Nga Urim Hasipi- Ironia e funksionarëve nuk ka fund. Nuk mbushet tryeza me ndihma sociale. Nëse, nuk ke se çka të thuash më mirë hesht, se sa të jesh patetik. Bitici Fatmir: Qytetarët t’i kalojnë festat me tryezë të plotë! Duhet të kesh guxim të hatashëm që të thuash, citoj ”Ne kujdesemi për të gjithë dhe krijojmë masa që qytetarët t’i kalojnë festat me tryezë të plotë”. Kjo deklaratë nëse nuk është në kategorinë e ironisë, atëherë me siguri se është në kategorinë e humorit. Të thuash se kjo qeveri punon që të kemi tryezë të plotë, është papërgjegjësi dhe marrëzi. Në një kohë kur çmimet janë rritur, inflacioni është rritur, rrogat nuk janë rritur, si mund të presësh që tryeza të jetë e plotë. Po, tryeza mund të jetë e plotë për ministrat, drejtorët dhe funksionarët, apo edhe biznesmenët që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve duke rritur çmimet pa asnjë kriter dhe ju e keni lejuar. Ju keni krijuar masa vetëm për të pasurit që të pasurohen edhe më shumë. Ju keni rritur rrogat e rritura. Ju si qeveri e keni sjellur punën që çdo ditë të luani me ndjenjat e qytetarëve me masat ani-krizë dhe, në asnjë moment nuk keni ndihmuar direkt qytetarët që të tejkalojnë vështirësitë financiare në kohë pandemie, në kohë krize ekonomike globale dhe në kohë kur bota përballet me dy luftëra, që kanë ndikim në ekonominë botërore. Nuk mbushet tryeza me paga qesharake. Nuk mbushet tryeza me ekonomi më të keqe në botë. Nuk mbushet tryeza me ndihma sociale, sepse rrogat e puntorëve janë sikurse ndihmat sociale të njejta. Tryeza mbushet nëse edhe qytetarët paguajnë aq sa paguajnë ministrat e byfenesë së qeverisë. Nëse një qytetar vendos ta mbushë tryezën plot, kjo do të thotë që tërë vitin tjetër vijues ta kalojë me kredi dhe me borxhe tek të afërmit, sepse rroga aq mjafton, e mbush tryezën dhe e zbraz xhepin për gjashtë muajt e ardhshëm. Më mirë hesht dhe mos fol, sepse tryeza mbushet me paga sikurse në vendet e zhvilluara dhe jo sikurse vendi ku ti je ministër dhe shitni pallavra. Po të pyes, si do të mbushet tryeza plotë me një rrogë 350 euro ose 400 euro. Tryeza plot mbushet me 250 euro harxhime?! Ku mbet rryma, ku mbetën faturat e ujit, ku mbet regjistrimi i veturës, ku mbet interneti, ku mbetën harxhimet ditore, sepse vet ju sipas Entit për Statistikë thoni se shporta e konsumatorit për një muaj është mbi 48 mijë denarë. Me rrogë më të ulët se shporta e konsumatorit, si të mbushet tryeza?! Po, mbushet me pallavra por jo ashtu si thoni ju. Mbushni ju tryezat tuaja- ministra e drejtora, biznesmenë,… Ne qytetarët e thjeshtë tryezat i kemi të vogla dhe i mbushim aq sa mundemi. Dil prej ministri ti, që merr rrogë 400 euro, dhe unë të tregoj se si do ta mbushësh tryezën. Tung e ke!