NGA SELIM IBRAIMI- Qëndrimi i gjatë në pushtet i një partie, sidomos në hapësirën ballkanike, nuk përfundon mirë. Kjo u pa me partitë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe tani jemi dëshmitarë se edhe në partinë e Ali Ahmetit BDI ka pakënaqësi nga ish anëtarët e afërt të kryesisë, të degës së Sarajit dhe Çairit. E gjithë historia e një partie nuk përfundon me plotësimin e dëshirave të ish-funksionarëve partiakë që dikur ishin në poste të larta qeveritare me ish-kryeministrin pro-rus, Nikolla Gruevski. Deklarimet publike të “Grupit të Zjarrit” duhet parë nëse sulmi ka për qëllim shkatërrimin e veprave të partisë së Ali Ahmetit apo është vetëm një mosmarrëveshje disavjeçare në mes zv. kryeministrit Artan Grubi me deputetin Izet Mexhiti, Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi. Nga takimi i së enjtes shihet se “Grupi i Zjarrit” ka shumë respekt për liderin e tyre shpirtërorë dhe politik Ali Ahmeti. Kjo do të thotë se veprimet e deritanishme të këtij grupi janë të kufizuara dhe nuk kanë të bëjnë me fragmentimin e BDI-së. Deri këtu kështu qëndrojnë çështjet me BDI-në e Ahmetit, reagimet e Mexhitit – Bexhetit dhe asgjë më shumë.

Por, se si do t’i qaset Ahmeti të dyja grupeve, të cilat më së shumti janë çështje inati për pozita dhe nga monopoli i vendimeve brenda partisë, që deri me tani kanë mbetur në duart e zv. kryeministrit dhe këshilltarit të Ahmetit Artan Grubit dhe ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, mbeten për tu analizuar më tej, kur Ahmeti duhet të vendosë nëse do t’i bashkojë grupet, duke ua përmbushur orekset e tyre me poste, apo ai do të mbajë anën e ministrave të rinj duke e bërë situatën brenda partiake ende më të paqartë. Poqese Ahmeti do të mundohet të blejë kohë, atëherë “Grupi i Zjarrit” duke mos qenë i kënaqur nga veprimet e liderit, mbetet të veprojnë kundër BDI-së në Shkup, rrethinë dhe ndoshta të bashkohen në ndonjë kombinim opozitarë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Kovaçevski. Dhe në të njëjtën kohë të votojnë kundër ministrave të Ahmetit në qeveri. Ahmeti ka gjasa të veprojë duke ulur fillimisht tensionet dhe parë nëse më tej do të përçajë “zjarristët”. Ose opisioni më realist dhe afatgjatë është nëse Ahmeti do të distancohet ngadalë nga Grubi duke lëvizur drejt autoritetit të Mexhitit dhe figurave tjera që gëzojnë respekt në Pollog dhe Shkup. Aktualisht ky grup nuk ka kapacitet të formojë parti politike dhe të marrë një numër të konsiderueshëm votuesish nga partia aktuale BDI. Megjithatë, në proces nuk përjashtohet mundësia që një parti në krye me deputetin Izet Mexhiti të sfidojë Ahmetin dhe BDI-në e tij në zgjedhje dhe si forcë e ardhshme politike. Sipas analistëve vendas, Artan Grubi, Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Arber Ademi, Fatmir Besimi dhe disa të tjerë që kanë mbajtur poste në ish-qeveritë e Gruevskit dhe vazhdojnë të jenë në dy qeveritë e fundit në Maqedoninë e Veriut, janë ndër figurat që nxisin neveri në opinion dhe nuk kanë mbështetje në bazën elektorale të BDI-së.
Nga pikëpamja e psikologjisë politike, konstrukti mendor i liderëve shqiptarë nuk ndryshon shumë. Në Shqipërinë e komunizmit stalinist, eliminimi i kundërshtarëve ishte i tmerrshëm dhe lufta mes tyre çoi në largimin e figurave kryesore të partisë, duke qeshur në fillim dhe pastaj duke u përjashtuar nga partia dhe në fund duke përfunduar në burgje. Pasi tani jemi në sistem shumë partiak, çështjet janë më ndryshe, por mënyra e diskualifikimit të kundërshtarëve mbetet e njëjta tek liderët dhe partitë shqiptare. Konkretisht mbetet të shihet se sa kohë do t’i duhet Ahmetit të qetësojë partinë nga brenda. Ahmeti mund të jetë në rrugë të mbarë për t’i ulur inatet në partinë e tij, po kjo nuk mund t’ia shërojë atij plagët e marra nga disfata që pësoi në Tetovë dhe në Gostivar në zgjedhjet lokale të 2021-ës. Opsioni më i padëshiruar është nëse ky grup do të veprojë si i pavarur dhe do të marrë formë serioze, tjetra mund të mbetet vetëm një propagandë dhe asgjë më shumë për publikun dhe anëtarësinë e BDI-së. Për më shumë, Dr. Gebelsi gjatë LDB-së në këshillat e tij porosiste se “propaganda duhet të jetë popullore dhe jo intelektualisht e këndshme”.

FITORET GJITHNJË E MË TË VËSHTIRA PËR AHMETIN! KUSH QËNDRON PAS DISFATAVE TË NJËPASNJËSHME?

***Ibraimi mban gradën doktor në shkencat politike