SELIM IBRAIMI- INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT-
Diplomati i lartë i Departamentit të Shtetit për Europë dhe Euroazi (DASH) Matthew Palmer do të qëndrojë këtë javë për vizitë në Maqedoni dhe në Ballkan.
Palmer një specialist për Europën Juglindore do ta vizitojë Shkupin për së dyti herë në një moment kritik për të ardhmen e republikës e cila i ka hyrë ndryshimit të emrit dhe kushtetutës.
Qeveria e cila sapo ka shpallur datën e referendumit dhe pyetjen, ka hasur në kritika të ashpra nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE dhe partia tjetër opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH).
Palmer si njohës i mirë i politikave ballkanike, arriti ta shpëtojë së bashku me zyrtarin e DASH -it Wess A. Mitchell marrëveshjen në mes Shkupit dhe Athinës e cila pas propozimit të dalë nga pala maqedonase që lidhej me Ilindenin e solli procesin negociues para kolapsit.
Tani diplomati Matthew Palmer ka një mission tjetër, të arrijë të shpëtojë në tërësi Maqedoninë nga ndarjet e thella politike dhe mosmarrëveshjet që po lindin nga referendumi në mes VMRO-DPMNE—së dhe qeverisë dhe nga ana tjetër, shqetësimeve që i ka paraqitur Aleanca për Shqiptarët ditëve të fundit rreth statusit të shqiptarëve dhe ndryshimeve kushtetuese.
VMRO-DMPNE ende zyrtarisht nuk ka bërë thirrje për bojkot të referendumit dhe në perspektivë lë hapësirë për ndërhyrje nga jashtë, si mundësi për t’i ulur tonet agresive kundër bojkotit.
Aktualisht do të varret nga bisedimet që vetë Palmer do t’i zhvillojë me partitë politike dhe kreun qeveritar.
Qeveria është përcaktuar për referendumin konsultativ si mjet për të testuar disponimin e qytetarëve para ndryshimeve kushtetuese dhe njëherit është një farë referendumi për vetë politikat e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.
Palmer po njoftohet drejtpërsëdrejti nga terreni për ndodhitë në Maqedoni dhe opsionet që do të dalin pas procesit të referendumit.
Në të kaluarën diplomatët amerikanë të stacionuar në Uashington janë mbështetur kryesishtë në kablot e ambasadorëve që në disa momente nuk kanë reflektuar gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në Maqedoni dhe Ballkan.
Foto: MIA/AIM