NGA SELIM IBRAIMI- Shqiptarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë institucionet e duhura për studimin e historisë, kulturës, traditës dhe të ardhmes së tyre për dekadat e ardhshme. Ka disa institucione arsimore, por fatkeqësisht ato kanë degraduar plotësisht të ardhmen kombëtare të shqiptarëve dhe padyshim përfaqësimin ndërkombëtar të identitetit të tyre.
Politizimi i arsimit dhe depërtimi i individëve nga partitë politike në universitete dhe institute, ka penguar shumë të rinj që të gjejnë veten ose të jenë jashtë sistemit të zhvillimit arsimor, profesional dhe individual. Është urgjencë kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë të luftojnë këto grupe dhe kasta politike të bashkuara me institucionet që bllokojnë të ardhmen. Fshehja e këtyre grupeve pas disa anëtarëve të stafit të ambasadave të huaja dhe klaneve partiake, nuk mund të mbulojë abuzimet dhe aftësitë e tyre të dobëta profesionale dhe organizative.
Nga tani e tutje, kur Maqedonia Veriore po bëhet gati të hapë kapituj me Bashkimin Evropian, shqiptarët dhe të rinjtë së bashku me studentët, duhet të kërkojnë llogari nga të zgjedhurit, duke ju dhënë fund manipulimeve që vijnë nga partitë politike, liderët dhe të gjithë ata që janë të lidhur mirë dhe të fortë me palët e interesuara që padyshim punojnë kundër të rinjve dhe qytetarëve.
Ne kemi nevojë për drejtues, menaxherë dhe institucione që parashikojnë dinamikën politike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe demografike të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore. Pa këto cilësi, burime njerëzore dhe institucione, shqiptarët e Maqedonisë Veriore do të përballen dhe sfidohen nga aktorë vendas dhe të huaj dhe padyshim se e ardhmja e tyre do të rrezikohet dhe do të vihet në pikëpyetje nga turbulencat gjeopolitike. (ISSDMaqedonia- @CSSDMacedonia)
[box type=”download” align=”aligncenter” ]Selim Ibraimi –është një analist shqiptaro-amerikan i politikës ndërkombëtare dhe studiues i çështjeve të Ballkanit. Ai u diplomua për gazetari (BA). Ai mban një diplomë master në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Webster, Scott Air Force Base në Shtetet e Bashkuara. Ibraimi është doktorant në shkencat politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ai jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoni. Ai është drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim – Maqedoni (ISSD). Ibraimi është autor i disa librave dhe botimeve për Ballkanin dhe rolin e fuqive të mëdha në rajon. Paqja e Ftohtë (10 vjet rikonfigurime gjeopolitike në Ballkan) -2016. Territori i luftës së heshtur (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore) -2018. Beteja vendimtare (Murtaja e ndryshimeve kufitare në Ballkan) -2019.[/box]