Home / EU, the Balkans, Eastern Europe/ Russia, Turkey / Mundësitë për përfundimin e një lufte

Mundësitë për përfundimin e një lufte

SELIM IBRAIMI-Lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës shpeshherë na shtynë të mendojmë se si do të përfundojë ky konflikt në mes të Evropës. Për të kuptuar procesin e luftës në tërësi, duhet parë raportin e forcave në terren, përparësitë dhe dobësitë e palëve në luftë. Pasi parashikimet e zakonshme kanë gjasa të mos jenë të sakta dhe të na largojnë nga e vërteta, atëherë e vetmja formë për të parë mundësitë se kur një konflikt mund të marrë fund mbetet aplikimi i “Teorisë së Përfundimit të Luftës”, e cila na lejon të japin disa versione se si mund t’i jepet fund një konflikti të armatosur.

Që nga lashtësia e deri në luftën aktuale ruso-ukrainase, politikanë, drejtues shtetesh, ushtarakë dhe po ashtu publiku kanë qenë dhe janë të interesuar të mësojnë më shumë për të tashmen dhe sidomos për të ardhmen e Rusisë, Ukrainës, Ballkanit dhe në tërësi të raportit të ri të fuqive në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Përfundimi i luftës është një marrëveshje shtrënguese dhe përfundon vetëm kur dy palët ndërvepruese mund të bien dakord për forcën e tyre relative dhe të angazhohen në mënyrë të besueshme për një zgjidhje”- thonë autorët Goemans, Stanley dhe Savyer, në botimin e tyre “Barazia e përfundimit të luftës: Shtigje të shumta për t’i dhënë fund luftës”. Gjenerali dhe strategu prusian Carl von Clausevitz (1780-1831), sugjeronte se “nëse dëshironi të tejkaloni armikun tuaj, ju duhet të përputheni me përpjekjet tuaja kundër fuqisë së tij të rezistencës”.

Sipas tij po ashtu armiku mund të bëjë të njëjtën gjë, konkurrenca do të rezultojë që të dyja palët të shkojnë në ekstrem. Studimi i konceptit teorik të përfundimit të luftës, mbetet e vetmja rrugë për ekspertët, ndërmjetësuesit dhe aktorët e interesuar për një paqe të qëndrueshme. Dhe natyrisht si proces në tërësi, analiza e zhvillimit të luftërave gjatë dy shekujve të fundit, është injoruar nga politikanët radikalë, që gjithnjë janë të interesuar për luftë dhe gjetje të mundësive për përfitime më të mëdha duke e zgjatur një konflikt apo mosmarrëveshje.

Sot në teorinë e zgjidhjes së konflikteve dhe menaxhimit të tyre ekzistojnë katër pikëpamje kryesore. E para, thotë se luftërat marrin fund si rezultat i një procesi të bisedimeve ndërmjet shteteve. Sipas kësaj pikëpamje modeli ekonomik mbi luftën është mjaft i rëndësishëm për të parë se kur një konflikt do të përfundojë. E dyta, ka të bëjë me dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe interesat e sigurisë së një kombi apo kombeve për t’i dhënë fund pjesëmarrjes në një luftë.

Pikëpamja e tretë është më e rëndësishme në rastin tonë, pasi lidhet me presionin e brendshëm politik, strategjinë ushtarake të shtetit dhe sigurisht mbështetjen publike për vazhdimin apo jo të luftës. Teoria e fundit (III) është e ngjashme me luftën e Rusisë në Ukrainë, dështimin në strategji, mungesën e organizimit, modernizimit të ushtrisë, vullnetit të ultë të ushtarëve rusë dhe sigurisht mbështetjes së ultë publike për luftën nga vetë rusët.

Historikisht që nga Revolucioni i Tetorit i vitit 1917, ushtria e BRSS-së nuk është reformuar. Organizimi i Ushtrisë së Kuqe në atë kohë iu besua Leon Trockit, i cili e shihte këtë transformim si një rehabilitim të plotë të forcave të armatosura ruse. Edhe Ukraina si pjesë e BRSS-së deri në vitin 1991 ka pasur të njëjtin model të organizimit të forcave të armatosura.

Shpërthimi i luftës në shkurt të 2022-ës ia ka rritur gjasat Kievit për tu pavarësuar nga ndikimi rus dhe sigurisht sulmet e ushtrisë ukrainase me mbështetjen e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe do të ndryshojë fuqinë e blloqeve  rivale të përfshira në Ukrainë.

Duke u nisur nga gjendja aktuale rajonale dhe globale, nga raporti i forcave ushtarake atje, dhe në fund nga forcimi i Ukrainës me armë moderne, e gjithë  kjo e ndryshon natyrën e luftës dhe krijohen disa mundësi që viti i ardhshëm të duket vendimtar për paqen në Ukrainë, Evropë dhe në shtetet e prekura tërthorazi nga lufta. Shenjat e para janë dhënë me përfshirjen e Turqisë për të gjetur një zgjidhje dhe domosdoshmërinë e Rusisë për të dalë nga këneta që është duke e fundosur moralisht dhe financiarisht.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se deri në dhënien fund të luftës do të kenë ndikim disa aktorë tjerë si SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, dhe pa lënë anësh Kinën. Duke i parë ngjarjet e fundit dhe atmosferën e sigurisë në Ballkan, gjendja tregon se një zgjidhje do të mund të gjendet edhe në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila tash është në fazën e propozim ideve dhe ngritjes më tej në drafte. Në rastin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë kemi një raport tjetër të forcave e cila do të shpie drejt një marrëveshje përfundimtare.

Historikisht, përveç se luftërat kanë sjellë tragjedi dhe humbje ekonomike, në anën tjetër duhet parë nëse kombet e sidomos ato që kufizohen me ish fuqitë perandorake dhe hegjemoniste do të mund të konsolidohen dhe të jetojnë në paqe deri në ciklet tjera gjeopolitike-ekonomike të shek. XXI të parashikuara qysh më herët nga Ibën Kaldun dhe Oswald Splenger.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

About Admin