“FOREIGN AFFAIRS”: Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë

Nga David Shedd and Ivana Stradner– “Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq duket i interesuar për pushtim të dhunshëm të pjesëve (Veriut) të Kosovës dhe është koha që SHBA dhe BE t’ia bëjnë të qartë Beogradit dhe Moskës se do të këtë reagim të ashpër ndaj provokimeve eventuale në Ballkan”, shkruan revista prestigjioze amerikane “Foreign Affairs”.

Në tekstin me titullin “Fronti i dytë i Rusisë në Evropë”, kjo revistë e specializuar për tema të politikës së jashtme pohon se Vuciq shpreson se shumë shpejtë do të ketë rastin për operacion ushtarak në Kosovë, sepse Perëndimi është i zënë më ndihmën për Ukrainën e Izraelin dhe frenimin e Kinës.

“Është koha që NATO me vendosmëri të ndalojë shfaqjen e Vuciqit që po ia mundëson Kremlini. SHBA dhe BE duhet që në formë të qartë t’ia bëjnë të ditur Beogradit dhe Moskës se do të reagojnë fuqishëm dhe ashpër ndaj provokimeve të ardhshme në Ballkan”, pohon “Foreign Affairs”.

Revista vë në pah se SHBA dhe BE “duhet të shtojnë praninë në rajon dhe të vendosin ‘vijat e kuqe’ të cilat Serbia nuk mund t’i cënojë, sepse do të ballafaqohet me konfrontim me NATO-n, dhe t’i vë sanksione Beogradit nëse nuk distancohet nga Moska dhe nuk i kontribuon depershkallëzimit”.

“Foreign Affairs” konstaton se Vuciq gënjen kur thotë se dëshiron hyrjen e Serbisë në BE, sepse ai në fakt dëshiron fondet, por jo edhe anëtarësimin.

Autorët e shkrimit vënë në pah se Rusia është duke nxitur konfliktin Kosovë – Serbi, sepse kështu synon të minoj fuqinë amerikane në Evropë.

“Duke rrezikuar paqjen në Ballkan, Putini shpreson të tregojë se NATO është ‘tigër prej letre’ dhe se edhe nëse Aleanca intervenon kundër Serbisë, ai do të fitojë, sepse me hapjen e këtij fronti të dytë në Evropë, ndihma për Ukrainën do të zvogëlohej”, shkruan “Foreign Affairs” dhe shton se “Kremlini ka edhe motive tjera për të nxitur kaosin në Ballkan”.

“Kremlini po shfryt[zon të ashtuquajturin precedent të Kosovës për të arsyetuar agresionin ndaj Ukrainës, me pohimin se gjoja pavarësia e Kosovës arsyeton përvetësimin e territoreve të pushtuara ukrainase”, shkruan “Foreign Affairs”.

“Përshkallëzimi i mëtejmë në Kosovë do të shkaktojë kaos edhe në Bosnjë, ku lideri i serbëve Millorad Dodik, që ka lidhje të ngushta me Putinin, ka kërcënuar se do ta shkëputë këtë pjesë të Bosnjës”, shkruan “Foreign Affairs” dhe konkludon:

“Për të mbrojtur Evropën dhe për të ndalur Kremlinin, është me rëndesi esenciale që NATO urgjentisht ta forcojë krahun e vet në Ballkan”. (Milazim Koci, Facebook)

https://www.foreignaffairs.com/eastern-europe-and-former-soviet-union/russias-second-front-europe?utm_medium=social