Zekolli: VV nuk mund të korrë sukses në Maqedoni, të paktën jo si ideologji apo koncept organizativ

Nga Arsim Zekolli, Shkup- A mundet VV të ketë sukses në Maqedoni? Në teori po, në praktikë – jo. Nëse e mendojmë pak më thellë, nuk ka gjasa as në teori. Të zbërthejmë dy postulatet e VetVendosjes. Postulati i parë, është ai vetë. Shqiptarët në Maqedoni, për dallim nga shqiptarët në Kosovë, nuk vendosin dhe nuk mund të vendosin vetë. Zatën, nuk munden as maqedonasit etnik të vendosin vetë, sa do që dëshirojnë, mundohen apo shtirren se mundem. Postulati i vendosjes vetë te shqiptaret egzistoi shumë shkurt, deri në paraqitjen e Arbër Xhaferit i cili me koalicionimin “patriotik” me Lubço Georgievskin i dha fund politikës shqiptare në Maqedoni dhe promovoi konceptin e ideologjizimit kinse-shqiptar djathtist. Postulati i dytë, ai i Vendosjes, rrjedhimisht është i hendikepuar nga mungesa e postulatit të parë. Nëse shqiptaret nuk mund të vendosin vetë, ata nuk mund të sjellin vendime për deri sa nuk e dijnë se për çka saktësisht mund apo duhet të vendosin. Shqiptarët e kishin peshën e faktorit vendimmarres gjatë kohës së PPD-së, kur pesha e votës i bënte faktor që impononte politikën shqiptare. Pas ideologjizimit të politikës shqiptare nga Arbër Xhaferi, kjo peshë vendimmarrëse u humb vullnetarisht, dhe u shëndrua në koncept vendimzbatues politik. Prandaj, VV nuk mund të korrë sukses në Maqedoni, se paku jo si ideologji apo koncept organizativ. Që dallon nga përfytyrimi i Albin Kurtit apo Vjosa Osmanit si simbole reformash. Por që, faktkeqësisht, si që dëshmon sjellja e tyre në këto 2-3 muajt e fundit, qëndron në këmbë të qelqit falë percepcioneve disktuabile, miopike, paragjykuese dhe politikisht labile të lidershipit në Prishtinë nën ndikim të klaneve të ndryshme nga Maqedonia, gjë që në vend të promovimit apo forcimit të VetVendosjes, rezulton në ZhVendosje. Për shqiptarët në Maqedoni ekzistojnë koncepte shumë më adekuate, më cilësore dhe më të përshtatshme ndaj realitetit të tyre se VetVendosja e Kosovës apo Rilindja e Shqipërisë. Paraqitja dhe rreshtimi pas koncepteve të tilla varet nga faktori kohë dhe nga dinamikat e organizimit politik. Duhet kohë që shqiptarët të hedhin poshtë politikat e klanizmeve, lokalizmeve, idolatrive fetare që diktojnë dinamikat e organizimeve politike. Çfarë do tentative për të promovuar koncepte të tilla është e destinuar në dështim, pasi që klanet e apostrofuara do t’i eksploatojnë për të mbijetuar në skenën politike dhe rrjedhimisht, do t’i kompromitojnë që në zanafillë. (@CSSDMacedonia) https://www.facebook.com/arszek

Për shqiptarët në Maqedoni ekzistojnë koncepte shumë më adekuate, më cilësore dhe më të përshtatshme ndaj realitetit të tyre se VetVendosja e Kosovës apo Rilindja e Shqipërisë.