Koment nga Selim Ibraimi- Qeveria Zaev -Ahmeti 2 i mbushi 100 ditë. Qindra të vdekur dhe mijëra të sëmurë nga COVID-19, treguan për gjendjen e mjerueshme të sistemit të shëndetësisë maqedonase dhe sistemin aspak social që po ndërtohet në vendin që synon BE-në. Varfëri nga të gjitha anët, Covid-19 i tmerrshmi nxori në pah neglizhencën e autoriteteve qeveritare dhe Komisionit për Sëmundje Ngjitëse për të reaguar në kohë ndaj përhapjes së sëmundjes. Lëshime profesionale dhe vendime të vonshme sollën numër të lartë vdekjesh, duke e rënditur Maqedoninë Veriore si shteti numër 1 në nivel rajonal dhe e 7 në atë evropian.
Qeveria Zaev-Ahmeti 2 me Bullgarinë nuk ja doli. Nuk u treguan patriotë dhe hapja e kapitujve nuk u bë sivjet. Kuadro të vjetra të BDI-së së Ahmetit i cili tashmë ka marë titullin Doctor Honoris Causa, nga koha e Gruevskit vazhdojnë të qëndrojnë në front të politikave të Zaevit, e që votuesit nuk i harrojnë. PDSH nga përvoja në pushtet nuk bën zë, kurse partia tjetër e sub- koalicionit me LSDM-në, Besa vazhdon të drejtohet siç thuhet në opinion nga të “mëdhenjtë”.
Kritikët thonë se edhe përkundër se kjo parti si temë qendrore e ka mbajtur bujqësinë dhe blektorinë, duhani vazhdon të jetë shqetësimi kryesor, kurse bujqjt përsëri ankohen, ndërsa sa i përket rrushit pritet të konsumohet shumë gjatë sezonit dimëror. Ndërhyrja e kryeministrit Zaev në pakënaqësitë e reja për caktimin e çmimit, ishte në kohë të duhur. As hekurudhat nuk kanë pësuar ndryshime. Sinjalizimi vazhdon të jetë problem në disa pika kalimi të sistemit hekurudhor në Maqedoninë Veri -Perëndimore. Parashikimet janë se në zgjedhjet lokale “Besa” pritet të fitojë shumicën e komunave.
Kurse BDI-ja është marrë me diplomaci, zyrtarët e kësaj partie nuk kanë pasur kohë të merren me problemet e votuesëve. Zyrtarë të partisë thonë se kanë bërë parandalimin e largimit të të rinjve drejt BE-së, pasi autoritetet evropiane nuk lejojnë udhëtimin në kohë pandemie. LSDM gjithashtu ka sqaruar se po të mos ishte pandemia pagat do të bëheshin mbi 500 euro. Opozita ASH ka qenë në pushim sezonal, pritet të aktivizohet pas pushimit dimëror. VMRO -ja e Mickovskit ende ka probleme të pastrimit të partisë nga të huajt.
Kjo është qeveria Zaev- Ahmeti 2 me 100 ditë e “hiq” ma shumë dhe padyshim ky refren ma kujton këngën e solistit Fekri Shala nga grupi muzikor TNT “200 ditë e hiq ma pak …” (ISSDMaqedonia- @CSSDMacedonia)