Koment nga Dr. Selim Ibraimi– Është e vërtetë se BDI-ja mori më shumë vota se partitë tjera ASH-AA dhe BESA, por fitoi vetëm tri komuna. LSDM dobët, dhe në raundin e parë pësoi disfatë nga VMRO-DPMNE. Tani drejtuesit Ali Ahmeti (BDI) dhe Zoran Zaevi (LSDM) janë detyruar të bëjnë koalicion për të shpëtuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Dinamika tregon se LSDM dhe BDI kanë humbur shumë kohë për kozmetikë në qeveri dhe nuk janë marrë me probleme konkrete dhe kjo u vërejt nga fushata programore e kandidatëve. Tani, ata po kërkojnë të rikuperohen nga marrëveshja e fundit, por duke angazhuar njerëz që të merren me propagandë kundër koalicioneve të tjera të partive, BESA, ASH -VMRO etj.
Duhet pranuar se në dy qytetet më të mëdha të vendit në Shkup dhe në Tetovë, Bilall Kasami, Danela Arsovska dhe Arben Taravari në Gostivar, janë prezantuar më mirë se kundër kandidatët e amortizuar dhe i kanë zbërthyer më mirë programet zgjedhore. Gjithashtu duhet thënë se disa nga kandidatët e rinj të BDI-së kanë treguar rezultate të mira dhe kanë treguar njohuri solide për menaxhimin, kulturën e të folurit publik dhe shpjegimin e projekteve. Më e keqja këtu është se ish-profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe me përvojë disavjeçare në qeveri, znj. Teuta Arifi ka munguar në debatet televizive ku vendoset për të ardhmen e kandidatit. Dhe ato që i ka pasur kanë qenë paraqitje shumë të dobëta. Tash së fundi në një debat televiziv znj. Arifi nuk ishte paraqitur në Tetovë përballë kundërshtarit politik Bilall Kasami (Besa). Këtu lindin shumë pyetje se pse Teuta oratorja e madhe e mbrëmjeve të poezisë nuk mund ta përballojë Bilallin, një ekonomist dhe profesor. 31 tetori do të tregojë se kush do të jetë fituesi. Të presim. (26.10.2021), Woodbridge, VA, SHBA.