ROLAND GJONI:”PA NJOHJE PAPRAPRAKE NGA SERBIA PROCESI NUK SJELL NDONJË PËRFITIM PËR KOSOVËN”

Intervistë me hulumtuesin e konflikteve ndëretnike Roland Gjoni nga University College Dublin 

Procesi i shkëmbimit të territoreve pa njohje papraprake nga Serbia nuk sjell ndonjë përfitim për Kosovën. Ndërsa rreziku i parë dhe imediat është pezullimi i shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Efekti imediat pritet në Bosnjë ku ka dyshime se Beogradi do ta përdorë hapjen e bisedimeve me Kosovën për të provokuar krizë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë me qëllim që të kalohet në një format ndërkombëtar të ridizajnimit të kufijve thotë në një intervistë ekskluzive për ISSDMaqedonia, eksperti i konflikteve ndëretnike Roland Gjoni nga University College Dublin. 

Ndërsa në Maqedoni efektet mund të mos jenë të menjëhershme por nëse gjatë rrugës kuptohet se korrigjimi ka qenë mashtrimi i radhës i Beogradit nuk përjashtohet mundesia që edhe Maqedonia të përfshihet nga kërkesat për ndryshime territoriale si rrjedhojë e ndryshimit të politikës ndërkombëtare ndaj pandryshueshmërisë së kufijve dhe inkurajimit të zgjidhjeve territoriale për problemet etnike.

ISSD: Z. Gjoni, si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë?

Roland Gjoni: Mendoj se procesi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ka arritur pikën ku Serbia nuk mund të anashkalojë më njohjen e Kosovës. Kjo është arsyeja pse prej kohësh Beogradi është në kërkim të një rrugedalje që e shtyn për një afat të pacaktuar përballjen me çeshtjen thelbësore të konfliktit Kosovë-Serbi, pra njohjen përfundimtare të shtetësisë së Kosovës.

Për rrjedhojë, procesi i këmbimit të territoreve e ka burimin në Beograd dhe është mënyrë për blerje kohe e Beogradit siç ka bërë për 7 vite nga 2011-2018 gjatë dialogut. Nuk përjashtohet mundësia që nivele të caktuara të diplomacisë në Bruksel dhe Uashington të kenë një qasje më të relaksuar dhe më të hapur drejt propozimeve të palëve.

Mirepo, kjo duhet parë si mungesë interesi dhe nevojë urgjente për të gjetur një mënyrë për ta mbyllur këtë kokëçarje dhe jo si një politikë e re dhe e mirëstudiuar e Uashigtonit dhe Brukselit. Kjo për faktin se shkëmbimet e territoreve nuk janë diçka e re, edhe më herët në Procesin e Vjenës të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Ahtisaari janë shkoqitur të gjitha mënyrat për një zgjidhje të pranueshme me pëlqimin e Kosovës dhe Beogradit. Për Beogradin nuk ka qenë kurrë e rëndësishme se me kë do jetë Zubin Potoku apo Leposavici, por ka qenë shumë e rëndësishme si të përdoret veriu për të penguar rrumbullakësimin e shtetësisë së Kosovës.

ISSD: Z.Gjoni, cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës?

Roland Gjoni: Procesi i shkëmbimit të territoreve pa njohje papraprake nga Serbia nuk sjell ndonjë përfitim për Kosovën. Ndërsa rreziku i parë dhe imediat është pezullimi i shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Mos e harrojmë se Kosova nga Marrëveshja e Parë me Serbinë e Prillit 2013 ka marrë vetëm 15 njohje dhe vitet e fundit me pak se 2-3 njohje në vit.

Për shumë shtete, fakti që Kosova pranon që pa njohje të shkojë në biseda për territorin e vetë është konfirmim që nuk duhet të shpejtojnë me njohjen sepse statusi po rihapet dhe mund të ketë zhvillime të paparashikueshme. Përveç kësaj rrezik tjetër është fakti se kohëzgjatja e procesit nuk dihet dhe kjo do ta kthejë Serbinë në një faktor kyç të zhvillimeve në Kosovë edhe për një dekadë tjetër.

ISSD:Z.Gjoni, çfarë impakti mund të këtë ky debat dhe korrigjim siç thuhet për Maqedoninë dhe Bosnjën?

Roland Gjoni: Efekti imediat pritet në Bosnjë ku ka dyshime se Beogradi do ta përdorë hapjen e bisedimeve me Kosovën për të provokuar krizë edhe në Bsonjë dhe Hercegovinë me qëllim që të kalohet në një format ndërkombëtar të ridizajnimit të kufijve.Madje një mënyrë për ta parë këtë proces është si një rikthim i planeve të vjetra të Serbisë për të dominuar Ballkanin duke mbajtur në kontroll Bosnjën dhe Kosovën dhe duke patur ndikim tërthorazi edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi.

Ndërsa në Maqedoni efektet mund të mos jenë të menjëhershme por nëse gjatë rrugës kuptohet se korrigjimi ka qenë mashtrimi i radhës i Beogradit nuk përjashtohet mundesia që edhe Maqedonia të përfshihet nga kërkesat për ndryshime territoriale si rrjedhojë e ndryshimit të politikës ndërkombëtare ndaj pandryshueshmërisë së kufijve dhe inkurajimit të zgjidhjeve territoriale për problemet etnike.Nuk është e thënë që kjo të ndodhë menjëherë por ekziston rreziku latent që të përdoret shembulli i Kosovës edhe në Bosnjë dhe Maqedoni.

ISSD: Z.Gjoni, SHBA –ja dhe BE-ja kanë lëshuar reagime të ndryshme.A ka dalime në linjën Bruksel –Uashington?

Roland Gjoni:E para, mendoj se ka lodhje të diplomacisë ndërkombëtare me çështjen e Kosovës.E dyta, nuk ka qëndrim të formësuar në Uashington dhe në Bruksel për të ardhmen e dialogut.E treta, ka një gatishmëri në rritje në nivele të caktuara funksionarësh në Uashington dhe në Bruksel që të presin propozime për një zgjidhje finale nga palët.Mirëpo, kundërshtimi britanik dhe gjerman tregon se kjo qasje nuk është pa rezistencë në Bruksel.

Vështirësia më e madhe në krijimin e një qëndrimi është se pa njohje të ndërsjelltë, korrigjimi i kufijve kërcënon investimin e tre dekadave në rajonin e Ballkanit dhe askush nuk ka dëshirë të jetë nismëtar i ridizajnimit të kufijve.

Intervistoi: Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSDMaqedonia) 

@ selimIbraimi @CSSDMacedonia

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre.
Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë politikën redaksionale të  ISSDMaqedonia. Ju lutemi, nëse vendosni të botoni materialet tona të institutit, shkruani burimin dhe autorin e analizës.