BDI, kancer malinje i shoqërisë shqiptare në MV

Nga Ramazan Bekteshi, Uashington- Në MV, shqiptarëve nuk u duhet Kryeparlamentar kukull, as Kryeministër i përkohshëm, as President fiktiv, as Ministër i Punëve të Jashtme që jep deklaratë për Banjskën si të ishte një sllovak, apo kur mashtron se ‘MV është mozaik i komuniteteve të barabarta’, as Zëvendës-Kryeministër i MV që me deklarata e me Ballkanin e Hapur është më afër Serbisë, as Ministër i arsimit që s’është në gjendje që shqiptarëve t’ua siguroj shkollimin në gjuhën amtare as aty ku mësimi është i obligueshëm.

Shqiptarët duhet të luftojnë për përfaqësim politik proporcional në të gjitha sferat institucionale e jo vetëm të mbajnë tre-katër pozita vasale në majë të pushtetit, duke u krekos me këto pozita, por në fakt duke e lënë popullin të deprimuar nga shumë liri e nën hije të një demokracie fiktive tani e me dekada. Shqiptarëve u duhet barabarësi, të drejta dhe liri kombëtare e njerëzore, e drejta për gjuhë dhe njohje etnike e kulturore autoktone, që janë standarde evropiane por që fatkeqësisht atyre vazhdojnë tu cenohen.

Përfaqësuesit tanë, që ne i votojmë ia kanë ngritur namin MV në sy të botës, se gjoja shqiptarët kanë përfaqësim dinjitar të etnive, por e vërteta është tjetër fare. BDI është bë mishërim i një grupi të vogël budallenjsh që riciklohen nëpër pozita për profite, e të korruptuar skajshmërish me direktiva të liderit, që paradoksalisht Maqedonasit i tolerojnë në këmbim të mbylljes së gojës për më shumë kërkesa kombëtare.

Me BDI në pushtet, kanë pushuar avancimet e të drejtave dhe lirive kombëtare, është zbeh guximi për kërkesa të reja legjitime që u mungojnë shqiptareve. BDI, e degradoi Marrëveshjen e Ohrit, e dogji për xhepin e vet. BDI është parti e shantazhuar, një vasale që i shiti interesat kombëtare për para, privilegje e punë të liga. BDI e shuajti grupin e zjarrit me lehtësi sepse ua kishte zënë bishtin, por, sa do të mund ta shuaj mllefin gjithë popullor të grumbulluar me dekada.

Me liderët e BDI-së, me Ramën dhe Abazoviqin, më shumë përfitoi Ballkani i hapur i Vuçiqit se Kosova jonë martire. BDI është nëma që i shoqëron shqiptarët, një nëmë e moçme, që shqiptarëve u shkakton braktisjen e vendit në heshtje dhe pa u ndal, BDI-a është kanceri shoqërisë shqiptare.

BDI, tani me tre universitete në vend nën kontroll me kuadrat e saja nxjerr kuadro të paafta të partisë duke i katapultuar në pozitat e prokurorit, gjyqtarit, drejtorit, por jo vetëm me kaq, ajo fabrikon diploma fiktive për profit, derisa shkollat nëpër fshatra çdo vit po mbyllen në formë serike.

Për BDI-në tenderomania ka qenë prioritet për t’i pasuruar bosët e partisë dhe familjet e tyre, por, duke i shkatërruar bizneset familjare të njerëzve të pa kapur. Për hire të këtyre interesave vetanake u sakrifikuan investimet e mirëfillta në viset shqiptare për vite me radhë.

BDI, një lakmitare me oreks të pangopur, i përvetësoi të mirat materiale dhe financiare pa fije turpi. I vodhën burimet ujore, energjetike, minerale, u shkatërruan pyjet, u privatizuan dhe u shkatërruan ndërmarrjet me qëllim të eliminimit të konkurrencës së denje për interesa të veta.

Gjatë sundimit të BDI-së mungojnë tekstet shkollore shqipe, dhe nëse botohet ndonjë tekst i përkthyer nga autor maqedonas, aty gjen plot fyerje raciste antishqiptare. Përdorimi i shqipes është shndërruar në një betejë të pafund, ajo përdoret aty ku shqiptarët janë 20%, derisa aty ku janë më pak është e ndaluar.

Me BDI-në në pushtet lulëzoi hapja e bastoreve të bixhozit në viset shqiptare, u hapën fabrikat për kultivimin e kanabisit gjoja për qëllime mjekësore, dhe në këto dy biznese bdistët janë hisedarë s’bashku me partnerët maqedonas në koalicion. Për BDI-në decentralizimi diskriminues për shqiptarët në MV sikur nuk çon peshë, derisa të drejtat e të burgosurëve shqiptar janë harruar.

Për BDI-në sikur nuk ka rëndësi dukja e valutës maqedonase, me imazhin e saj të turpshëm, pa asnjë motiv shqiptar dhe vetëm me alfabet cirilik. Megjithate, remitancat, apo dërgesat e diasporës shqiptare janë mjete financiare që e shpëtojnë nga kolapsi ekonominë e Maqedonisë së Veriut, derisa, 20% qëndron si virus pandemik në kushtetutën maqedonase i rezervuar vetëm për shqiptarët. Shqiptarëve nuk u duhen dy-tre poste supreme të rezervuar për partinë që sundon mbi dy dekada në këmbim të vuajtjes kolektive, shqiptarët më në fund duhet të ngrisin zërin që trajtohen me dinjitet, të barabartë e shtet formues, ashtu siç e kërkon realiteti. (@CSSDMacedonia) https://www.facebook.com/ramazan.bekteshi.7