NGA SELIM IBRAIMI– Tani që qeveria e Zaevit do të votohet në Parlamentin e Maqedonisë Veriore, shqiptarët kanë marrë disa pozicione të rëndësishme në diplomaci dhe financa.
BDI-ja e Ali Ahmetit ka arritur, mes ministrive të tjera, të sigurojë ministrinë e jashtme dhe të financave. Partitë e tjera të thirrura në emër të elektoratit shqiptar kanë marrë përsipër disa ministri dhe zëvendësministra nga mandatari Zoran Zaev.
Le të përqëndrohemi në diplomaci, ku diskriminohen kuadrot shqiptare dhe ku kemi një nacionalizëm institucional brenda ministrisë dhe në rrjetin diplomatik. Që nga pavarësia, ministria ka punësuar njerëz nga partitë politike, anëtarë të ngushtë të familjeve dhe të gjithë ata që kanë qenë të dëshirueshëm për sistemin shtetëror dhe shërbimin sekret. Tani që BDI-ja e Ahmetit do të marrë përsipër këtë ministri, duhet të bëhen ndryshime serioze në stafin e ri me përvojë profesionale dhe jopartiake. Edhe pse Ministri i propozuar Bujar Osmani është një mik i vjetër i ish-ministrit Nikolla Dimitrov, ai duhet të zhvillojë diplomaci të zgjuar, të krijojë dhe zhvillojë pozita të reja në ministri dhe natyrisht pa pakënaqësi profesionale dhe personale ndaj kuadrove të reja.
Vetëm në këtë mënyrë BE-ja do të na vlerësojë dhe natyrisht BDI do të lirohet nga akuzat e vjetra dhe këtu do të përmend ministrat që i paragjykojnë nga jashtë. Koha është për ndryshime në ministrinë e Jashtme të MV-së. (ISSDMaqedonia- @ CSSDMacedonia)