Analizë nga Selim Ibraimi- Pakënaqësitë në partinë e Ali Ahmetit BDI, janë rritur ditëve të fundit përshkak të luftës së klaneve për pushtet, pra për poste në qeverinë e re të Zaevit. Në betejën për pushtet janë klanet e Shkupit të BDI-së me zyrtarët partiak ish deputetin Artan Grubi dhe ish ministrin eurointegrimeve Bujar Osmani.
Të dy janë propozuar për poste të larta, Grubi zv. kryeministër/minstër i sistemit politik dhe Osmani, ministër i jashtëm i propozuar nga lista e re e Ahmetit. Gjithashtu një deputet nga partia e Ahmetit dha sot dorëheqje, Florim Besimi e dorëzoi postin e deputetit përshkak të konfliktit të interesit me vëllaun e tij Fatmir Besimi i cili është në listë për ministër për financa nga BDI.
Siç shihet në partitë shqiptare mungon transparenca dhe demokracia e brendshme dhe po ashtu si problem paraqitet çështja se kush është i aftë të drejtojë ministritë e shtetit dhe pse është e nevojshme apo jo përvoja në qeveri. Nuk është vetëm BDI që ballafaqohet me probleme të brendshme, opozita kohë më parë u trondit nga ikjet e figurave dhe anëtarësimet e reja brenda opozitare.
Në rast se i analizojmë listat e partive shqiptare dhe deputetët që kanë kandiduar dhe janë zgjedhur, do të vërejmë që shumica nuk kanë njohje për qeverisjen dhe janë në lista përshkak të grupeve të interesit financiarë dhe nepotizmit të lartë partiak. Në fund, Ahmeti duhet ta kalojë këtë krizë ose me kompromis ose me vendosjen e një autoriteti më të fortë në parti. (ISSDMaqedonia)