Nën presidencën e Republikës Çeke, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). “Është thelbësore që i gjithë Ballkani Perëndimor të integrohet në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga BE-ja”,- ka deklaruar Viola Von Cramon, raportuesja gjermane për Kosovën në Parlamentin Evropian.
“Lajm i mrekullueshëm për rajonin nga miqtë dhe partnerët tanë evropianë.” “Urime Bosnjë-Hercegovinë për marrjen e statusit kandidat. I merituar dhe i rëndësishëm për prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Urime Kosovës për dorëzimin e aplikacionit për anëtarësim dhe liberalizimin e vizave – i pari hap drejt së ardhmes evropiane”- deklaroi presidenti malazez Milo Gjukanoviq.
Në ndërkohë, pas këtyre lajmeve pozitive, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i ka dërguar një letër komandantit të KFOR-it duke kërkuar dislokimin e 1000 ushtarëve serbë në pjesë të ndryshme të Kosovës, gjithnjë duke u mbështetur në aneksin 2 të Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën. Grupi rus “Wagner” dhe “Ujqërit e Natës” po qëndrojnë në veri të Kosovës në mbështetje siç thonë ata të vëllezërve serbë.
Aplikimi i Kosovës për në BE u mbulua nga kërkesa serbe për rikthim të ushtrisë dhe të presionit amerikan që të krijohet asociacioni serb. Për më shumë se një dekadë Uashingtoni ende nuk mund të gjejë një strategji të dobishme ndaj Serbisë. Gjendja aktuale tregon se SHBA me një qëndrim të butë është duke e bërë Serbinë më të ashpër dhe kërcënuese ndaj shteteve fqinjë e sidomos me kombet të përfshira në konflikte historike.
Diplomati i lartë amerikan dhe i ngarkuari për bisedimet serbo-kosovare Gabriel Escobar ka bërë të ditur se SHBA është e vendosur të themelojë asociacionin serb. Në të njëjtën vijë ka qenë ambasadori amerikan në Beograd Christofer Hill, i cili për mediat serbe ka deklaruar se vendimi për kthimin e forcave serbe në Kosovë është politik. Këta qëndrime të çuditshme amerikane e kanë defokusuar qeverinë qendrore në Prishtinë.
Themelimi i një asociacioni me kompetenca ekzekutive në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë, është i barabartë me lindjen klasike të enklave serbe që do të qeveriseshin lehtë nga Beogradi. Ky asociacion që duket i lehtë për diplomatin G. Escobar, më tej mund të shkojë në autonomi dhe shkëputje nga pjesa e territorit të Kosovës. Ose ngadalë pas disa viteve e njëjta mund të bëhet pjesë e Serbisë me anë të rikthimit të dhunës në viset ku jetojnë serbët.
Kur jemi tek politika e jashtme amerikane, duhet nënvizuar edhe njëherë se qeveria amerikane është e vendosur që të ketë ndryshime rrënjësore në Kosovë. Pasi pozicioni amerikan nuk do të pësojë ndonjë ndryshim radikal gjatë vitit 2023, atëherë është e nevojshme që në kuadër të negociatave serbo-kosovare të mos përjashtohen të gjitha opsionet. Politika amerikane ndaj Serbisë është tolerante përkundër lojës serbe me Rusinë dhe Kinën.
Ka disa qëndrime se diplomacia amerikane po humb kohë me Serbinë për ta kthyer në komunitetin evro- atlantik, dhe po armiqësohet me shqiptarët në Ballkan. Një vështrim i dytë është se SHBA pothuajse është duke e bindur Serbinë që përfundimisht të shkëputet nga Moska si dikur gjatë vitit 1948 me ndihmën që ofroi për ish- RSFJ-në administrata e presidentit Truman dhe më vonë e atij Eisenhover. Pas LDB-së, Uashingtoni zyrtarë e konsideroi Jugosllavinë e Titos si një shtet besnik të BRSS-së, por Tito i befasoi SHBA-të në vitin 1948 duke u shkëputur nga sovjetikët.
“Duke shfrytëzuar këtë mundësi të re në Evropën e ndarë, administrata e presidentit Harry Truman u përpoq të mbante në këmbë Titon duke i dhënë ndihmë ushtarake dhe ekonomike”. “Presidenti Truman shpresonte se përfshirja amerikane do të inkurajonte shtetet tjera satelite të Moskës të ndiqnin shembullin e RSFJ-së dhe të dëmtonin më tej fuqinë ushtarake dhe të ndkimit të BRSS-së”,- analizon autori Lorraine Lees në botimin e tij “Mbajtja e Titos në këmbë: Shtetet e Bashkuara, Jugosllavia dhe Lufta e Ftohtë”.
Sipas autorit, presidenti Eisenhover dhe sekretari i Departamentit të Shtetit John Dulles u munduan në mënyrë aktive të përdorin Titon si një “pykë” për të çliruar evropianët lindor nga sovjetikët. Ndryshimet e pritura pas Çekosllovakisë dhe Hungarisë nuk ndodhën. Nga fundi i vitit 1958, presidenti Eisenhover dhe sekretari Dulles e ndërprenë këtë politikë.
Ndërsa Tito me zgjuarsi thotë ai e mbajti SHBA-në në distancën e krahut të duhur, kurse Eisenhover u detyrua të pranonte largimin jugosllav nga sovjetikët si politikë të suksesshme ndaj Beogradit. Në mes viteve 1958 dhe 1960, kur SHBA ndërprenë ndihmën, autori thotë se përdorimi i Jugosllavisë si “pykë” kurrë nuk pati sukses afatgjatë. “Si strategji pasqyronte politikat pragmatike dhe gjeopolitike të administratave Truman dhe Eisenhover”- thotë autori Lees.
A do t’ia arrijë qëllimit administrata e presidentit Bajden të largojë Beogradin nga orbita ruse? Duhet thënë edhe njëherë se analiza e raporteve të viteve të 50 – 60-ta të shek. të XX nuk tregon se ka ndonjë ngjashmëri në mes mungesës së dëshirës serbe për tu larguar nga bashkëpunimi strategjik ruso-kinez, dhe vullnetit të mirë amerikan për ta bërë Serbinë evropiane.
Administrata aktuale amerikane dhe të tjerat pas 1999-tës në marrëdhëniet më Beogradin nuk e kanë pasur raportin si ato të pas LDB-së. Gjatë 2023-tës duhet të presim nëse do të ketë apo jo shenja të largimit serb nga Moska.
Ndryshe, insistimi aktual diplomatik amerikan rreth Serbisë ka gjasa të shkojë në dëm të lëkundjes së të gjitha balancave në rajon dhe prishjes së status-quove në zonat e nxehta etnike-fetare.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.