfalisë, 1648 u krijuan kushte që diplomacia dhe inteligjenca tu nënshtroheshin kodeve si kusht për të funksionuar në Evropën e re. Andaj veprimet e fundit të SHBA-së duhet parë në drejtim të aksioneve të hershme diplomatike dhe inteligjente për të parandaluar aksione nga armiqtë. Dhe njëkohësisht duke u bërë të qartë qeverive aktuale për nevojën e një koordinimi me SHBA-të në inteligjencë dhe politikë para se të ndërmerren aksione nga shtetet aleate.

Kur ende Pakti Robentrof-Moltov i 23 gushtit 1939 midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, është i freskët për evropianët, për SHBA-të shërben si motiv tjetër të shtyjë disa procese duke treguar se nuk e kanë humbur interesin për Evropën dhe Ballkanin. Disa mund ta interpretojnë vizitën e fundit të Burns-it si normale dhe shumë informative, por në kuptimin gjeopolitik, ajo ka rëndësinë dhe vlerën e saj kur flasim për Serbinë, si qendër e ekonomisë, ushtrisë, teknologjisë dhe shteteve të tjera që janë nën kërcënim të përhershëm nga politika dhe ambicia serbe. Nga deklaratat e fundit të zyrtarëve të SHBA-së, shihet se Uashingtoni është i interesuar për Ballkanin. Koordinimi ndërmjet inteligjencës dhe diplomacisë mund të ndryshojë Uashingtonin në hapat e ardhshëm drejt Ballkanit që të formulojë politika më të mira dhe efektive.

Nga ana tjetër, vizita mund të kishte shërbyer si një mënyrë për të shtrënguar liderët aktual të rajonit. Megjithatë, hapat janë të mirë dhe në kohë me ngjarje të tjera të cilat janë aktive në Ballkan. Se çfarë është biseduar gjatë takimeve të drejtorit të CIA-s, do të duhet ta shohim në javët në vijim, me veprimet e tre shteteve të Ballkanit. Siç e dimë, është shumë e vështirë të gjykosh një ngjarje pa informacion, dhe kur ajo ngjarje e ka fshehtësinë e vet për shkak të kufizimit të informacionit. Deri më tani SHBA-ja po kombinon inteligjencën dhe diplomacinë, ndërsa Burns-i është vetëm pjesë e një misioni më të gjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.