Nga DR. Muhamedin Kullashi- Kisha ortodokse ruse, përmes fjalimeve publike të patriarkëve të vet e mbështet agresionin e Putinit mbi Ukrainën. Hulumtuesit e ideologjisë politiko-religjioze të kësaj kishe, vërejtën se arsyetimi i agresionit rus shpaloset edhe me një ideologji antiperëndimore: kritikohen vlerat kulturore dhe politike të shoqërive perëndimore. Agresioni mbi Ukrainën justifikohet në këtë mënyrë, si luftë kundër “forcave të së keqes” të mishëruara në kulturën dhe politikën e vendeve perëndimore. Zëdhënësit e kishës ortodokse ruse e shohin këtë të keqe të shoqërive perëndimore, edhe “në liritë iluzore të inkarnuara në “Gay prides”. Në këtë kritikë shpërfaqet edhe një hipokrizi morale nga që, fenomeni i homoseksualizmit brenda klerit ortodoks është trajtuar aq sa në shkrime të gazetave, poedhe në ato letrare. Disa hulumtuesë kanë vërë në pah aspekte brenda ideologjisë së kishës ortodokse si ato imperialiste, përkatësisht synimet për ripushtimin e vendeve të pavarura, që kanë dalë nga shpërbërja e Bashkimit sovjetik. « Mëkati » i këtyre vendeve nuk qëndron sipas atyre ideologëve vetëm pse janë pavarësuar, por posaçërisht pse ia kanë kthyer shpinën Rusisë dhe janë orientuar kah vlerat kulturoro-politike perëndimore. Kësodore, ajo ideologji kishtare ka ushqyer propagandën e ambicieve pushtuese të Kremlinit (V. Cibotaru) Elozhet mbi Stalinin. Bashkësia e motiveve ideologjike midis pushtetit Putinian dhe Kishës ortodokse ruse u manifestua edhe lidhur me qëndrimin ndaj Stalinit dhe politikës së tij. Emmanuel Grynszpan përkujton se në nëntor të vitit 2015 në një tubim publik Putini dhe « Patriarku i të gjitha Rusive », Kirili jo vetëm që i bënte elozhe Stalinit por kërkoi edhe « që të pushojn kritikat mbi Stalinin meqë ai ka merita të mëdha për modernizimin dhe zhvillimin e vendit. Ndonëse Stalini brenda politikës së vet represive nuk kishte kursyer as klerin e Kishës ortodokse ruse! Andrey Arkhanguelski do të cekë, se me këto deklarata Kirili iu bashkua Putinit jo vetëm në legjitimimin e agresionit mbi Ukrainën por edhe në rivlerësimin e Stalinit, regjimi i të cilit ka mbetur i regjistruar në historinë e njerëzimit me krimet masive mbi miliona qytetarë të Bashkimit Sovjetik. Për rolin e Kishës ortodokse serbe në nxitjen e urrejtjeve ndëretnike në vitet 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, si dhe në mbështetjen e agresioneve dhe krimeve massive të Milosheviçit ndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës si dhe Kosovës, janë dalluar analizat kritike të sociologes beogradase Radmilla Rajiç. Veç tjerash në librin “Kisha dhe çështja serbe’”(Beograd, 1995).

(Facebook)