Abdulla Azizi:” Takimi i radhës do të jetë pozitiv pa marrë parasysh plotësimin e reformave”

Intervistë me ekspertin e çështjeve ndërkombëtare dhe profesorin nga Universiteti i Evropës Juglindore (www.seeu.edu.mk) z.Abdulla Azizi. Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia.

 

  • Nëse realisht i shohim punët, mund të konstatojmë se RMV-ja dhe RSH-ja pak kanë bërë në plotësimin e reformave në fushat e përmendura dhe nga ajo që kënë pritur shtetet-anëtare të BE-së. Prandaj, është mirë që të bëhen punët e shtëpisë e pastaj të priten rezultate pozitive nga BE edhe pse nganjëherë vendimet politike janë mbi ato juridike, por kjo për rastin konkret nuk ndodhi.
  • Vlerësimi im është se RMV-ja ka shumë për të bërë në plotësimin e reformave të duhura. Akoma hasim në fenomenin e korrupsionit dhe rasteve të pazgjidhura, një dështim të plotë të sistemit gjyqësor (gjyqësisë dhe prokurorisë) dhe në luftën antikorrupsion, hasim në ndikimin e  fuqishëm të ekzekutivit mbi gjyqësorin, politizim të skajshëm të administratës, arsimim jocilësor, shëndetësi mizore, gjendje sociale të papërshtatëshme dhe ekonomi të shkatërruar pa perspektivë për zhvillim. Të gjitha këto janë pengesa serioze që bastardojnë perspektivën europiane të RMV-së dhe RSH-së.
  • Është reale të potencohet se RMV-ja nuk arriti të bën reformat e duhura, ndërsa “reformat” të cilat ishin bërë ishin në shërbim të politikës aktuale në pushtet dhe për interesat e partive politike në pushtet. Qytetarët nuk panë hajr nga reformat e asnjërës në qeveri deri më tani, dhe situata vazhdoi të përkeqësohet nga dita në ditë pa ditur fundin e së keqes.

 

###

 

ISSDM:Si e komentoni vendimin e Këshillit të Evropës për mosdhënien e datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe sipas jush a ishte vendim objektiv?

Abdulla Azizi: Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare të BE-së në Tetor të 2019-ës ndër të tjera rezultoi edhe me një lajm dëshpërues për Republikën e Maqedonisë Veriore (RMV) dhe Republikën e Shqipërisë (RSH), të cilat ishin në pritje të dhënies së datës për hapjen e negociatave me BE. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi si rrezultat i mosbindjes së Francës, Danimarkës dhe Holandës se Shqipëria dhe Maqedonia kanë realizuar reformat e duhura. Unë kam bindjen se vështirë ka gjasa të ndodhin reformat në këto vende duke pasur parasysh mentalitetin politik në vendet e Ballkanit, prandaj është më mirë që të hapen negociatat dhe në hap me kohën (5 deri 10 vjet) BE të kërkon reptësisht harmonizimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave.

 

ISSDM: BE përshkak të interesave të shteteve anëtare ka një mekanizëm që shtetet aspirante nuk e kuptojnë. Si mund më lehtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë marrë datë nga BE ta kuptojnë procesin e anëtarësimit në union?

Abdulla Azizi: Politika e zgjerimit si çdoherë edhe historikisht mbetet problematike për BE. Për këtë kërkohet konsenzus (njëzëshmëri apo unanimitet) i e të gjitha shteteve anëtare, gjë që vështirë është të arrihet. Kjo pamundëson çdo shtet pretendet për anëtarësim në arritjen e ambicjeve për anëtarësim nëse ka ndonjë dyshim më të vogël në funksionimin e shtetit të së drejtës. Fillimisht duhet plotësuar të gjitha kërkesat që dalin nga Kriteret e Kopenhagës (1993): kriteret politike, ato ekonomike, ato juridike dhe administrative. Nëse realisht i shohim punët, mund të konstatojmë se RMV-ja dhe RSH-ja pak kanë bërë në plotësimin e reformave në fushat e përmendura dhe nga ajo që kënë pritur shtetet-anëtare të BE-së. Prandaj, është mirë që të bëhen punët e shtëpisë e pastaj të pritet rrezultat pozitiv nga BE edhe pse nganjëherë vendimet politike janë mbi ato juridike, por kjo për rastin konkret nuk ndodhi.

 

ISSDM: Maqedonia Veriore edhe pse thuhet se i ka plotësuar kërkesat e BE-së, shumë kritikë thonë se qeveria ka bërë intervenime sipërfaqësore. Sipas jush në cilat fusha duhet të koncentrohet qeveria e ardhshme?

Abdulla Azizi: Vlerësimi im është se RMV -ja ka shumë për të bërë në plotësimin e reformave të duhura. Akoma hasim në fenomenin e korrupsionit dhe rasteve të pazgjidhura, një dështim të plotë të sistemit gjyqësor (gjyqësisë dhe prokurorisë) dhe në luftën antikorrupsion, hasim në ndikim të fuqishëm të ekzekutivit mbi gjyqësorin, politizim të skajshëm të administratës, arsimim jocilësor, shëndetësi mizore, gjendjee sociale të papërshtatëshme dhe ekonomi të shkatërruar pa perspektivë për zhvillim. Të gjitha këto janë pengesa serioze që bastardojnë perspektivën europiane të RMV-së dhe RSH-së.

 

ISSDM: Me rëndësi është data e fillimit të bisedimeve apo reformat e vërteta që duhet t’i ndjejnë të gjithë qytetarët?

 

Abdulla Azizi: Reformat duhet të bëhen pa marrë parasysh datën, edhe pse mund të lidhen njëra me tjetrën. Në këto shtete ka shumë për tu bërë, sfidë paraqet ushtrimi i demokracisë së vërtetë dhe qytetari të jetë në qendër të vëmendjes. Është reale të potencohet se RMV-ja nuk arriti të bën reformat e duhura, ndërsa “reformat” të cilat ishin bërë ishin në shërbim të politikës aktuale në pushtet dhe për interesat e partive politike në pushtet. Qytetarët nuk panë hajr nga reformat e asnjërës në qeveri deri më tani, dhe situata vazhdoi të përkeqësohet nga dita në ditë pa ditur fundin e së keqes. Politikanët nuk dëshmuan se punojnë për qytetarët dhe përparimin e vendit drejt standardeve të BE-së.

 

ISSDM: A mund të kemi pasoja gjeopolitike nga vendimi i BE-së apo është vetëm një përshtypje e gabuar e qeverive përkatëse që nuk kanë marrë datë?

 

Abdulla Azizi: Gjeopolitika mund ta t’i shpëton RMV dhe RSH në takimin e rradhës të liderëve të shteteve dhe qeverive në kuadër të Këshillit Evropian në Maj të 2020-ës. Mendoj se takimi i rradhës do të jetë pozitiv pa marrë parasysh plotësimin e reformave si rezultat i gjeopolitikave të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Serbia janë duke i zhvilluar negociatat, dhe sipas një logjike duhet RMV-ja dhe Shqipëria t’i bashkohen këtij grupi që në një të ardhme të afërt bashkërisht të anëtarësohen në BE (përafërsisht në vitin 2025). Mbeten Kosova (derisa të zgjidh çështjen me Serbinë) dhe Bosnja e Hercegovina, si vende të fundit të Ballkanit Perëndimor në një të ardhme pak më të largët të bëhen pjesë e BE-së, paraprakisht duke ndjekur rrugën e reformave sistemore të kërkuara nga BE-ja. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)