Nuk mund të ketë normalizim në mes Beogradit dhe Prishtinë me ndërmjetës të njëanshëm duke filluar nga Borelli, Lajçaku dhe mbështetës amerikanë, që favorizojnë Serbinë bashkë me një Asociacion serb mbi baza etnike. Mbetet që gjatë 2023-tës opozita dhe qeveria të gjejnë zgjidhje se si të flasin më mirë me të huajt dhe se pse duhet një plan afatgjatë për Veriun dhe jo zgjidhje të përkohshme. Këtë mund ta bëjnë duke kërkuar përfundimisht një rol më të gjerë të SHBA-së në procesin e dialogut me të dërguar që punojnë drejtë e në favor të paqes.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Washington

Tensionet e fundit në veri të Kosovës janë shenja për zhvillime në vijim në Ballkanin Perëndimor dhe ndryshime të mundshme të kufijve shtetërorë të vendosur pas vitit 1991. Serbia me metoda hibride po bën përpjekje që këtë pjesë të Kosovës veriore ta bëjë të veten duke mos zgjedhur mjete për të nisur qoftë edhe një konflikt në veri të Mitrovicës. Aksionet e qeverisë në Kosovë për të vënë nën kontroll veriun kanë qenë të pasuksesshme, janë kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe aleatët strategjikë të Prishtinës. Edhe pse e drejta është anën e Kosovës, përsëri SHBA-ja dhe BE-ja e kanë ngushtuar Prishtinën zyrtare që të pajtohet me një marrëveshje jo aq në favorin kosovar. Në këtë drejtim, zyrtarisht ende nuk dihet se çfarë përmban plani franko-gjerman, një plan që e ka shkapërderdhur politikën kosovare, duke filluar nga qeveria e cila mundohet të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe përpjekjet e opozitës për të fituar pikë në dëm të shtetësisë së Kosovës. Ajo që duhet theksuar është se pozicioni ndërkombëtar i Kosovës nuk është aq në gjendje të volitshme dhe këtu kanë luajtur disa faktorë. Pas pavarësisë së vitit 2008, diplomacia kosovare pothuajse është drejtuar nga kuadro joprofesionale dhe rrethi i ngushtë të partive në pushtet, duke lënë pas interesat shtetërore të Kosovës në raportet ndërkombëtare-rajonale. Lufta në Ukrainë e ka bërë edhe më të ndërlikuar pozicionin e Kosovës, e cila me vështirësi është vënë në mbrojtje të tërësisë territoriale. Dhe, realisht, nuk po gjen aq mbështetje të duhur në Uashington dhe në Bruksel. Për ta vënë në perspektivë rrezikun e Asociacionit serb në Kosovë, le t’i kthehemi edhe një herë historisë së shek. XX.

Autonomia e grekëve në Shqipëri e vitit 1914 dhe Asociacioni serb në Kosovë

Sipas dokumenteve historike, “Protokolli i Florencës” i vitit 1913 i dha Shqipërisë “Epirin e Veriut”. Më vonë, grekët lokalë arritën që me mjete të dhunës ta shpallin pavarësinë e ashtuquajturës “Republika e Epirit Verior”. Ndërkaq Protokolli i Korfuzit”, i majit të vitit 1914, ishte një marrëveshje ndërmjet drejtuesve të shtetit shqiptar të atëhershëm dhe qeverisë së “Epirit të Veriut”. Marrëveshja u dha banorëve lokalë grek të Shqipërisë së Jugut të drejtën të formojnë “Autonominë e Epirit të Veriut”, një autonomi e gjerë fetare, arsimore, kulturore dhe politike. Fati anoi në anën e Shqipërisë, kur me fillimin e Luftës së Parë Botërore (LPB) të gjitha traktatet ranë poshtë dhe ky rajon iu dha përsëri Shqipërisë. Ky është një shembull se çfarë mund të ndodhë me Kosovën në lojërat e diplomacisë ndërkombëtare dhe serbe për një autonomi në veri. Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit është më i zëshëm, bashkë me BE-në, për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit, atëherë ia vlen të ritheksohet se Uashingtoni zyrtar qysh nga viti 2012 nuk ka ndonjë plan të saktë për pasojat që mund të dalin nga trazirat e mundshme në veri të Kosovës, nga serbët lokalë, nga Beogradi dhe nga inteligjenca ruse në Serbi. Mjegulla rreth së ardhmes së negociatave serbo-kosovare dhe vetë Kosovës po vazhdon. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, për arsye se nuk mund të bëjnë më shumë rreth Serbisë, masa shtrënguese po ushtrojnë ndaj Kosovës, e cila vazhdon të jetë në një pozicion ngërçi.

Trysnia amerikane dhe europiane për të pranuar një Asociacion serb me të drejta të plota kulturore, ekonomike dhe politike është e pa drejtë. Në shtetet e BE-së ky asociacion do të kishte kuptim, po jo në Ballkanin Perëndimor. Për më shumë, si është e mundur që Uashingtoni bën çmos që serbët në Kosovë të fitojnë një status të veçantë, gjë të cilën nuk e shohim në Maqedoninë e Veriut?! Ka disa shembuj në rajon ku diplomacia e huaj mund të përdorë si model në Kosovën e Veriut për serbët.https://player.vimeo.com/video/773479182?h=85ec75e14e&badge=0&autopause=0&player_id=0&app_id=58479&title=0&byline=0&portrait=0

Presioni i njëanshëm amerikan dhe europian

Linja e ashpër e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit serb ka gjasa të mëdha të prodhojë një zinxhir të dhunës në Kosovë dhe rritje të kërkesave të serbëve të Bosnjës për ndarje. Departamenti i Shtetit mund edhe të ketë të drejtë në këmbënguljen për formimin e Asociacionit tashmë mbi baza etnike dhe ndoshta, pas perdes diplomatike, kërkon një ndarje të re të Ballkanit po në baza etnike. Kjo mund të jetë një shenjë se Uashingtoni mund të jetë lodhur nga mbështetja për shtete multi-etnike në Ballkan! Këtu duhet parë nëse Uashingtoni zyrtarë do të mbështesë asociacione tjera po në Ballkan. Realisht mundësitë janë të pakta që Uashingtoni dhe Brukseli të pranojnë asociacione në Maqedoninë e Veriut apo në Luginë të Preshevës. Me të vërtetë si peng e kanë kapur Kosovën dhe këtë eksperiment me Asociacionin serb duhet ta bëjnë bashkë me BE-në po në Kosovë. Nga jashtë kështu duket Kosova dhe raporti me të huajt. Më tej duhet thënë se një pjesë të fajit për gjendjen e Kosovës e mbajnë ish- qeveritë kosovare bashkë me ish kryenegociatorët. Nga bisedimet teknike, pas një dekade, Beogradi ka arritur të vendosë në tavolinë negociatat për tërësinë territoriale të Kosovës. Për më shumë, Prishtinës zyrtare i kanë dalë çështjet jashtë kontrollit, sa çdo argument në anën e saj në Bruksel nga diplomatët shihet si keqdashëse dhe në dëm të stabilitetit rajonal.

Po çfarë mund të bëjë më shumë qeveria e kryeministrit Albin Kurti? Diplomacia e Kosovës duhet të fillojë urgjentisht një lobim agresiv në Kongresin Amerikan rreth politikës së disa zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe të BE-së ndaj Kosovës dhe rrezikut që paraqet Asociacioni mbi baza etnike në Kosovë. Kryeministri Kurti tash, pas bisedimeve të fundit të 21 nëntorit me presidentin serb Vuçiq në Bruksel, ku përfaqësuesi i BE-së, Josef Borrel, e akuzoi haptazi Kosovën për mosrespektim të ligjit ndërkombëtar rreth targave, duhet ta paraqesë gjendjen e re si nevojë urgjente e Kosovës për pozitën e palakmueshme kosovare në bisedimet në Bruksel nga asociacioni i imponuar si kusht vetëm ndaj një palë në bisedime. Në këtë drejtim, Jasmin Mujanoviq një shkencëtar politik nga Sarajeva dhe me prestigj ndërkombëtar thotë: “Josep Borrelli i BE-së po përdor një gjuhë më të mprehtë me qeverinë e Kosovës (që nuk dëshirojnë të copëtojë më tej etnikisht vendin e tyre) sesa ka përdorur ndonjë zyrtar i BE-së kundrejt regjimit pothuajse autokratik, të lidhur me Kremlinin, mohues të gjenocidit dhe irredentistit Vuçiq në Serbi”. Në të njëjtën linjë është edhe eksperti polak për Ballkanin, Jakub Bielamowicz, i cili thotë: “Nën udhëheqjen aktuale të politikës së jashtme të BE-së, kaq e njëanshme ndaj Serbisë, çdo marrëveshje jo e përkohshme duket më pak e mundshme se kurrë”. Në fund, qeveria e kryeministrit Albin Kurti, për të mënjanuar intrigat gjeopolitike, e ka për detyrë të alarmojë qendrat vendosëse se kush nga BE-ja po vë pengesa ndaj Kosovës dhe kush nuk dëshiron marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë. Nuk mund të ketë pajtim në mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetës të njëanshëm duke filluar nga Borelli, Lajçaku dhe mbështetës amerikanë që favorizojnë Serbinë bashkë me një Asociacion serb mbi baza etnike. As më pak, nuk mund të ketë asnjëfarë suksesi diplomacia ndërkombëtare në rajon me plane të viteve të fillimit të luftërave ballkanike (1912-13) dhe as më pak për të zgjidhur një problem historik në mes Serbisë dhe Kosovës. Pasi çështja shqiptare ishte vënë në tavolinë në vitin (1912-13), atëherë detyrimisht që zgjidhja sot duhet kërkuar tek fuqitë e sotme e që nuk besoj se janë aq të drejta kur është rasti i Ballkanit. Lufta në Ukrainë patjetër se e ka lënë Kosovën anësh nga zgjidhja e drejtë. Mbetet që gjatë 2023-tës opozita dhe qeveria të gjejnë zgjidhje se si të flasin më mirë me të huajt dhe pse duhet një plan afatgjatë për Veriun dhe jo zgjidhje të përkohshme si rrugë për një konflikt në të ardhmen. Këtë mund ta bëjnë duke kërkuar përfundimisht një rol më të gjerë të SHBA-së në procesin e dialogut e me të dërguar që punojnë drejt dhe në favor të paqes. (Revista, “SHENJA”, Shkup, Dhjetor, 2022)