Selim Ibraimi- Në një botë të trazuar, procesi i vendimmarrjes politike paraqitet i ndërlikuar në disa nivele. Në nivelin lokal dhe kombëtar, lidershipi duhet të tregojë disa aftësi dhe veprime të duhura. Siç theksoi Nikolo Makiaveli pesëqind vjet më parë, një sundimtar duhet të jetë në gjendje të posedoj disa tipare për të qeverisur: atë të dhelprës, të luanit dhe më i rëndësishmi të jetë i rrethuar nga njerëz të mençur.
Në kohët moderne ky koncept bëhet edhe më i vlefshëm, pasi historia e lidershipit mund të bëhet një tregim në vete nëse pushteti i një burrështetasi vendoset në kontekst historik. Dhe pikërisht i gjithë tregimi politik rreth lidershipit ka të bëjë me një garë të përhershme në mes virtytit, zgjuarsisë dhe fatit të liderishipit në çështjet ndërkombëtare dhe të brendshme. Kur jemi tek Makiaveli, dhe mësimet që mund një burrështetas të nxjerrë nga përvoja e tij si ish këshilltarë dhe diplomat në Firencë, më mirë është t’i referohemi botimit “Diskurset”, ku aty Makiaveli hedh dritë mbi ndërveprimet e ndërlikuara të variablave të politikës kombëtare dhe ndërkombëtare, duke treguar kufijtë e marrëveshjeve të rëndësishme që mund të arrihen gjatë negociatave.
Rastet që Makiaveli i paraqet në këtë botim, kanë ngjajshmëri në përgjithësi me marrëveshjet që i nënshkruajnë qeveritë e shteteve, e në kontekst historik janë të natyrës së njëjtë të nënshkruara nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova viteve të fundit me fqinjët, të arritura në rrethana gjithnjë të së mundshmes. Pavarësisht prej opsioneve të
trajtuara nga politika e brendshme (se Shkupi dhe Prishtina zyrtare kanë mundur të bëjnë më shumë), realiteti tregon se ka qenë e pamundur të dyja qeveritë të nxjerrin më shumë nga marrëveshjet, për arsye të kufizimeve dhe
variablave në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare. Po këtu, Makiaveli i kushton një vëmendje ”psikologjisë dhe metodave të udhëheqësve.” Kësaj çështje Makiaveli i ka kushtuar një rëndësi të posaçme, duke vënë theksin në
ndërtimin e një sundimtari politik që gjithnjë është në kërkim të sigurisë dhe mbrojtjes.
Kështu nga mesjeta apo nga ngjarjet politike që shënuan apo patën ndikim në atë kohë, për lidershipin e kohëve moderne e në veçanti të Ballkanit paraqesin shembuj solid për punët e brendshme dhe të jashtme. Për shembull, për lexuesit tanë, përsëri mund t’i sjellim rastin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si raste klasike se si udhëheqja politike duhet të “lundrojë” në çështjet komplekse të brendshme dhe ndërkombëtare. Jo vetëm për këta dy shtete, por nga porositë e Makiavelit shumë shtete që nuk kanë kapacitete në politikën ndërkombëtare mund të përfitojnë shumë.
Në Maqedoninë e Veriut, liderët aktualë do të testohen në disa fusha përshkak të kufizimeve në politikën e jashtme, veçanërisht do të testohen me shtetet tjera aty ku qeveria e Shkupit zyrtarë ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshjet mund të bëhen çështje të politikës së brendshme, por me shtetet nënshkruese që kanë zë në institucionet ndërkombëtare, aksionet e tilla do të jenë të kota. Por, për qëllime dhe konsum të brendshëm, liderët përpiqen t’i tregojnë muskujt, por në të vërtetë nuk kanë as forcë dhe as diplomaci. Andaj, duke i pasur parasysh variablat kufizuese në politikën e jashtme, dhe në politikën ndërkombëtare, qeveritë pavarësisht prirjeve për të bërë më shumë prej qeverive paraprake, në një farë mase, në situata të ndryshme përpiqen të trajtojnë çështje në kushte të njëjta të brendshme, por jo në rrethana të njëjta globale. Duhet shtuar se jo gjithmonë një zyrtarë qeveritarë apo një burrështetas mund të aplikojë politika të njëjta në punët e jashtme me shtetet e tjera, pasi rastet mund të kenë paraqitje të njëjtë, por problemet mund të kenë rrënjë të ndryshme.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të vendoset nën presion të brendshëm që të rinegociojë Marrëveshjen e Prespës dhe çështjen bullgare. Megjithatë e gjithë loja mund të përfundojë me të njëjtat rezultate e me humbje kohe. Dinamikat në politikën ndërkombëtare kërkojnë burrështetas pikërisht ashtu siç Makiaveli i ka përshkruar në botimet e para pesë shekujve.
Andaj nuk janë të kota porositë amerikano-franceze rreth politikës së jashtme që duhet të ndjekë qeveria e re e Maqedonisë së Veriut apo të tjerat në rajon. Në fund, gjithnjë është mirë t’iu referohemi ngjarjeve historike si shembuj më të mirë për sjelljet e sotme të udhëheqësve politikë në çështjet e brendshme e të jashtme.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.