SELIM IBRAIMI- Për më shumë se një shekull të vendosjes së kabllove telefonike në Atlantik në mes SHBA-së dhe shteteve evropiane, askush nuk e kishte menduar se një ditë ky rrjet do të shërbejë si rrugë për sulme që sot quhen si sulme kibernetike në infrastrukturën kritike.

Rrugët tregtare të vitit 1912 dhe hartës së telegjeografisë të kabllove të vendosura, sot kanë një ndryshim të madh, dhe kjo pjesë e botës bashkë me Paqësorin janë më të zhvilluarat dhe më të sulmuarat. Në kohën e përplasjeve globale për dominim jo vetëm në tokë, në det dhe në hapësirën ajrore, lufta kibernetike është aktiviteti kryesor i shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Aktualisht kemi disa sfida të reja në garën në mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, ku këta dy të fundit janë armiqtë kryesorë të SHBA-së, Bashkimit Evropian (BE) dhe shteteve në transformim si të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë pesë viteve të fundit kemi pasur sulme kibernetike si asnjëherë më parë, andaj shtetet anëtare të NATO-s dhe në veçanti SHBA dhe BE bashkë me partnerët nga rajoni i Ballkanit kanë zhvilluar apo kanë ngritur nivelin e marrëdhënieve në një dialog strategjik për tu mbrojtur nga sulmet e jashtme.

Dialogu kibernetik SHBA-BE u mbajt në Uashington, më 15 dhe 16 dhjetor të këtij viti. Sipas kumtesës “SHBA dhe BE diskutuan angazhimin e tyre të përbashkët për një partneritet elastik të sigurisë kibernetike; një internet i hapur, i ndërveprueshëm, i sigurt dhe i besueshëm; dhe për një stabilitet në hapësirën kibernetike”.

Ajo që mbetet shqetësuese jo vetëm për shtetet anëtare, është se vendet që kanë qenë pjesë e sistemit komunist nga Ballkani dhe shtetet e Evropës Lindore janë më së tepërmi të rrezikuara, dhe shumë lehtë mund të sulmohen nga armiqtë e këtu sidomos nga Rusia, Kina dhe Irani.

Me rëndësi është që shtetet e reja të Ballkanit që janë anëtarësuar në NATO, të punojnë në kornizat e politikave kibernetike, në diplomacinë kibernetike, parandalimin dhe forcimin e kapaciteteve të shteteve për të përballuar sulmet nga jashtë sferës mbrojtëse të NATO-s. Maqedonia e Veriut më 2 qershor të vitit 2022, bashkë me SHBA-në zhvilluan “Dialogun Strategjik”  i fokusuar kryesisht në thellimin e partneritetit dypalësh.

“SHBA mbështesin përfshirjen konstruktive të Maqedonisë së Veriut në iniciativat rajonale të stabilitetit dhe sigurisë, duke përfshirë “Iniciativën -VIII” dhe “B-6”, të iniciuar nga Maqedonia e Veriut, si dhe synimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e “Iniciativës së Tre Deteve”- thotë njoftimi i DOS-it.

Në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nënvizuar përkushtimin e saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin. SHBA kanë vlerësuar arritjet e Maqedonisë së Veriut në lidhje me modernizimin dhe pajisjen e Forcave të Armatosura me mjete të avancuara ushtarake, si dhe përpjekjet për të avancuar sigurinë kibernetike.

Ndihma ushtarake amerikane për ushtrinë maqedonase shkon në disa miliona dollarë. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka nënshkruar  “Marrëveshjen e Otavës”, së vitit 1951. Maqedonia e Veriut si pjesë e “Kartës së Adriatikut” bashkë me vendet fqinjë duhet të angazhohet në këtë betejë të rëndë që ka filluar vite më herët.

Kërcënimet kibernetike do të jenë më të shpeshta në të ardhmen ku përveç shteteve anëtare të NATO-s, cak i sulmeve do të jenë edhe shtetet jo anëtare. Andaj me rëndësi është që në kuadër të bashkëpunimit strategjik me SHBA dhe NATO-n, vendet e Ballkanit të përfitojnë më shumë nga përvojat e jashtme dhe në kuadër të aleancës të punojnë në modernizimin e infrastrukturës kritike si kusht për të pasur sukses në luftën kibernetike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.