(Pjesë nga rezymeja e librit e shkëputur me rastin e 34 vjetorit të shpalljes së Maqedonisë së Veriut shtet i pavarur, ku shqiptarët trajtohen “etni e shkëputur” dhe jo popull shtetformues, në përputhje me të vërtetën historike dhe etnike të tyre nga antikiteti deri te koha jonë. Mbi këtë formulim është ndërtuar mashtrimi i barazisë ligjore të gjuhës shqipe në përputhje me numrat, si normë koniukturale politike dhe diskriminuese, e cila për vite me radhë, nga klasa e papërgjegjshme politike shqiptare është shitur si “e arritur historike” !)
Nga Jusuf BUXHOVI
Marrja me Mbretërinë e Maqedonisë nga antikiteti si dhe pamja e saj në kohë dhe hapësirë, domosdoshmërisht nxjerr në pah faktorët më të rëndësishëm të një qytetërimi, konceptet e të cilit ishin idetë e universalizmit botëror në planin filozofik, atë shoqëror dhe politik, që u pasqyruan më së miri dhe në mënyrë unikate me Perandorinë Botërore të Aleksandërit të Madh. Ndërsa marrja me shtetin maqedonas, të krijuar nga Titoja në shekullin XX në kuadër të koncepti i tij për Jugosllavinë e AVNOJ-it, nxjerr në pah po ashtu faktorët politik që ndikuan shfaqjen e këtij shteti si koniukturë gjeostrategjike nga kriza lindore e këndej.
Edhe pse Perandoria Botërore e Aleksandërit të Madh, politikisht nuk ishte në gjendje t’u bëjë ballë sfidave të kohës, gjë që si e tillë, në planin shtetëror dështoi, megjithatë mbeti si model i një ideje madhore, e cila, ndonëse nga Platoni, Aristoteli po edhe filozofet tjerë u ngrit në paradigmën e Perandorisë së më të Mirës, megjithatë si model i fuqisë politike dhe shtetërore, në forma të ndryshme, u ndoq nga pasardhësit e tij: Pirro Molosi, Konstandini i Madh, Jusitiniani e deri te Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Kur zihen n’gojë mbretërit dhe perandorët e rëndësishëm, që ndoqën shëmbëllesën politike të Aleksandërit të Madh dhe, fjala është për pasuesit të tij, kihet parasysh aspekti i ndërlidhjes etnike, shoqërore dhe politike me mbretërinë e Maqedonisë si dhe faktin se ajo ishte pjesë e botës pellazgo-Ilire, e cila, në rrethana të caktuara, siç ishin ato të ndryshimeve të mëdha që ndodhen nga shekujt XIV-X me rastin e dyndjeve të popujve nga Egjipti dhe drejtime të ndryshme në pellgun e saj që shtrihej në hapësirën euro-aziatike, që sollën edhe shkapërderdhjen e fuqisë së saj politike si dhe zhvendosjen në drejtime të ndryshme (Mesdhe dhe Azi të Vogël), Mbretëria Maqedonase mori përsipër rikthimin e fuqisë së shkapërderdhur dhe të humbur, që kishte dikur Troja dardane, perandoria bryge dhe ajo hitite pashmangshëm të lidhur me amëzën paraprake dardane.
Marrja dhe nënshtrimi i shtet-qyteteve: Athinës, Spartës dhe futja e tyre nën mbretërinë Maqedonase si dhe drejtimi i Aleksandërit të Madh nga Lindja për në Persi dhe tutje deri në Indi, ku mendonte se ndodhej kufiri i Botës, nuk ishin të rastësishme, por pjesë e konceptit të Perandorisë Botërore nga mendësia pellazge, së cilës i duhej një lidhje e brendshme dhe e jashtme politike në përputhje me idetë e qytetërimit të tij.
Kështu, modeli i Perandorisë Botërore, si koncept politik, dhe universalizmi si ide filozofike e saj, Mbretërinë e Maqedonisë së Aleksandërit të Madh, e kthejnë në qendër të antikitetit, mbi të cilën lindi ajo që do të quhet helenizëm.
Ky fakt, megjithatë, ndryshon pamjen, por edhe përmbajtjen e asaj që si qytetërim, por edhe model politik njëanshëm i është atribuuar helenëve dhe Greqisë, duke përjashtuar kështu faktorët kryesor të saj: botën pellazgo-ilire si dhe shtratin e saj etnik, historik dhe politik, prej nga helenizmi përthithi mendësinë, traditën dhe gjithë ato vlera me të cilat u pasurua si qytetërim universal.
Në këtë aspekt, mbretëria e Maqedonisë e Aleksandërit të Madh, e përvetësuar nga Greqia politike e shekullit XIX si dhe helenizmi i shpallur njëanshëm “qytetërim grek”, kthehet në “referencë” të saj, në vend se të jetë e kundërta, që helenizmi i dalë nga Pizistrati e këndej, të shihet si trashëgimi e botës pellazgo-ilire, e me këtë edhe i asaj Maqedonase, si përfaqësuese tipike të fuqisë së saj kur ajo thuajse ndodhej në grahmën e fundit pikërisht nga invazionet e jashtme (egjiptiane dhe të tjera), që ndikuan dukshëm raportet shoqërore dhe politike në pellgun e saj.
Përvetësimi i njëanshëm i Maqedonisë së Aleksandërit të Madh nga filo-helenistët e shekullit të kaluar si dhe vendosja e saj në qendër të Greqisë antike për qëllime politike çfarë ishin ato që lidheshin me rilindjen evropiane mbi modelet e qytetërimit të lirë antik, përkundër dëshmive të shumta të autorëve antikë se Maqedonia si dhe Dardania dhe në përgjithësi bota ilire ishin pjesë e botës pellazge, prania e së cilës, ndonëse e shkapërderdhur politikisht, dëshmohej edhe në kohën e shfaqjes së helenizmit, e dëmtoi vetë qytetërimin antik dhe kompleksitetin e tij. Sepse, kjo shkëputje i la të anashkaluar shumë nga faktorët përbërës të antikiteti: nga ata etnikë, kulturorë dhe të tjerë, që u shpallën “indogjenë” ose, kur nuk mund të kapërceheshin dot shkencërisht, njëanshme u cilësuan me predikatin “paleo” (të vjetër), me çka trashëgimia sikur pranohej, por jashtë ndikimit në të.
Ky kundrim, pos që ndihmoi mbajtjen e pikëpamjeve të kontestuara të indo-evropianishtes dhe skemave të tejkaluara të saj nga shumë aspekte, njëherësh ngriu edhe pikëpamjet po ashtu të kontestuara rreth dyndjes së popujve në hapësirën euro-aziatike si dhe shfaqjen e qytetërimeve që dolën nga këto zhvillime, me ç’rast modeli i arianzmit u desh t’i amputohet doemos lidhja e helenizmit me botën balto-gjermane dhe madje kjo e dyta të shihej edhe si vendimtare në formimin e tij!
Këto tetori, që nuk shpëtuan edhe nga qasja raciste, shkencërisht nisën “të amortizohen” vetëm me vlerësimin dhe rivendosjen e faktorit pellazg në themelet e helenizmit si qytetërim antik dhe jo të mohimit të tij të njëanshëm nga “frika” se djepi i qytetërimit antik duhet kërkuar në hapësirën e Mesdheut dhe atë euro-aziatike, ku faktori pellazg-dardan-ilir ndërlidh botën sumere-semite me aria-nizmin. Ndaj, nuk është e rastit, që do të jenë pikërisht, disa shkencëtarë gjermanë dhe të tjerë (Hahn, Grossman, Müller, Fallermayer, Milan Budimir e të tjerë), të pakënaqur me fetishin e arianizmit të interpretuar në përputhje me filohelenizmin politik, që ngritën tezën e lashtësisë pellazge– djep i qytetërimit antik, ku bota iliro-trakase shihej e ndërlidhur me të dhe assesi e shkëputur nga helenizmi i mbështetur mbi ekskluzivitetin e faktorit grek. Në përputhje me këtë kundrim janë edhe studimet e rilindasve shqiptarë: Kamardës, De Radës, Skriptit, Skiroit, S. Fashërit, Gj. Adhamudhit, P. Vasës dhe të tjerëve, që i dhanë mbështetje lidhjes pellazgo-ilire.
Në këtë aspekt, Maqedonia antike luan një rol të veçantë dhe tejet domethënës nga pikëpamja etnike, kulturore dhe ajo shoqërore-politike, ngaqë në njërën anë nxjerr në pah faktorin pellazg-ilir, si pjesë e saj e pashkëputshme historike, ndërsa në tjetrën anë, nxjerr në pah edhe vazhdimësinë e tij me botën shqiptare në formën e një modeli identifikues politik dhe shtetëror qysh nga koha e mbretërisë Molose të Pirros, të Mbretërisë së Dardanisë, Mbretërisë Ilire, e deri te Mbretëria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Andaj, nuk është e rastit që edhe Pirro u identifikua me Aleksandërin e Madh, siç u identifikua shekuj më vonë edhe Skënderbeu, i cili jo rastësisht u quajt Mbret i Epirit dhe Maqedonisë dhe përkrenarja e tij (brirët e dhisë) simbolizonin Aleksandërin e Madh dhe Pirro Molosin.
Në njëfarë mënyre, identifikues me idetë e Perandorisë Botërore, por me faktorin krishterim si pjesë e “fuqisë hyjnore”, shfaqen edhe perandorët dardanë-ilirë, Konstantini i Madh dhe Justiniani, të cilët ia vunë themelet Bizantit, duke e kthyer fuqinë e perandorisë në Lindje, në Bizant (në afërsi të Trojës së dikurshme dardane), prej nga ajo, edhe për dhjetë shekuj, shtriu pushtetin e saj politik dhe kulturor nga Lindja në drejtim të Perëndimit.
Rënia e Bizantit në shekullin XV si dhe ngritja e Perandorisë Osmane në themelet e kryeqendrës së saj politike dhe shpirtërore– Kostandinopojë, ndonëse qytetërimin perëndimor e ballafaqoi me invazionin islam si një realitet i rij që po ia merrte hapësirën nga qendra shpirtërore dhe historike duke e kthyer në luftë qytetërimesh, megjithatë ishte vepra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (lufta tridhjetë vjeçare kundër Perandorisë Osmane), që duke u thirrur në Epirin dhe Maqedoninë, shteti i tij e identifikoi me shtyllat kryesore të qytetërimit antik– si qendër e luftës antiosmane, prej ku qytetërimi perëndimor do të mbrohej, por edhe do të rikthente Lindjen e humbur (Kostandinopojën).
Edhe pse me emblemën mbretërore të Skënderbeut dhe luftën e tij emri Maqedoni nga nocioni etnik i lidhur me pellgun historik pellazg-dardan-ilir, në shekullin XX, kthehet në një nocion gjeografik për qëllime politike, megjithatë nga mesjeta e vonshme e deri te koha e re, Maqedonia vazhdon të jetë pjesë e botës arbërore-shqiptare në aspektin shoqëror, kulturor dhe politik. Në mesjetën e hershme, gjatë Bizantit dhe më vonë gjatë Perandorisë Romake, hapësira e Maqedonisë e tëra përfshihet në kuadër të Ilirikut. Organizimi i saj administrativ dhe kishtar, në kohën e Konstantinit të Madh dhe të Justinianit, shihet në kuadër të vikariatit të Dardanisë dhe më vonë nën Themën e Skupit. Në organizimin administrativ të Perandorinë Osmane, hapësira e Maqedonisë Veriore, të shumtën përfshihet në elajetet dhe më vonë vilajetet e Arnautllëkut, pjesa më e madhe e së cilës gjendet në sanxhakun e Shkupit, Manastirit dhe atë të Prishtinës. Me reformën administrative të shekullit XIX, pjesa më e madhe e Maqedonisë Veriore, fillimisht përfshihet në vilajetin e Shkupit dhe pak më vonë në atë të Kosovës dhe të Manastirit. Në vilajetin e Kosovës, me kryeqendër Shkupin, Maqedonia Veriore mbetet deri në vitin 1912, kur gjatë luftërave Ballkanike pushtohet nga ushtria serbe dhe ajo greke.
Kahu i Luftërave Ballkanike (pushtimet serbe, greke dhe bullgare) si dhe shembja e Perandorisë Osmane, ndonëse Maqedoninë Veriore (pjesa më e madhe e së cilës shtrihej në vilajetin e Kosovës dhe tjetra në vilajetin e Manastirit), e ktheu në plaçkë lufte të shteteve fqinje (Serbisë dhe Greqisë), megjithatë, ajo luajti një rol tejet të rëndësishëm, madje edhe vendimtar, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 si realitet i pashmangshëm politik, që ndonëse nuk do të përfillet në kufijtë e saj etnik, do të rikthehet në hartën e re shtetërore evropiane.
Ky rol historik i Maqedonisë Veriore në kuadër të vilajetit të Kosovës dhe pjesërisht të atij të Manastirit, bashkë me bërthamën e Dardanisë, ishte i natyrës politike, po edhe kulturore, mbi të cilat u ngrit dhe u zhvilluan platformat politike e nacionalizmit shqiptar dhe u drejtua lufta për pavarësi nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, ku edhe në vitin 1881, me Qeverinë e Përkohshme të Lidhjes Shqiptare në Prizren, u rikthye shteti shqiptar i shembur pas vdekjes së Skënderbeut. Revolucioni Xhonturk i vitit 1908, i kurorëzuar me kërkesat e Kuvendit të Ferizajt, që rrënuan absolutizmin hamitian dhe sollën në pushtet turqit e rinj, si dhe kryengritja e Kosovës e vitit 1912, me ç’rast, me Katërmbëdhejtëpikshin e njohur të marrëveshjes së Hasan Prishtinës me Perandorinë Osmane, praktikisht u krijua e ashtuquajtura “Shqipëri Osmane”, për epiqendër patën një pjesë të Maqedonisë Veriore me atë të Dardanisë.
Kështu, në njërën anë, alfabeti i gjuhës shqipe në Manastir, më 1908, dhe në tjetrën anë, Shkupi si qendër ushtarake po edhe politike e kryengritjes shqiptare të vitit 1912, që u çlirua në gusht të atij viti ku edhe u manifestua fuqia politike dhe ushtarake e faktorit shqiptar, si e pashmangshme në ato rrethana vendimtare, kthehen në emblemë historike të shqiptarizmit, që i dhanë vulë të pashlyeshme shtetformimit shqiptar.
Natyrisht se realitetet politike, që prodhoi Konferenca e Ambasadorëve te Londrës në vitin 1913 (njohja e Shqipërisë së përgjysmuar dhe mbetja e Kosovës e me këtë edhe pjesës më të madhe të Maqedonisë Veriore nën pushtimin serb dhe ajo e vilajetit të Janinës nën atë grek), është dashur që Shqipëria zyrtare, të kthehet në një realitet shtetëror brenda kufijve londinezë, ndërsa pjesët e shkëputura nga etnia shqiptare, me fatin “e pakicave” të shuhen përfundimisht nga lidhja e tyre e brendshme politike dhe kulturore.
Ndaj, jo rastësisht, dy nga pjesët emblematike të shqiptarizmit nën pushtimet serbe (Shkupi – kryeqendër e Kosovës dhe Manastiri – qendër e nacionalizmit gjuhësor) kthehen në mohues të tij. Kështu, Beogradi, duke u nisur nga “Naçërtanja” dhe platformat që dolën prej saj (Memorandumi i Vasa Çubrilloviqit dhe të ngjashme nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve dhe Kisha Ortodokse Serbe), Shkupin e ktheu në qendër të islamizmit, ndërsa Manastirin në qendër të identitetit ortodoks sllav.
Këto dy veprime, u përcollën me programe shtetërore, nga ato të etnocideve: shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi të përcjella me marrëveshjet shtetërore me Turqinë si dhe kolonizimin e trojeve shqiptare me popullatë serbe dhe malaziase) si dhe të kulturocideve: mohimi i gjuhës shqipe, mohimi i identitetit kombëtar si dhe zëvendësimi i tij me identitet fetar “mysliman” të shoqëruar me kombësinë “turke”.
Në këtë aspekt, pra që t’i merrej çfarëdo identiteti kombëtar dhe politik, Shkupi – si kryeqytet historik i shqiptarëve, u kthye në qendër “islamike”. Për të humbur çfarëdo gjurme shqiptare në të, Beogradi hapi shkollat fetare islamike në Shkup dhe qytetet tjera të vilajetit të dikurshëm të Kosovës. Hapi Medresën e Madhe në Shkup si dhe themeloi Shoqatën e Myslimanëve të Serbisë “Xhemjeti”, që mori përsipër edhe organizimin e tyre politik me “qeveri jeshile”.
Krahas kësaj, asimilimit të plotë iu nënshtruan edhe shqiptarët ortodoksë, të cilët, në pjesët e Maqedonisë Veriore dhe të Kosovës, u shpallën “serbë”. Të njëjtit, në kohën e Titos, u shpallën maqedonas.
Edhe përkundër këtyre represalieve shtetërore dhe programeve për zhdukjen e identitetit etnik dhe kulturor shqiptar, shqiptarët nuk hoqën dorë nga të qenit shqiptarë. Kjo u pasqyrua me rezistencën e vazhdueshme deri te ajo e armatosur, si dhe shfrytëzimin e rrethanave historike, siç ishin ato midis viteve 1915-1918 dhe 1941-1944, që t’i bashkohen etnisë shqiptare. Ngjashëm do të veprohet edhe nga viti 1944 e këndej, kundër ripushtimeve sllavo-komuniste si dhe realiteteve që sollën ato me krijimin e Jugosllavisë së Titos, deri në vitin 1991, kur ajo u shpërbë dhe shqiptarët serish do të gjenden në kuadër të konjukturave të reja: në Maqedoni në kuadër të shtetit të pavarur të Maqedonisë, ndërsa në Kosovë nën ripushtimin e Beogradit.
Shpallja e shtetit të pavarur maqedon në vitin 1991 mbi parimet shtet-komb, pra si shtet nacional i Maqedonasve si dhe përfshirja e shqiptarëve në të si pakicë jashtë vullnetit të tyre, ngaqë bojkotuan referendumin e shtator të vitit 1991, këtij realiteti nuk ia trazoi legjitimitetin.
Edhe pse pak më vonë, shqiptarët nëpërmes një referendumi, në vitin 1992, do të shpallin republikën autonome të “Iliridës”, megjithatë kjo nuk e ndryshoi realitetin politik, ngaqë ky përcaktim nuk u ndoq deri në fund dhe me të gjitha mjetet sa nga arsyet që lidheshin me Kosovën dhe rrezikun që mund të sillte atje destabilizimi i Maqedonisë të cilën e dëshironte edhe Beogradi për hesape të veta, dhe sa nga konformizmi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i akomoduar në strukturat shtetërore prej nga përfitonin personalisht nga postet në qeveri e deri te ato të ambasadorëve (por pa ndonjë ndikim politik). Kjo bëri që shteti maqedonas edhe si i tillë, pra njënacional, vazhdoi të mbështetej ndërkombëtarisht dhe madje të merret edhe “si oazë paqeje”.
Kjo “idilë” gjithsesi se i shkonte për shtati politikës nacionaliste maqedonase, meqë ashtu arrinte dy qëllime: shkëputjen e shqiptarëve nga Kosova dhe lidhja e njohur kulturore dhe shpirtërore me të e krijuar midis viteve 1968-1981, si dhe “pajtimin” e tyre me shtetin kombëtar maqedonas me tretmanin e pakicës, që ata njëherësh do t’i mbante të shkëputur nga Kosova po edhe Shqipëria.
Kjo gjendje, megjithatë, filloi të trazohej sapo Kosova të futet nën protektoratin ndërkombëtar në qershor 1999. Nxjerrja e saj nga pushtimi serb si dhe vendosja e trupave të NATO-s në të, ndryshuan edhe “idilen” maqedonase. Shqiptarët, të diskriminuar nga “demokracia parlamentare”, në fillim të vitit 2001, filluan një kryengritje, e cila me të shpejt, nga Tanusha, përfshiu pjesët e banuara me shqiptarë. Bartëse e kësaj lufte ishte “Ushtria Kombëtare Çlirimtare”, një simotër e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, jo vetëm përnga pjesëmarrja e shumë luftëtarëve në luftën e Kosovës, por edhe përnga koncepti që “lufta të kthehet në mjet të fundit të politikës”.
Por, lufta e UÇK-së, nga shkurti deri në gusht të vitit 2001, e filluar me moton e çlirimit kombëtar, vazhdoi me kërkesën për shtetin dy-kombësh (shqiptarë-maqedonas, gjegjësisht maqedonas-shqiptar), papritmas u rrudh në kërkesën për shtetin e përbashkët demokratik-qytetar, multietnik.
Me këtë kërkesë gjërat arritën deri te Marrëveshja e Ohrit e gushtit 2001, me të cilën, ndërkombëtarisht, iu vunë bazat shtetit qytetar të Maqedonisë, ku megjithatë, Maqedonia, me gjuhën zyrtare maqedonase si dhe simbolet shtetërore maqedonase, ruajti karakterin nacional maqedonas, por nën firmën shtetit qytetar.
Sidoqoftë, lufta e shqiptarëve në Maqedoni, ndonëse përfundoi pa ndonjë sukses politik, megjithatë, ndërkombëtarizoi çështjen e saj deri në atë masë saqë qenia e shtetit maqedonas të shihet e lidhur ngushtë me raportet e shqiptarëve me të, që mund t’ia përcaktojnë kurdoherë fatin, nëse nuk do të trajtohen si pronar të njëmend të tij, pra si shtetformues, me tapitë historike dhe etnike.
Si e tillë, kjo luftë mbetet e papërfunduar.