Koment nga Dr. Selim Ibraimi Disa parti politike në Maqedoninë e Veriut nuk e ka marrë vetëm pushtetin qendrorë dhe komunat ku jetojnë shqiptarët, por një pjesë të ndikimit e kanë shtrirë në universitete, media, grupe të interesit- kanë prekur tek profesorët, fondet qeveritare dhe tek tek “analistët”. Gjithashtu një pjesë  pothuajse e mirë e punonjësve dhe zyrtarëve të lartë që mbajnë poste nëpër përfaqësitë diplomatike dhe konsulore duke filluar nga SHBA dhe gjetiu, janë caktuar në kohën e Gruevskit ose tani si të dëgjueshëm, anëtarë të ngushtë partiak dhe me lidhje historike me LSDM-në (ish LKM-në).

Përveç kësaj, ndikimi i Z. Zaevit dhe i S. Pendarovskit, shkon edhe më tej. Qarqe të caktuara të diasporës në Evropë dhe në SHBA, gjithashtu mbajnë lidhje të forta me kryeministrin Zaev, Ahmetin, Ramën dhe me njerëz të fortë të PDK-së në mbulesë të lidhjeve që duhet kinse t’i ketë një organizatë nga diaspora.

Anëtarë të organizatave që përfaqësojnë “interesat kombëtare” të shqiptarëve, kanë tendenca të lidhen me rusët ose kanë bërë vizita në Rusi për të bashkëpunuar me oligarkët rus për investime në Ballkan nëpërmes palëve të treta. Se deri kur do të vazhdojnë të duken “patriotë” dhe të mbajnë kokën lartë se po punojnë për kombin, mbetet të shihen veprimet konkrete nëse do të ketë ndryshime në Maqedoninë e Veriut dhe nëse do të ketë ndonjë qasje tjetër nga administrata amerikane ndaj Kosovës e cila duhet të vijë nga presioni dhe informimi i diasporës.

Ndryshe, këta individë, mund të jenë hallka të mira për fotografi me Grenellin, Zaevin, Ahmetin dhe të tjerë, e asesi të përfaqësojnë në tërësi diasporën. (Koment)