Si mund të konsultohesh dhe të hartosh ligj me atë që shkel ligjin?
Nga Urim Hasipi
Se në çfarë derexhe ka rënë Ministria e Ekonomisë, nuk duhen shumë njohuri në sferën e ekonomisë për të deshifruar manipulimin që e bën Ministri i Ekonomisë Bekteshi Kreshnik. Ai gjatë tërë kohës manipulon me opinionin se tregtarët do të dënohen, do të ketë gjoba, kjo nuk do të lejohet e kështu me rradhë.
Në anën tjetër, qeveria vazhdimisht ka ndihmuar sektorin e biznesin me qindra miliona euro si të ashtuquajtura masa anti- krizë. Pra, qeveria ka ndihmuar tregtarët me para që tregtarët në anën tjetër të risin çmimin. Kur tregtarët rrisin çmimet në mënyrë enorme, pa asnjë kriter, qeveria thotë se bëhet fjalë për praktika të pandershme.
Kush është i pandershëm dihet. Të dy palët, sepse njëra palë subvencionon, kurse pala tjetër rrjep qytetarët. Praktika të padrejta tregtare do të thotë rritje e çmimeve pa asnjë kriter dhe për përfitim maramendës të tregtarëve.
Tash, ministri Bekteshi Kreshnik, së bashku me ata pra që kanë bërë Praktika të padrejta tregtare (biznesmenët) do të bëjnë ligj se si në të ardhmen e vjedhmja klasike të shndërrohet me ligj. Njëherë ministri fajëson këta tregtarë, pastaj i takon, pastaj bashkëpunon. Kjo, nuk ka asnjë rrjedhë logjike, përveç një logjike.
Unë të subvencionoj, ti rrjep qytetarët dhe në fund fitimi ndahet bashkërisht. E humbësit më të mëdhenj janë qytetarët, të cilët në cilindo rast janë ata që në fund i përjetojnë çmimet e larta kur duhet të blejnë në markete.
Pra, ligji për praktikat e pandershme duhet të bëhet në konsultim publik me qytetarët e jo me ata që vazhdimisht i akuzoni në publik, por në praktikë i mbështetni me subvencione të mëdha. Si mund të konsultohesht dhe të hartosh ligj me atë që shkel ligjin.
Këtë lux i`a jep vetes vetëm një ministër i cili tre vite me rradhë flet vetëm për çmimet, flet për ngrirje-shkrirje, çmim të garantuar, përqindje dhe praktika të pandershme. Jo që i ka hutuar biznesmenët dhe tregtarët si dhe neve qytetarëve, por e ka hutuar edhe sferën akademike që meret vetëm me çështje ekonomike.
Në kushte normale, akrobacionet e një ministri i cili flet vetëm për çmime tërë kohës dhe nuk e ka idenë se sa herë ka ndryshuar vendimet e qeverisë, do të duhej që të shkonte në shtëpi vet dhe jo të shkarkohej apo largohej.
Shumë e thjeshtë është, çmimi duhet të jetë i përcaktuar në bazë të tregut dhe pastaj nëse ka çrregullime, qeveria intervenon dhe e normalizon tregun, në atë mënyrë që mos dëmtohet xhepi i qytetarëve dhe mos dëmtohen tregtarët.
Në kohë krize, të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm të veprojnë që mos stërvarfërohen qytetarët e varfër dhe të mos stërvpasurohen të pasurit. Një qeveri dhe një ministri e ndërgjegjshme, nuk ndërhyn në tregun e çmimeve çdo ditë dhe kjo ndërhyrje ka bërë që çmimet mos të ulen por vetëm të rriten. Ministër, qeveri, realiteti është ky, çmimet janë rritur, qytetarët përballen çdo ditë dhe ky është realiteti.
Akrobacionet tjera janë vetëm për të hutuar dhe për të manipuluar opinionin. Për ekonomi ndoshta nuk marrim vesh, por se janë rritur çmimet këtë e marrim vesh kur na djeg xhepi.