Fasada e realitetit multietnik të Maqedonisë së Veriut


Nga Emir Kurtishi- Kryetari i RMV-së dhe të tjerët i përkasin një brezi që ende i kanë të freskëta ngjarjet e zhvilluara që nga pavarësia e RMV-së, në vitin 1991 e këndej. Çfarë ka ndodhur në atë periudhë kohore nga ajo që kam lexuar, sepse vetë i përkas një brezi të ri dhe ngjarjet e asaj bote nuk i kam përjetuar, mirëpo nuk duhet anashkaluar fakti se shqiptarët në vitin 1991, askush nuk i pyeti për pavarësinë e RMV-së, rrjedhimisht edhe për sjelljen e ligjeve mbi stemën, flamurin dhe himnin shtetëror.

Kam lindur në vitin 1996, relativisht i ri për t’u marrë me këto gjëra, mbase. Si çdo shqiptar i këtij nënqielli, jam lindur me biseda politike të zhvilluara në odat tona. Por, jam lindur edhe me retorikën e njohur shoviniste maqedonase, thirrjeve për dënim ndaj çdo shqiptari që e ka shprehur ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe sado pak e ka ngritur zërin për drejtësi.

Më vjen turp të nderuar, ndonjëherë kur jam i detyruar të lexoj lajme të tilla ditore e të flas prej brenda dhe ta gjej vetën duke e zbrazur këtë shqetësim mbi letrën e bardhë me shkronja të zeza dhe nesër këtë ta lexojë ndonjë shok, mik dhe ndonjë koleg i nderuar maqedonas. Ata që më njohin, kam zhvilluar biseda edhe me ata dhe gjithmonë ua kam thënë se nuk më pengon nacionalizmi juaj, sepse edhe vetë jam nacionalist. Kjo dëshmon se sa e duam kombin tonë. E kush nuk e don kombin e vet!? Por, kur kjo retorikë shndërrohet në shovinizëm, atëherë problemet shfaqen në horizont, kemi problem me tjetrin, kemi mosdurim etnik dhe urrejtje etnike.

Më është bërë “bajat” gjithmonë të flas për statusin e shqiptarit në këtë shtet. Nuk e dini ndonjëherë edhe sa ndjej përtesë. Kanë folur të gjithë që nga viti 1991 e deri më sot. Shumë teza magjistrature e disertacione doktorature janë shkruar e lexuar. E pakuptimtë ndonjëherë më duket kjo betejë e pafund.

Kryetarit të RMV-së e deri te qytetari i thjeshtë maqedonas i them se duhet ta ndjeni shqiptarin e shkretë, siç ju ndjej juve kur Greqia me diplomaci ua ndryshoi emrin e shtetit, deshi për pak t’ua rrezikojë identitetin tuaj brenda natës. Duhet ta ndjeni shqiptarin e shkretë, siç ju ndjej juve kur ju detyron Bullgaria, që t’i fusni bullgarët në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së. Duhet njëherë e mirë ta kuptoni se, shqiptari i këtij shteti gjithmonë ka luftuar për t’u ndjerë i barabartë dhe kjo ka reflektuar në atë që është arritur në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që sot shënohet 22 vjetori i saj. Me këtë dokument edhe njëherë i treguam botës dhe kohës se shqiptarët janë për paqe dhe për ndërtim të përbashkët të këtij shteti, janë për një të ardhme të përbashkët të këtij shteti duke i vënë theks të veçantë integrimit në strukturat euro-atlantike. Ky dokument siç e dini është shëmbëllim i realitetit dhe sjelljes politike të klasës politike maqedonase dhe rezistencës së juaj deri në fund të cilët nuk u pajtuat me përmbajtjen e saj nga frika se po e humbni shtetin e juaj. Por, shteti i juaj, sot me plot gojë thirret dhe e përkrah këtë marrëveshje, megjithëse që 22 vjet çalon në zbatimin e saj.

Filozofi gjerman, Hegeli, thotë se individi i fiton të drejtat e veta (shqiptarët ende nuk i kanë fituar të drejtat e veta!) vetëm kur ai është qytetar i një shteti të mirë. Utopike! Sipas tij, ky lloj shteti arrihet kur mishërohet perfekt shpirti, thelbi i të cilit është liria. Aha, sa e ndjen vetën të lirë shqiptarët atëherë në këtë shtet!? Nëse, supozoj, kjo është barometër për matjen e drejtave dhe lirive të njeriut, atëherë më mirë të mos flas. Pra, të nderuar më lejoni të konstatoj se “shteti juaj multietnik” qenka shtet i dështuar! Shteti juaj dhe imi gjithashtu, gjithmonë ka qenë njerkë për ne. Po, përderisa nuk e ka ndjerë dashurinë dhe luajalitetin shqiptari i thjeshtë dhe i shkretë që lufton për mbijetesë, nuk duhet as ju të pritni të jenë ato lojal ndaj shtetit. Dashurinë dhe solidaritetin tonë të pakursyer e kemi dëshmuar çdo herë kur ka qenë nevoja, por ju nuk e keni vlerësuar. Sot, të gjithë ju, nuk keni të drejtë të flitni për shqiptarin e këtij shteti. Deri sot, keni bërë çfarë keni dashur me të dhe vazhdoni të bëni edhe më. Nuk ka problem, aspak! E kemi dëshmuar me durimin tonë dhe natyrën paqësorën që e kemi. Aha, e di, kur e keni tepruar, me vështirësi, jo me maturi e vërtetë ua kemi treguar vendin se ku e keni. Mendoj, së bashku po angazhohemi për vlera evropiane, ndaj kjo retorikë nuk na ka hije, as mua e as ty. Gjithçka ka një kuptim dhe mirëkuptim. Por, thirrjet e tilla klishe nuk kanë më kuptim. Dënimi i shqiptarit për valvim të flamurit dhe këndim të himnit kombëtar, dëshmon se ky shtet sadoqë synon të integrohet në BE, ende se ka përmbushur parakushtin themelor: ndryshimin e mentalitetit komunisto-jugosllav.

Po nisem nga ajo që e tha ministri juaj, të nderuar se, Albin Kurti nuk vjen si kryeministër. Meqenëse nuk vjen si kryeministër, por për “vizita privato-partiake”, që nënkupton si kryetar partie, por edhe si qytetar i një shteti tjetër, parashtrohet pyetja: pse duheshka të respektohet protokolli dhe ligjet për organizimin e ngjarjeve në prezencë të shtetarëve të vendeve të huaj!? Apo e keni nga inati pse nuk erdhi t’ju takojë juve?

Manifestimi i mbajtur në Tetovë, përfundoi në mënyrë paqësore. Siç e shihni edhe sot është mot i bukur me diell. Këndimi i himnit dhe valvimi i flamurit kombëtar (jo shtetëror) nuk ua rrezikoi shtetin. Por ama, retorika juaj e ka potencialin e duhur t’i elektrizojë ca qarqe në shoqërinë tonë e ta prish kohezionin dhe raportet multietnike. Andaj, kujdes kur shpreheni dhe si shpreheni në publik, sepse nesër mbani përgjegjësi për çdo ndodhi. Nesër është e hënë, prap mund të ulemi së bashku e të pijmë kafe dhe t’i qajmë hallet dhe dertet tona mbi perspektivën evropiane të këtij shteti. https://www.facebook.com/emir.kurtishi.5