Nga URIM HASIPI– Artan Grubi është zëvendëskryeministër apo menaxher marketingu në Bechtel–Enka?!
Nga se, kjo qeveri e ka humbur rrugën në oborrin e vet, kjo nuk është lajm! Seç, kjo qeveri nuk ka asnjë lidhje me realitetin, edhe kjo nuk përbën më lajm.
Sot, sërish shumë portale publikuan ftesën e zëvendës kryeministrit Artan Grubi që të inkuadrohet për punë në kompaninë Bechtel–Enka, për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10 D.
Kjo nuk është punë e zëvendës kryeministrit i cili në çdo dy ditë, të ‘torrturojë’ opinionin me apele për punësim në një kompani private.
Bechtel Enka, nuk është Ndërmarrje Publike Shtetërore që t`i bëhet marketing por është kompani private që synimin e ka se, si të arrijë tek paratë e taksapagimit publik të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, sepse Korridori 8 dhe 10 D, ndërtohet me paratë tona.
Artan Grubi tashmë e ka marrë rolin edhe të marketingut në këtë kompani.
Pse Artan Grubi dhe të tjerët, nuk dalin me apele për punësime në Ndërmarrje Publike Shtetërore.
Sa për informacion, ka shumë punëtorë në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore të cilët punojnë me kontratë në vepër dhe nuk kanë vendim për punë në afat të pacaktuar. Zgjidhni problemet në institucionet që i drejtoni, para se të bëni apele për punësime në kompani të huaja!
Së fundmi, deri më tani, Bechtel dhe Enka nuk kanë asnjë reklamë nëpër mediat tona, dhe nuk e ka parë të arsyeshme që të bëjë asnjë sponzorim të ndonjë eventi, qoftë kulturor apo diçka të ngjashme.
Marketingu duhet të jetë i ndarë dhe nuk është punë e qeverisë!
Qeveria që të jetë e ndërgjegjshme, duhet që të hap konkurse për punësime në shumë institucione ku ka mungesë evidence të puntorëve nëpër sportele, sepse qytetarët duhet që të presin me orë të tëra për të kryer obligimet e tyre.
Ka disa vite që përveç konkurseve për punësime në polici dhe armatë, askund tjetër nuik janë hapur konkurse për punësime, pra për të plotësuar përqindjen e përfaqësimit adekuat.
Shumë institucione vazhdojnë të neglizhojnë gjuhën shqipe, kurse qeveria nuk punëson shqiptarë, me arsyetimin se mungon kuadri profesional.
Qeveria duhet të dijë se ka me qindra studentë shqiptarë që diplomojnë çdo vit në universitete, pasi që e kanë kryer gjuhën shqipe dhe mund të punojnë si përkthyes.
Se sa harxhoni kohë për marketing, mirë është të interesoheni që të diplomuarit të gjejnë punë të dinjitetit në vend, dhe të mos largohen.
Nuk ka shumë filozofi të ndalet ikja e rinisë; punësoni këta të rinj nëpër institucione me paga të dinjitetshme, sepse Bechtel Enka sot ekziston e nesër nuk është!
Pasi që bëni pjesë në një qeveri e cila në vitin 2017 ishte konsideruar si qeveri që do të shpëtojë vendin nga ikja masive, sot pas 6 vitesh, ju sugjeroj që puntorë për Bechtel Enka mund të gjeni në Gjermani.
Apelet drejtoni në Byronë për Punësim në Gjermani. Atje i keni krejt kuadrot që u larguan nga zhgënjimi!