[dropcap][/dropcap]

[dropcap][/dropcap]

Nga Selim Ibraimi- Uashington

ShBA dhe në tërësi administrata amerikane synon që t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura në Ballkan nëpërmes marrëveshjeve paqësore dhe duke promovuar zhvillimin ekonomik të rajonit.

1.Në të gjitha opsionet, Kosova dhe Serbia do të shkojnë drejt një marrëveshje historike e cila do të prodhojë dy realitete: e para marrëveshje e cila do t’i lejojë të dyja shtetet të ecin mundësisht në rrugën euroatlantike dhe e dyta në rast se do të bazohet në ndarje territoriale, ka gjasa të hapë dilema të reja të brendshme dhe jostabilitet.

Në bazë të dinamikës në Uashington, opsioni i parë është më i pëlqyer dhe kjo do të varret nga disa faktorë nëse do të përfundojnë me sukses negociatat.

ShBA e ka kthyer vëmendjen në këtë fazë edhe në Mal të Zi, në përpjekjet për të parandaluar destabilizimin e shtetit nga Serbia dhe Rusia nëpërmes Kishës Ortodokse dhe përçarjeve aty.

2.Në Maqedoninë Veriore, kemi një relitet të ri post rus të pas vitit 2017, kur me ndihmën e Uashingtonit, forcave opozitare shqiptare dhe BDI-së pas një presioni të jashtëm, erdhi në pushtet ish kryeministri Zoran Zaev.

Zgjidhja e çështjes së emrit dhe procesi i anëtarësimit në NATO të Maqedonisë Veriore, ishin dy procese që e ulën ndikimim rus në vend, por me mundësi të kërcënimeve të reja hibride gjatë këtij viti.

Nga viti 2017 e deri në 2020, në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, ish qeveria e Zaevit ka bërë shumë pak dhe me dështime serioze në Prokurorinë Speciale.

Mirëpo, amerikanët janë të interesuar për një stabilitet të ri dhe afatgjatë, duke nxitur një koalicion të gjërë pro perëndimorë dhe kundër rus para zgjedhjeve të prillit të 2020. Mos të harrojmë, se ndikimi rus ende vazhdon të jetë i pranishëm në Ballkan dhe vakimi i ri para 12 prillit, ende paraqet potencial të lartë të destabilizmit të Maqedonisë Veriore.

Në aspektin e koalicioneve multietnike, qëndrimi amerikan është se po mbështesin çdo koalicion që do të lëvizë proceset përpara në MV dhe do të sjellë siguri dhe zhvillim ekonomik. Aktualisht, është çështje e brendshme se kush me cilin ka bërë dhe do të bëjë koalicion para dhe pas zgjedhjeve të prillit për të hyrë në qeverinë e re të MV-së.

Vetëm për të kujtuar dhe sjellë në vëmendje një fakt të njohur për një shtresë të caktuar të votuesëve shqiptarë , sidomos të partive në pushtet dhe atyre opozitare, se politika me mjete radikale është e pamundur të zhvillohet në Maqedoninë Veriore. ShBA është e interesuar ta mbrojë MV me të gjitha mjetet dhe kur dihet tashmë se vendi është në NATO.

Të drejtat etnike dhe të gjitha çështjet e hapura shqiptare me maqedonasit, tani duhet të zgjidhen me mjete paqësore dhe me politikëbërje të re, duke instaluar në pushtet njerëz të rinj dhe jo të kapur. Shqiptarët e Maqedonisë Veriore, në dekadën e tretë, duhet të fillojnë ‘pushtimin’ e institucioneve të shtetit nga brenda, duke e transformuar sistemin, dhe paralelisht, duke e bërë të veten, pasi janë taksapagues dhe autoktonë dhe duhet të jenë të barabartë me maqedonasit.

Kjo është formula më e përshtatshme dhe që nuk bie në kundërshtim me politikën e Uashingtonit dhe hap një perspektivë të re për të ulur nacionalizmin maqedonas për shtet monoetnik. Dihet se rruga dhe procesi nuk është aq i lehtë, por me mundësi të mos prodhojë konflikte të reja dhe faza e re të mposhtë diskriminimin ekonomik shtetëror dhe ndryshuar statusin e shqiptarëve pa trazira dhe në pajtim me fuqitë e jashtme. Ky duhet të jetë patriotizmi i ri i shqiptarëve të Maqedonisë Veriore dhe pragmatizmi politik i partive qofshin ato në pushtet apo në opozitë. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

5.3.2020