NGA SELIM IBRAIMI – Lufta në Ukrainë na shtynë të mendojmë se paqja është shumë e brishtë dhe sa vështirë është të ruhet baraspesha e forcave globale në një shtet me një pozicion gjeografik të ndërlikuar. Tani kur çdo gjë ka ndryshuar dhe na pret një krizë e rëndë ushqimore, ngjarjet bëhen ende më të paparashikueshme. Dhe natyrisht se konfliket e shekullit mund të bëhen zona të nxehta për qerim hesapesh ndërshtetërore dhe ndëretnike.

Ashtu siç ngjarjet janë duke u zhvilluar, në rajonin e Ballkanit, kërkohet një diplomaci më aktive nga BE-ja dhe SHBA-ja, ku bashkë duhet të kenë parasyshë domosdoshmërinë e zgjidhjes sa ma shpejtë të mosmarrëveshjeve historike.

Mirëpo, këtë gjë shtetet e dobta dhe pa traditë diplomatike të negociatave nuk mund ta bëjnë dhe as më pak një BE e cila e ka humbur besimin.

Kancelari gjerman Olaf Scholz do t’i vizitojë disa vende të rajonit tonë, me shpresën për të motivuar qeveritë për reforma dhe mbajtur një farë kursi evropian, deri në gjetjen e një zgjidhje për Ukrainën.

Duhet pranuar se Gjermania dhe Franca e kanë humbur prestigjin për të vendosur linja të reja të interesit në Ballkan dhe në Evropë. Roli gjerman dhe francez, tashmë është i diskutueshëm në luftën Rusi-Ukrainë dhe as më pak për të bërë të mundur zgjidhjen e zënkave në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë pozicion asnjëanës të Fuqive të Mëdha ose të definimit të interesave ekonomike, një gjë është e sigurtë: se historia e njerëzimit përsëritet dhe zhvillohet jo në etapa, por në formë të stinëve, ashtu si dikur në shek. 20 i analizonte historiani dhe shkencëtari politik Splenger.

Oswald Splenger sot po bëhet aktual dhe duhet të rikonsiderohet për t’i zbërthyer disa ngjarje që nuk mund t’i kuptojmë nga deklaratat e liderëve. Së këndejmi, kohë të vështira po vijnë për Evropën dhe Ballkanin. Antagonizmi gjermano-ruso-francez dhe në anën tjetër ai amerikano-britanik, do të krijojë një rajon ku do të kemi shtete demokratike, dhe në anën tjetër, një grup shtetesh autokratike.

Në fund, a duhet të frikësohemi nga dekada e tretë dhe pse lufta në Ukrainë dhe dobësimi evropian do të sjellë një epokë të pasigurtë jo vetëm të furnizimit me ushqim, por një krizë të identitetit të popujve e cila do të risë nevojat për më shumë siguri nga kërcënimet e dekadës dhe më pas.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.