NGA SELIM IBRAIMI- Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti tha se është i hapur për një veting në të gjitha nivelet e shtetit, një ide që ai e ka propozuar më herët. Opozita shqiptare ka kërkuar gjithashtu një filtrim të tillë të individëve që synojnë pozita të larta dhe të atyre që duan të punësohen në gjykata. Por, pyetja është se kush duhet ta bëjë këtë verifikim, qethje apo veting?

Organet gjyqësore të Maqedonisë Veriore deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë një filtrim të tillë të individëve dhe politikanëve, pasi gjykatat janë të ngarkuara politikisht, etnikisht dhe kanë një dozë të caktuar të ndikimit të qeverisë në proceset gjyqësore.

Ishte Zyra e Prokurorisë Speciale që pati misionin kundër-korrupsionit dhe krimit të organizuar, e mbështetur nga SHBA dhe BE,  nuk arriti të mbyllë asnjë rast për shkak të akuzave për korrupsion të vetë Prokurorisë Speciale. Kjo Prokurori u zhduk dhe nuk la gjurmë për procedurat e ardhshme të çdo verifikimi- vetingu.

Tani që është propozuar lista e re e qeverisë së Zaevit, vetingu për këta ministra është tepër vonë. Pas vitit 2024 me siguri MV-ja do të jetë në gjendje të hyjë në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe po aq i domosdoshëm. Përndryshe, Maqedonia Veriore ka një gjyqësor të varur nga politika dhe individë të fortë të lidhur me partitë politike.

Që nga koha kur Gruevski dha dorëheqje nga qeveria, siç dihet disa padi gjyqësore janë ngritur kundër ish politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, por pa ndonjë vendim përfundimtar për të gjitha rastet që mbulojnë vitet 2008 -2020. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)