Nga SELIM IBRAIMI– Të gjithë kemi dëgjuar dhe lexuar për ambasadorët, diplomatët dhe të emëruarit tjerë nga shteti. Në shtetet me traditë diplomatike, diplomatët, ambasadorët dhe zyrtartët tjerë të niveleve më të ulta, zgjidhen ose në bazë të përvojës ose siç quhen ndryshe diplomatë karriere ose grupi tjetër zgjidhet nga politika. Në vendet që kanë rol të madh në institucionet ndërkombëtare, ambasadorët janë të emëruar nga partitë kryesore politike që e përbëjnë koalicionin.
Tani të kthemi në Maqedoninë e Veriut, ku rrjeti diplomatik i shtetit me dekada është degraduar nga përfaqësimi jo profesional dhe jashtë çdo standardi të diplomacisë moderne. Në vend të një profesionisti ose të figurave të dëshmuara publike, partitë politike, dhe qeveria kanë aprovuar lista me emra të panjohur dhe jashtë kritereve që i duhet t’i ketë një ambasador. Në këtë lojë të ambasadorëve, kanë hyrë edhe partitë shqiptare, ku për turpin e elektoratit dhe diasporës, kanë emëruar konsuj ose ambasadorë jo të kualifikuar ose ndryshe figura që diplomacinë e praktikonin në klubet e bixhozit ose të shahut.
Në rast se duam që një ditë të anëtarësohemi në BE, tani është koha që ky poshtërim të parandalohet nga qeveria e Zaevit dhe Komisioni. Mbetet të shohim se çka do të propozojnë partitë politike shqiptare në qeveri për pozitat e hapura dhe në rrjetin diplomatik. Me shpresë se nuk do të habitemi ose të bëhemi qesharak para të gjithëve me emrat që do të propozohen dhe bëhen publike. (ISSDMaqedonia- @CSSDMacedonia)