Përpjekje për të hyrë në qeveri përmes kërcënimeve

Nga Selim Ibraimi- Nga takimi i djeshëm i BDI-së në Reçicë, mund të konstatojmë se kjo parti është e gatshme të negociojë me Mickoskin e VMRO-së në bazë të kritereve të VMRO-së dhe asgjë tjetër. Dëshira për të qenë pjesë e qeverisë së re është e madhe. Duke u thirrur në legjitimitetin zgjedhor, Ahmeti dhe mbështetësit e tij mund të hyjnë në bisedime me Mickoskin pas ndërtesës së bardhë, pavarësisht qëndrimit të VMRO-së se preferojnë VLEN-in. Për “Frontin Evropian”, Ahmeti duhet të bëjë diçka që partitë e vogla dhe individët të mbesin bashkë, me shpresën dhe premtimet se do të jenë pjesë e qeverisë së Mickoskit. Të jemi të qartë këtu, kur një lider ndëshkohet për veprimet e tij dhe është gati të harrojë gjithçka që është thënë gjatë fushatës zgjedhore, atëherë kjo është një shenjë e keqe. Por, fundja më mirë me pak pushtet se qëndrimi jashtë. Takimi që do të organizohet sot nga “Fronti Evropian” në Shkup, me fjalë të tjera është thirrje për VMRO-në që t’i pranojë pa kushte në qeverinë e re. Nuk ju intereson aq integrimi, Bullgaria etj etj., se sa hyrja në qeveri në emër të legjitimitetit dhe kërcënimeve. Dhe më keq, gjatë konferencave të shtypit, tingëllojnë sikur qajnë që t’i marrë Mickoski. Pak mëshirë për të eturit për pushtet! Poashtu pazari i VLEN-it nuk do të jetë i lehtë me Mickoskin. Nëse marrëveshja për qeverisje arrihet, ajo nuk duhet të jetë më e dobët se e BDI-së, me partitë maqedonase gjatë qeverisjeve të kaluara. Pavarësisht toneve kërcënuese, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. LSDM , BDI dhe partitë tjera janë të përcaktuar për paqe dhe larg dhunës ndëretnike. Të shohim nëse zotimet do të mbahen nga drejtuesit e partive, para dhe pas formimit të qeverisë së re.

Për të njëjtën temë, kliko këtu: https://cssd-ngo.org/legjitimiteti-etnik-eshte-vendimtar-per-te-vazhduar-negociatat-per-formimin-e-nje-qeverie-te-re-ne-maqedonine-e-v/