Misioni i vështirë i Escobarit

Selim Ibraimi- Diplomati amerikan Gabriel Escobar mbërriti në Maqedoninë e Veriut me një detyrë të vështirë për të bindur liderët e opozitës që të votojnë ndryshimet kushtetuese. Opozita maqedonas ka thënë se presionet nuk do të kenë sukses. SHBA dhe BE kanë qenë shumë të qarta për identitetin maqedonas, por VMRO-DPMNE-ja kërkon më shumë garanci. Në këtë situatë, Ecobari dhe partitë qeveritare duhet të punojnë në strategji tjetër. Për ndryshimet kushtetuese duhet pak kohë, pasi reportet në mes partive politike nuk shkojnë në favor të arritjes së numrit 80-të. Ajo që duhet qeveria në Shkup të bëjë është shpërndarja e Frontit Evropian, dhe më pas, sipas mundësive të hyjë në bisedime me deputetët që mundësisht t'i votojnë ndryshimet kushtetuese. Ky proces kërkon kohë dhe një plan mirë të përgatitur. Vizita e diplomatit amerikan Gabriel Escobar në Shkup ka të bëjë pikërisht me planin jashtë opinionit se si të votohen ndryshimet dhe si të gjenden 10 deputetë tjerë. Plani besohet se duhet të zbatohet nga figura të  besueshme. Në rast se nuk arrihen numrat, mbetet që të shpërndahet parlamenti dhe të shpallen zgjedhje të shpejta, ku një përbërje tjetër parlamentare do të ishte në detyrë të ndryshimeve kushtetuese. Ky ndoshta është edhe varianti më i qëndrueshëm për Maqedoninë e Veriut, duke pasur në konsideratë mosmarrëveshjet në mes maqedonasve. Pavarësisht përpjekjeve të Escobarit, ndryshimet gjatë 2023-tës duken si të pamundura, megjithatë viti 2024 mund ta gjejë Maqedoninë e Veriut me kushtetutë të re ashtu të parashikuar me marrëveshjen me Bullgarinë. Me rëndësi gjatë kësaj kohe është që politika e jashtme dhe e sigurisë së Shkupit të jetë në një linjë me të BE-së dhe assesi me atë serbe. Kështu që vonesat e ndryshimeve kushtetuese nuk do të ndikonin në sigurinë  e vendit. Por, për këtë duhet pasur një pozicion të qartë e sidomos për opinionin e brendshëm. Diplomacia amerikane me të ngarkuarin Escobar, gjithashtu duhet të krijojë një klimë tjetër të të kuptuarit më mirë të pozicionit amerikan që ndryshimet kushtetuese të bëhen në 2024. Ndërsa sa u përket shqiptarëve dhe heqjes së 20 %, duket se BDI dhe ASH nuk kanë kërkesa serioze, pasi aktualisht po punojnë për identitetin dhe shtetin maqedonas brenda dhe jashtë. Kanë deklaruar se për shqiptarët do të vijnë kohë më të mira.