Nga Selim Ibraimi- Pas suksesit me planin e shpërndarjes së traktorëve dhe përgatitjet për fillimin e punëve pranverore, z. Beshliqi një ditë vendosi të ngjitej si dikur në shpatiet e Malit Sharr. Kishin kaluar disa vjet që ai nuk e kishte marrë këtë rrugë të gjatë deri në pushimoren e tij në Kodrën e Diellit.

Pasi zgjedhjet lokale po afroheshin, dëshira e tij ishte që të dëgjonte nga afër ankesat e banorëve të qendrës turistike. Ndërkohë, Beshliqi kishte bërë shumë premtime kombëtare në qendër të Shkupit dhe mendonte se pas shitjes së duhanit dhe mollëve, do të ishte mirë që partia të fokusohej përsëri në Pollog dhe buzë Malit Sharr për t’i bindur banorët të mbështesin partinë e tij kur të vijë koha .

Pavarësisht angazhimeve në politikë, Beshliqi gjatë vizitës së tij vendosi të fotografohet si skijator slloven me partiakët e tij që me pa durim prisnin që ai të shpaloste planet për Kodrën e Diellit ku Partia Fshatare që ai e drejtonte pritej të fitonte një deputet dhe disa tenderë nga koalicioni që kishte lidhur me politikanin karizmatik Mumbly.

Me Beshliqin nuk mund të krahasohej asnjëri. Ai vazhdoi të përqendrohet në politikat e shtetit, kurse anëtarët e ngushtë të kryesisë partiake mendjen e kishin tek tenderët lokalë dhe fotografitë nga punët kinse të rëndësishme që i bënin në qeverinë e kryeministrit Mumbly. (Skicë -7)