– Botohet me rastin e 80 vjetorit të jetës dhe 60 vjetorit të veprimtarisë krijuese të autorit
Proza “Lufta e fshehur, Anteu”, paraqet një eksperiment letrar me dy pamje paralele. Në njërën anë – të luftës së fshehur si aspekt jetësor me të gjitha vlimet, që i nxjerr gjendja e tillë tragjike, ku pijanecët, dylberët, sarhoshët, matrapazët, laviret , tregëtarët e flamujve e të tjerë nga ky soj (shqiptarë, serbë, romë dhe kallankusuri), gjejnë gjuhë të përbashkët edhe në rrethanat e gjakut dhe krimeve më të mëdha, siç ndodh në hapësirën përreth lumit Krena, midis Urës së Taliqit dhe asaj të Namazxhasë të shpallur “zonë e ndaluar lufte…” Dhe në anën tjetër, përmes një aktorit të dramës së komedisë, në një skenë të imagjinuar, ku ai dëshiron t’i kthehet tragjedisë, nxjerr “të fshehtën” e fatit tragjik të tij, që duhet të aktrojë anën e hareshme të jetës, ndërkohë që ajo nuk është e tillë. Siç ndodh me pijanecët dhe laviret që i bashkon jeta e natës qemerëve të pista të lumit Krena, aktori i komedisë, për t’i ikur palaçove të skenës, kërkon heroin, atë që bën dhe mbikëqyr luftën, por dëshpërohet, meqë heronjtë, të shumtën janë të shpifur, në vend të çlirimit, kërkojnë pushtet, lirinë e kthejnë në pronë, meritat në haraç e të ngjashme, gjë që aktori bindet, siç binden edhe shtresa e të margjinalizuarve gjatë luftës (pijanecët, sarhoshët, dylberët e të tjerët), se dimensioni i njëmend jetësor është ai i fshehti, i dilemave, ku zhvillohen dramat e vërteta në skenën e jetës, që regjisorët e panjohur përherë ua caktojnë rolet dhe fatet…
(Botues: “Faik Konica”&”Jalifat Publishing”, 2026, faqe 209).
….

