Selim Ibraimi– 1. Serbia kohët e fundit është bërë një aleat i madh amerikan në politikën afatgjate të strategjisë së madhe të shekullit amerikan. Asnjë vend tjetër nuk e ka quajtur këtë vend aq të rëndësishëm dhe qendror për Shtetet e Bashkuara, se sa vetë zyrtarët e administratës amerikane dhe kjo ka të bëjë me planin amerikan për të penguar zgjerimin kinez në Ballkan dhe Evropën Perëndimore.
Nëse Uashingtoni nuk do të vepronte tani, kjo pjesë e Evropës do të pushtohej nga kinezët në pesë vitet e ardhshme, me një rrjet të përparuar teknologjik që do të dëmtonte amerikanët dhe gjermanët së bashku me britanikët. Nëse kjo pjesë e Evropës nuk do të mbrohet nga amerikanët, madje edhe nëse Biden zgjidhet president amerikan, atëherë le të mos befasohemi nga një sferë tjetër e ndikimit kinez dhe rus deri diku në zonën territoriale ish- jugosllave.
Linjat historike ishin dhe janë në të njëjtën zonë, kështu që rënia dhe ngritja e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe parandalimi i zgjerimit kinez do të jenë kryesisht e përqendruar nga SHBA në Ballkan.
2. Ndërsa Serbia ka marrë rolin e shtetit dominues nën presidencën e Trumpit, kombet e tjera të rajonit tani do të varen nga Beogradi për një kohë. Mbetet të shihet pozicioni i Kroacisë dhe marrëdhëniet e tyre me Serbinë në këtë ristrukturim të ri të forcave globale dhe vendosjen e re të forcave ballkanike përballë Kinës dhe Rusisë. Disa shtete të Ballkanit Perëndimor përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë amerikane se nuk do të bëhen pjesë e rrjetit kinez të sigurisë 5-G dhe teknologjisë Huawei.
Huawei është një ofrues kryesor global i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, komunikimit dhe pajisjeve inteligjente me bazë në Shenzhen të Kinës. (I) (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)