Nga Urim HASIPI- Pavarësisht se disa nga kryetarët e partive politike shqiptare thonë se kanë komunikim ndërmjet tyre pa marrë parasysh se janë në pushtet ose në opozitë, megjithatë politikbërja dhe interesat partiake kanë zhbërë edhe kuptimin se pse ekzistojnë partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nuk janë të zot, që as për një çështje jetike siç është arsimi në gjuhën shqipe të jenë të bashkuar.
Pas ngjarjeve turpëruese në Gjimnazin e Velesit, ku shqiptarëve u pamundësohej mësimi në gjuhën shqipe, së fundmi në gjë e njejtë përsëritet edhe në Idrizovë të Shkupit. Pavarësisht se kemi të bëjmë me mentalitet primitiv ku fëmijëve nuk u lejohet të shkollohen në gjuhën amtare nga popullata maqedonase, megjithatë në këtë rast duhet që partitë polititike të dalin jashtë interesave të tyre të ngushta dhe të ngrejnë zërin kundër këtij fenomeni.
Merrni bre shembull, si mbrohen interesat e maqedonasve të Pustecit. Merrni shembull se, si mbrohen interesat e serbëve në veri të Kosovës. Merrni shembull se si mbrohen interesat e serbëve në Bosnjë.
Pak me u prek, këta pakica në vendet ku jetojnë reagimi vjen nga të gjithë njësoj, qoftë opozitë qoftë pozitë. Kishit rastin, që të merni leksione nga Partnerët Tuaj, partitë maqedonase se si reaguan kur në Tetovë erdhi Albin Kurti. Krejt ishin të sinkronizuar dhe reaguan bashkërisht.
Ju, lider të partive të BDI, ASH, BESA, LD, PDE, PDSH, AAA, duhet që bashkërisht të reagoni për këto fenomene. Edhe pse jeni në partneritet me partitë maqedonase nëse reagoni bashkërisht, atëherë ndryshe do të jetë edhe kundërshtimi I atyre që nuk lejojnë që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën shqipe.
Imagjinoni, që fëmijëve maqedonas të mos u lejohet të mësojnë në gjuhën maqedonase në viset ku shumicë janë shqiptarët, do u prisheshin edhe koalicionet që i keni mes vete për interesa politike ditore dhe jo afatgjate. Heshtja e të gjithë partive shqiptare për këta fenomene ka arritur kulmin dhe mos u habisni që nesër të ketë edhe reagime tjera.
Ata ua masin impulsin dhe heshtja juaj është për çdo lëvdatë. Reagoni për politika ditore, reagoni për çështje shumë më të vogla, që nuk kanë të bëjnë me interesin shoqëror dhe publik dhe heshtni për gjërat më sublime.Fundja, për çka jeni votuar. Për të heshtur kur dëmtohet interesi shqiptar.
Ose, pranojeni publikisht se nuk keni kapacitet për të bashkëpunuar për çështjet jetike të shqiptarëve, nuk dini dhe nuk jeni të interesuar.
Të interesuar jeni për të qenë në pushtet, atë e dijmë, nuk përbën lajm më. Nëse kësaj rradhe nuk jeni bashkë dhe bashkërisht të dërgoni porosi atëherë çka mund t`ju bëjë bashkë, përveç interesi për të bashkëpunuar për tendera.Kur jemi te tenderat, aty nuk ka pushtet opozitë, aty jeni bashkë.
Rasti në Idrizovë, nëse nuk ju kthjellon atëherë çka mund të presim më tutje. Vetëm tmerr dhe ikje ende më masovike nga ky vend, ku politikanët shqiptarë ende asnjëherë nuk kanë bashkëvepruar për asnjë interes të shqiptarëve.