Në European House në Tetovë janë promovuar tre veprat e autorit Merxhan Jakupi. Bëhet fjalë për librat “Dioptria Politike Në Ballkan”, Çaushi dhe “Medaljoni gjeopolitik”. Sipas recenzentit Bardhyl Zaimi, Merxhan Jakupi kultivon një diskurs të matur dhe të hapur, një koncept modern mbi perceptimin e realiteteve, qoftë në nivel global, bakllanik, apo në nivel të problematikave të shtresuara shqiptare, që mbeten gjatë tërë kohës plagë të dhimbshme të pashëruara. Diskursi publicistik i Merxhan Jakupit gjithnjë mbetet antitotalitar , një diskurs që përpiqet të dekonstruojë narrativat dominuese, narrativat folklorike dhe ideologjike.
Pikërisht, edhe problematikat identitare, trajtohen nëpërmjet kësaj qasjeje të hapur dhe gjithëpërfshirëse, duke ruajtur brenda vetes substancën e përvojës personale, të botëformimit të tij kulturor që iu jep jehonë vlerave dhe sistemit referencial europian. Në promovomin e veprave të Merxhan Jakupit kishte të pranishëm shumë shkrimtarë, mysafirë të tjerë dhe përfaqësues të shoqatave të shkrimtarëve. Merxhan Jakupi është një publicist nga Tetova që jeton dhe vepron në Zvicër. /TV KOHA/

