NGA SELIM IBRAIMI- Gjatë qeverisjeve në Maqedoninë e Veriut, historikisht shqiptarët kanë pasur patriotë të vërtetë që kanë dhënë kontribut konkret e që tashmë nuk i kemi më në mesin tonë dhe prej grupeve të “patriotëve” të fshehur pas organizatave dhe partive që nuk kanë pasur për qëllim interesat kombëtare, por vetëm personale, grupore të ngritjes së bizneseve private në zona të caktuara dhe hyrjes në partitë maqedonase.
Shpeshherë kryengritjet kanë qenë si shkas që disa kryetarë partish të ndërtojnë karriera dhe zhvillojnë rrjete biznesesh në emër të atdhetarizmit. Në disa momente të politikës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dolën në skenë figura patriotike nga ish sistemi komunist ku gjatë pluralizmit në Maqedoni u bllokuan nga “patriotët” e partive politike që me metoda jugosllave i detyruan të largohen nga Maqedonia ose ua ngushtuan hapësirën e veprimit.
Sot 30 vite pas shkatërrimit të bllokut komunist, një pjesë janë pensionuar duke i gjetur shpesh në pozita analistësh të grupeve që shesin kombëtarizëm. Ndërsa pjesa tjetër që janë larguar nga Ballkani pas pushtimit të Kosovës nga rregjimi i Millosheviqit dhe gjatë sundimit të komunizmit në Maqedoni, ekzistimin dhe ngritjen e partive politike apo individëve që janë eksponentë të partive maqedonase, e interpretojnë si garë demokratike për të rrëzuar kinse Ali Ahmetin nga pushteti.
Lëvizjet dhe prapaskenat janë të natyrave tjera kryesisht karrieriste dhe financiare bashkë me disa të tjerë që udhëhiqen si “intelektualë të lartë’ dhe që paraqiten në debate televizive, por që keqpërdorin pozitat publike. Kredibiliteti i tyre është i ultë dhe padyshim votuesit këtë e kanë hetuar. A duhet besuar këta grupe patriotësh të rrejshëm të bizneseve private që punojnë për objektivat maqedonase? (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)