Nga Selim Ibraimi– Rasti i Ukrainës duhet të merret si shembull nga vendet e Ballkanit Perëndimor, se lënia pas dore e forcimit të ushtrisë, mund të jetë gabimi më i madh që mund të bëjë një qeveri, e cila duhet ta përdorë buxhetin për mbrojtjen e vendit nga jashtë dhe jo të përdorimit të asaj për arsye të brendshme.
Në rastin konkret, qeveritë e Ballkanit mund të nxjerrin mësime nga lufta në Ukrainë. E para, të bëjnë përmirësimin e kapaciteteve të zbulimit dhe kundërzbulimit jo mbi baza partiake dhe etnike. E dyta, të hartojnë një plan në rast të zgjatjes së konfliktit në Ukrainë. E treta, qeveritë të ndalojnë të gjitha mediat që janë në shërbim të luftës hibride ruse. E katërta, të fillojnë me seriozitet të mbështesin media dhe institucione që do të jenë në gjendje të informojnë publikun drejtë dhe saktë. E fundit dhe që bën pjesë në luftën e vërtetë të qeverive rajonale rreth aktorëve malinj, është zbulimi i agjentëve rus, që janë në shërbim të përhapjes së politikës ruse dhe natyrisht të qarqeve të brendshme sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë, që mbështesin luftën e Putinit jo vetëm në Ukrainë, por, edhe politikën e Moskës në Ballkan.
Vendet e NATO-s dhe ato jashtë aleancës, konflikti ruso-ukrainas do t’i ndryshojë aq shumë sa që një pjesë e mirë e buxheteve kombëtare do të ndahet për armatim. BE, dhe shtetet e Ballkanit pas luftës në Ukrainë, do të kenë një qasje të re ndaj rreziqeve që vijnë jo vetëm nga Rusia dhe bota e cila do të lind pas luftës në Ukrainë, por, nga natyra e angazhimit amerikan. Shihet se Evropa, Rusia dhe ShBA do të jenë në pozicione të ndryshme pas luftës në Ukrainë dhe me këtë edhe Maqedonia e Veriut dhe WB-6 duhet të bëhen gati për një erë të re në sigurinë rajonale dhe globale.
Selim Ibraimi mban gradën Dr. në Shkencat Politike