Nga Selim Ibraimi-Qendra e Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit-Maqedoni
Hyrje
Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence është duke i vizituar pikat më të ndjeshme të Europës nga kërcënimi rus, duke filluar nga Estonia, Gjeorgjia e deri në Mal të Zi.
Me këtë vizitë administrata e Presidentit Donald Trump na lë të kuptojmë se përkushtimi amerikan ndaj aleatëve europianë do të vazhdojë.
Disa përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit të kaluar në Podgoricë dhe informacioneve për prani të theksuar ruse në Maqedoni bënë që amerikanët të rizgjohen.
Në të vërtetë cilat janë gjasat reale të një misioni kaq të gjërë amerikan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, i cili kërkon burime të pakufizuara?
Në fakt gjatë mandatit të fundit të Presidentit Barak Obama, batalione të ushtrisë amerikane u stacionuan në Europën Lindore.
Një vakumi i thellë vazhdon të qëndrojë pezull mbi Europën Juglindore, duke u bërë kërcënim serioz për demokracitë e reja të përfshira nga korrupsioni dhe stabiliteti fragjil etnik.
Maqedonia dhe krizat e ardhshme
Maqedonia vazhdon të shihet si vend i çudirave dhe prapaskenave politike, ku një ditë kthehen si çështje në mes opozitës dhe pushtetit të drejtuar qoftë nga LSDM-ja apo VMRO-ja dhe në fund komuniteti ndërkombëtar duhet të intervenojë.
Pas dy viteve të publikimit të përgjimeve, LSDM-ja e mori pushtetin nga ish –kryeministri Nikolla Gruevski, dikur i përkëdhelur nga Perëndimi e i kritikuar viteve të fundit po nga këto qendra.
Zënkat në mes LSDM-së dhe VMRO-së sipas raporteve lokale ishin të ndërlidhura më shumë më krizën e shtetit dhe të nivelit të demokracisë në Maqedoni se sa me problemet kryesore në mes maqedonasëve dhe shqiptarëve.
Mospajtimet në mes palës maqedonase u kanalizuan me Marrëveshjen e Përzhinës dhe formimin e shumicës nga LSDM-ja me ish-komandantin e guerrilës së vitit 2001, Ali Ahmeti, tashmë e transformuar në parti politike me emrin Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe të liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela i cili u përgjak nga nacionalistët maqedonas më 27 prill të këtij viti.
Dominimi i krijuar nga maqedonasit përshkak të favorizimeve gjeopolitike të viteve 1945 dhe 1991, janë duke e thelluar hendekun në mes dy grupeve etnike.
Qeveria e re e kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev ka marrë disa hapa për t’i ripërtrirë këto marrëdhënie, mirëpo në proces këto hapa nuk shihen si afatgjate për tu prirë ndryshimeve kushtetuese, të cilat refuzohen nga klasa politike maqedonase.
Disa analistë të pavarur thonë se statusi i shqiptarëve të Maqedonisë është zënë peng nga vetë liderët shqiptarë ku çështjen e kanë kthyer në biznes me politikanët maqedonas.
Fakti tjetër është kriza e shpërndarjes së burimeve shtetërore në mënyrë jo të barabartë në të gjithë territorin e Maqedonisë.
Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka dhënë disa premtime, por gjendja vazhdon të jetë e njëjta me nivele të rrezikshme të varfërisë dhe thellimit të ndasive ndëretnike.
Dekada e tretë dhe ndryshimet në sistemin europian të sigurisë
Fundi i dekadës do të shoqërohet më ndryshime në sistemin europian të sigurisë dhe me një BE të pafuqishme për t’i menaxhuar krizat në oborrin e vet.
Kjo nuk është hera e parë që Europa nuk ka qenë e aftë për të vepruar dhe dallimet në mes fuqive europaine kanë prodhuar kriza të reja në Ballkan.
SHBA nën presidencën e Donald Trumpit, është e interesuar për një Amerikë të fortë brenda territorit amerikan dhe paralelisht duke intervenuar në krizat ku kërcënohet drejtpërsëdrejti interesit amerikan.
Lidhja transatlantike po dobësohet dhe BE nën udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë është në kërkim të një rol të ri dhe të pavarur nga Uashingtoni.
Roli i i ri i kërkuar nga europianët nuk është pa çmim, të cilin duhet ta paguajnë në fund ballkanasit.
Turbulencat që u shfaqën në Ballkan, treguan për gabime në politikat e jashtme të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor dhe me pasoja, që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të rrezikohen nga forcat nacionaliste.
Përkrahja e liderëve të gabuar ishte një ndër dështimet e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni dhe rajon.
Çmimi që duhet paguar
Shtetet e Ballkanit Perëndimor për një kohë nuk do të bëhen pjesë e BE-së, përshkak të ngecjeve në reforma, ekonomisë fragjile, tregëtisë së zezë, korrupsionit dhe rritjes së nacionalizmit.
Ajo që del në sipërfaqe është ideja që Ballkani të jetë një sub- union i BE-së, ku mentaliteti i bërjes së politikës është pothuajse i njëjtë në mes ballkanasëve dhe dallon nga pjesa veriore dhe perëndimore e Unionit Europian. Mirëpo Unioni tregtar (WB-6) mund të jetë një sherr i madh për BE-në dhe SHBA-në, pasi tregu dhe politikat tregtare do të jenë kryesisht të natyrës gjeopolitike dhe paralelisht do ta largonin Ballkanin nga orbita e BE-së.
Disa shtete si Serbia do ta dominonin unionin e ri dhe me këtë do të dilnin në horizont me çarje që do të sjellin trazira dhe tensione ndërshtetërore.
Maqedonia me qeverinë e re jep disa indikacione se e vetmja mënyrë që do të parandalonte krizën e madhe të jashtme është funksionimi i sistemit të Aleancave tregtare, pra qoftë edhe gjeopolitike.
Përgatitja e marrëveshjeve për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Greqinë ka për qëllimin fuqizimin e Maqedonisë në arenën ballkanike dhe afirmimin e interesit nacional maqedonas.
Kalimi nga epoka e zymtë e qeverisjes së Gruevskit e deri në dritën që qeveria e re e kërkon nëpërmes marrëveshjeve të këtilla ndërfqinjësore, do të pasohet edhe me kriza të brendshme të konsolidimit të pushtetit të Zaevit dhe vazhdimit të tkurrjes së shqiptarëve në Maqedoni. Këto tendenca të humbjes së identitetit, do të mund të parandalohen, vetëm me forca të reja politike dhe lidership me pikëpamje demokratike, i cili në rast se do të krijohej hapësira, do ta luante rolin e balancës së brendshme, mënjanimit të trazirave ndëretnike dhe të ndërtimit të një Maqedonie të re.Në planin e jashtëm koha dhe ngritja e aleancave të reja do ta shtyjë Maqedoninë të kërkojë partnerë tjerë.
Fundi i garancive ndërkombëtare dhe shtetet etnike
Si garantues aktual paraqitet SHBA-ja, ndërsa për sa i përket çështjeve të brendshme qeveria e kryeministrit Zaev apo të tjerat që do të vijnë, është e mundur që t’i hynë rrugës së ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese për ta adaptuar Maqedoninë përballë rreziqeve të dekadës së tretë.
Një argument tjetër është se SHBA-të gjinden para një cikli ndryshimesh ashtu si më parë ishte Perandoria Romake, dhe mundësia për të intervenuar në të gjitha krizat e së ardhmes do të jetë e kufizuar dhe në disa raste, e pamundshme përshkak të botës multipolare.
Dekada e tretë e shekullit nuk do të jetë e lehtë për Maqedoninë ku përveç sfidave të rënies së popullësisë, burimeve të pakta, vendi do të ndeshet edhe më një varg tendencash.
Hyrja në union e lartëpërmendur, Maqedoninë do ta bëjë më të hapur për sa i përket interesit tregtar, të shpërndarjes së mallit në union, e nuk do t’i mbyllë aspektet tjera të diskutueshme.
Një hartë e re në Ballkan
As hyrja në NATO nuk do ta bëjë Maqedoninë më të sigurtë nëse nuk arrin paqe të përhershme të brendshme dhe nuk i fillon ndryshimet kushtetutese.
Shqipëria dhe Kosova janë treguar tepër miqësore ndaj Maqedonisë. Por qeveritë maqedonase duke aplikuar një politikë të jashtme të Spartës antike, treguan se gjeopolitika ishte kthyer në Ballkan dhe nëse do të vazhdojë edhe më tej atëherë blloku tregtar do të shërbejë si fazë kalimtare drejt një hartë te re në Ballkanin Perëndimor.
Garantues i përhershëm i Maqedonisë janë shqiptarët, paqja dhe siguria e përbashkët do të arrihej nëse të gjithë do të jenë të barabartë. Kjo është e mundur në Maqedoni, edhe pse sfidat e reja do të determinojnë kurse të reja të politikës së jashtme dhe formimit të blloqeve të reja në Ballkan.
Serioziteti i Perëndimit do të shihet me angazhimin jo vetëm të shtetarëve dhe diplomatëve në Ballkan dhe Europën Lindore, por me plane konkrete ekonomike vs. gjeopolitkës së re që po lëviz më shpjetësi në Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor.
Shënim: Analiza është produkt i Qendrës së Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit-Maqedoni (CSSD)
31 Korrik, 2017
Analizat e CSSD-së shkruhen dhe redaktohen nga stafi i CSSDMaqedonia. Çdo muaj dy analiza botohen në shqip dhe anglisht. Redaktor: Selim Ibraimi, ndihmës redaktor:Blerim Abedini Grafika: CSSD dhe burime të tjera Komentet: cssd2020@gmail.com Për më shumë vizitoni faqen tonë të internetit: www.cssd-ngo.org
CSSD analyses are written and edited by the staff of the CSSDMacedonia. Each month two analyzes are published in Albanian and English language. Editor: Selim Ibraimi, assistant editor: Blerim Abedini Graphics: CSSD and other sources Comments: cssd2020@gmail.com For more information visit our website: www.cssd-ngo.org