Nga Selim Ibraimi- Nga qyteti i Shabacit, opozitari dhe politikani i uritur, z. Beshliq, udhëtoi për në Beograd, për t’u takuar me kryeministrin Nikolla Pashiq, me makinën “Ford” e prodhuar në SH.B.A., një tip makine mjaft e kërkuar nga europianët e cila mbërriti në Mbretërinë e Jugosllavisë në mesin e viteve të 20-ta të shekullit XX. Ai tashmë ishte i vetëdijshëm për faktin se qëndrimi i tij në opozitë do të kishte pasoja me humbje për të dhe grupin e tij financiar, që e mbështeti atë gjatë gjithë kohës kur ai e bënte lojën e opozitarit.

Në ndërkohë, të gjithë shpresonin se me ardhjen e tij në pushtet dhe bashkëpunimin që do të kishte me Pashiqin, do të ishte në gjendje të mbante partinë në këmbë dhe të bashkuar, e cila ishte e regjistruar më parë në gjykatë nga qeveria Pashiqit.

Pashiqi kishte ndikim të madh në z. Beshliq dhe miqtë e tij të ngushtë, duke i përdorur ata si një mjet politik për të mbajtur udhëheqësin  dhe popullsinë boshnjake nën kontrollin e mbretërisë.

Ndërkaq, z. Beshliq e konsideronte si të domosdoshme këtë aleancë të re politike, sepse sipas tij, koha e kërkonte këtë koalicion e që u mirëprit mirë edhe nga partia e Pashiqit. Sipas pikëpamjeve të Beshliqit, një mbretëri e re po ngritej në Ballkan, sepse z. Beshliq po i premtoheshin pozicione dhe shumë përfitime të tjera nga pushteti jugosllav. Kjo është ajo që ndodhi, dhe në zgjedhjet nacionale, z. Beshliq fitoi disa deputetë dhe në të njëjtën kohë e ndihmoi Pashiqin për t’u bërë një figurë më e pranuar tek popullata joserbe.

Në ndërkohë, përpara të huajve, Beshliqi shfaqej si një politikan kryesor për koalicionin e gjerë të Pashiqit, i cili shihej si një figurë që me partinë e tij të zhvilloheshin disa reforma në Mbretërinë Jugosllave. Pasi mori disa poste qeveritare me njerëzit e tij të afërt, Beshliqi dëshmoi se nuk kishte për qëllim të drejtat e popullit boshnjak në mbretëri, por vetëm karrierën e tij dhe klanin që ai e mbështeste.

Shumë nga miqtë dhe shokët e z. Beshliq u larguan dhe filluan të kritikoheshin nga partia e tij, e cila tashmë ishte bërë një front me Pashiqin kundër partive të tjera me karakter kombëtar të cilat kërkonin shkëputje nga mbretëria. Beshliqi vazhdoi të gëzonte pushtetin dhe priste shumë nga koalicioni i tij që e ëndërroi me vite. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)