Nga Selim Ibraimi ISSD, ekspert / 6 Janar 2021 Propozim ligji i nënshtetësisë ka shumë pak gjasë të kalojë në Parlamentin e MV-së. BDI-ja e Ali Ahmetit është shprehur pozitivisht se do të mbështesë këtë propozim ligj të koalicionit ASH-AA. LSDM-ja me kryeministrin Zaev si gjithnjë nuk kanë ndonjë qendrim të prerë publik por, punojnë prapa skenës që ky propozim ligj të dështojë. MPB e MV-së e ka dhënë mendimin duke paraqitur opinione të vjetra nacionaliste që shkelin të drejtat e njeriut. Vetëm partia “Besa” e cila sipas anketimeve të fundit nuk gëzonte ndonjë besueshmëri në elektorat dhe opinion nuk është deklaruar se nëse është apo jo kundër këtij propozim ligji.
Për shqiptarët e anëtarësuar në LSDM e kemi të qartë se çfarë qëndrime ata përfaqësojnë dhe pse janë aq afër me LSDM-në ish Partinë Komuniste Maqedonase, mirëpo është e paqartë se pse z. Bilall Kasami bashkë me grupin e tij partiak nuk shprehen saktë dhe hapur për Ligjin e nënshtetësisë dhe të regjistrimit ku pjesa dërmuese e diasporës do të mbetet jashtë procesit. Kuptohet se Kasami si lojtar që rrotullohet rreth partive LSDM dhe BDI nuk mund të bëjë më shumë por, vetëm të shfrytëzojë pak Zaevin dhe Ahmetin dhe lënë anësh votuesit që aq shumë i besuan. Propozim ligji i nënshtetësisë dhe regjistrimi i prillit do të vërtetojnë se çfarë liderësh kemi dhe pse janë në pushtet. Natyrisht se karavani i tyre do të ecë derisa votuesit të vetëdijësohen se kush janë dhe pse i kanë hyrë kësaj rruge.